Efekti është dhënë i gjithi nga rënia e fortë e grupit “Minerale, lëndë djegëse dhe energji”, ndërsa sektorët e tjerë janë pothuajse të gjithë me rritje. Ecuria e eksporteve këtë vit nxjerr në pah dobësitë strukturore të ekonomisë shqiptare, tepër e varur nga shitja e lëndëve të para…
Eksportet arritën në 165.2 miliardë lekë për 8 mujorin e këtij viti, duke shënuar një rënie me 3.8% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas statistikave të publikuara nga INSTAT. Ritmet e rënies janë përshpejtuar sërish, pas një ngadalësimi dy muajt e fundit (për 8 mujorin rënia vjetore ishte 2.1%).
Performanca e dobët e “minerale, lëndë djegëse, energji” vijon të jetë faktori kryesor që ndikon në këtë prirje rënëse të eksporteve, ndërsa tekstilet e këpucët e kanë marrë veten lehtë. Ecuria e eksporteve këtë vit nxjerr në pah dobësitë strukturore të ekonomisë shqiptare, tepër e varur nga shitja e lëndëve të para, që për më tepër janë të pappërpunuara dhe me pak vlerë të shtuar, duke dhënë një kontribut minimal si në punësim ashtu dhe në të ardhurat në buxhet.
Grupet e tjera janë në përmirësim, të ndjeshëm, sidomos “pijet, ushqimet e duhani” dhe “Makineri e pajisje” por pesha e tyre e vogël, në raport me totalin, bën që ato të mos kenë ndikimin në trendin e përgjithshëm të eksporteve.
Eksportet e “minerale, lëndë djegëse, energji” ranë me 24%, në 47.2 miliardë lekë. Konjuktura e pafavorshme ndërkombëtare, sidomos për naftën, është arsyeja kryesore e rënies, teksa operatorët nuk kanë interes të prodhojnë e eksportojnë, kur çmimet kanë prekur fundin. Edhe importet e energjisë janë në rënie, për shkak të rritjes së prodhimit vendas.
Eksportet e tekstile e këpucëve u rritën me 2.3% në gati 58 miliardë lekë për 8 mujorin, duke qenë grupi më i madh i eksportuar në vend me 35% të totalit (një vit më parë kryesonin lëndët djegëse e energjia me 36% të totalit). Ndonëse ky grup e ka marrë veten, pas rënies në muajt e parë të vitit, sërish ai mbetet larg rritjeve dyshifrore që u panë vitin e kaluar. Aktorët e tregut pohojnë se rritja e ndjeshme e kostove të aktivitetit po e bën këtë industri më pak konkurruese, ndërkohë që kërkesat nga partnerët e huaj nuk po mungojnë.
Materialet e ndërtimit dhe metalet u rritën me 4.5%, në 25.2 miliardë lekë. Kompania Kurum bëri të ditur se ka rritur eksportet e metaleve, për të kompensuar rënien e kërkesës në tregun e brendshëm, si rrjedhojë e krizës së ndërtimit.
Eksportet e ushqimeve, pijeve e duhan kanë shënuar rritjen më të madhe në vlerë absolute për 8 mujorin, duke u zgjeruar me gati 3 miliardë lekë, apo 31%, për të arritur në 12.5 miliardë lekë.
Edhe grupi i makinerive e pajisjeve të këmbimit vijoi rritjen, duke u zgjeruar me 42% në 7.7 miliardë lekë, si rrjedhojë e rritjes së aktiviteit të fasonit industrial. Megjithatë, në gusht, ai pa për herë të parë një rënie të lehtë me bazë vjetore.
Eksportet e “prodhime druri dhe letre” ranë me 7.3%, ndryshe nga viti i kaluar, kur ky grup kishte një performancë mjaft pozitive.
Për 8 mujorin, grupi më i eksportuar ishin tekstilet e këpucët, me 35% të totalit, ndërsa “Mineralet, Lëndët djegëse e energjia” kanë zbritur në vendin e dytë me 29% të totalit, nga 36% që zinin për të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Gusht, eksportet bien 17.6%
Në muajin Gusht 2015 eksportet e mallrave arritën vlerën 15 mld lekë, duke u ulur me 17,6 % në krahasim me Gusht 2014 dhe 32,1 % në krahasim me Korrik 2015, sipas INSTAT. Importet e mallrave në muajin Gusht 2015 arritën vlerën 40 mld lekë, duke u ulur me 10,3 % në krahasim me Gusht 2014 dhe 23,6 % në krahasim me Korrik 2015. Deficiti tregtar i këtij muaji është 25 mld lekë, duke u ulur me 5,0 % krahasuar me Gusht 2014 dhe 17,2 % në krahasim me Korrik 2015.
Ulja vjetore e eksporteve prej 17,6 % këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “Minerale, lëndë
djegëse, energji elektrike” me -17,3 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -2,7 pikë përqindje,
“Lëkurë dhe artikuj prej tyre me -0,4 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të eksporteve kanë ndikuar
pozitivisht grupet: “Ushqime, pije, duhan” me +2,1 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me +0,9 pikë
përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me +0,05 pikë përqindje.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.