Qeveritë mund të krijojnë një mjedis të përshtatshëm për të inkurajuar flukset e remitancave në sektorët prodhues të ekonomisë
Nga Forumi Ekonomik Global
Numri i njerëzve që po lëvizin në mbarë botën po shtohet gjithnjë e më shumë. Rreth 258 milionë persona jetojnë aktualisht jashtë vendit të tyre të lindjes. Arsyet pse njerëzit vendosin të largohen janë të shumta, por të gjithë ata marrin me vete në vendet ku emigrojnë kulturën e tyre, njohuritë, ambicien, etj.
Teksa përpiqen që të integrohen në jetën e vendit ku kanë emigruar, ata fitojnë njohuri dhe aftësi të reja. Dhe ata kontribuojnë në familjet dhe komunitetet e tyre në vendet e lindjes duke dërguar para. Remitancat financiare konsiderohen si një mjet i rëndësishëm zhvillimi në lidhje me emigracionin. Flukset e remitancave janë rritur gradualisht nga vitet 1990 e deri në ditët e sotme. Në vitin 2017, emigrantët dërguan rreth 466 miliardë dollarë te familjet e tyre në vendet në zhvillim. Paratë e dërguara në vendet e lindjes së emigrantëve nga jashtë janë më të qëndrueshme sesa borxhi privat dhe disa herë më të mëdha se sa ndihma ndërkombëtare për zhvillim.
Ndikimi në ekonomi
Si në nivele individuale ashtu edhe komuniteti, flukset e remitancave për familjet emigrante janë shumë të rëndësishme. Janë bërë analiza mbi ndikimin që këto flukse, kryesisht private, kanë në familje të ndryshme. Rreth 800 milionë njerëz në mbarë botën varen në mënyrë direkte nga remitancat e të afërmve dhe familjarëve të tyre jashtë vendit, sipas Fondit Ndërkombëtar për Zhvillimin e Bujqësisë (IFAD). Remitancat i nxjerrin familjet nga varfëria, përmirësojnë kushtet e shëndetit dhe të ushqyerjes, rrisin mundësitë e arsimimit për fëmijët, përmirësojnë kushtet e strehimit, nxisin sipërmarrjen dhe reduktojnë pabarazitë.
Përveç remitancave financiare, komunitetet e emigrantëve kontribuojnë edhe me “remitancat sociale” që ata sjellin në vendet e lindjes kur kthehen, si njohuritë, idetë, vlerat kulturore që i kanë marrë jashtë. Sipas një studimi të kryer nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) në vitin 2014, ndikimi i remitancave sociale u vu re kryesisht në fusha si arsimi, shëndetësia, punësimi, biznesi dhe aspektet e qeverisjes.
Ekziston një efekt më i gjerë zhvillimi, pasi përfituesit e remitancave sociale shtrihen përtej rrethit të ngushtë të të afërmve dhe miqve të emigrantëve.
Mbështetja ekonomike
Të marra së bashku, remitancat financiare dhe sociale kanë rol të rëndësishëm për të arritur objektivat e një familje, prioritetet e komunitetit dhe të zhvillimit kombëtar dhe më në përgjithësi, arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG). Megjithatë, në drejtim të nxitjes së përfitimeve të vërteta të zhvillimit të remitancave financiare dhe sociale, ka ende punë për t’u bërë.
Së pari, qeveritë mund të krijojnë një mjedis të përshtatshëm për të inkurajuar flukset e remitancave në sektorët prodhues të ekonomisë. Komunitetet e emigrantëve në shtete të ndryshme kanë qenë vazhdimisht kontribuues të rëndësishëm në zhvillimin e vendeve të tyre të lindjes përmes flukseve financiare, si remitancat, investimet, tregtia, si dhe idetë dhe vlerat kulturore. Qeveritë mund të krijojnë mjedise të qëndrueshme që nxisin angazhimin financiar dhe social të anëtarëve të diasporës me vendet e lindjes përmes stimujve dhe politikave si pushimet e taksave, produktet financiare, shkrim-leximin dhe qasjen financiare, produktet e kursimit, mundësitë e sipërmarrjes dhe skemat e thjeshta të hyrjes dhe qëndrimit.
Së dyti, kostoja e lartë e transfertave të remitancave sociale dhe financiare duhet të reduktohet. Në disa drejtime ka pasur ecuri pozitive, ku kostot e remitancave financiare kanë rënë nën 3%, për shembull në Europën Lindore dhe Azinë Qendrore.
Sipas Fondit Ndërkombëtar për Zhvillimin e Bujqësisë (IFAD), aktualisht ekzistojnë më shumë se 3,000 ofrues të shërbimeve të remitancave në mbarë botën dhe kalimi nga përdorimi i bankave tek operatorët më pak të kushtueshëm të transfertave të parave (MTOs) ka krijuar një situatë jo shumë të qartë brenda këtij sektori.
Platformat e reja si shërbimet e transfertave online, portofolat dixhitalë dhe aplikacionet e tjera për transfertat e parave, të kombinuara me teknologji të reja si kriptomonedhat, kanë rritur konkurrencën dhe transparencën në tregun e transfertave të remitancave. Megjithatë, remitancat sociale shpesh përballen me rregulloret kufizuese të emigracionit, të cilat pengojnë lëvizshmërinë midis vendeve pritëse të emigrantëve dhe vendeve të origjinës. Por ka edhe lehtësi për transferimin e remitancave sociale, si dhënia e vizave, lejet e qëndrimit, etj.
Së treti, rritja e ndërgjegjësimit, e njohurive financiare dhe aksesi ndaj shërbimeve financiare të përballueshme janë domosdoshmëri si për emigrantët në vendet ku kanë emigruar, ashtu edhe për familjarët e tyre në vendet e origjinës. Kjo gjë do t’u mundësojë emigrantëve që të bëjnë zgjedhje më të informuara në drejtim të zgjedhjes së mjeteve më të lira dhe më të sigurta të transfertave të parave në vendet e tyre të origjinës. Rrjedhimisht kjo do të mbështesë sistemet financiare në vendlindje dhe në vendet ku ata banojnë.
Së fundmi, të gjithë ne duhet t’i shohim emigrantët si agjentë që sjellin ndryshime në vendet e lindjes, të cilët mund të kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin njerëzor në nivel lokal. Nevoja për të përfshirë në mënyrë efektive emigrantët po bëhet gjithnjë e më e domosdoshme.
Një rrugë e gjatë përpara
Shkurtimisht, mbetet shumë punë për të bërë. Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Emigrimin në bashkëpunim me organizata të specializuara, shoqërinë civile, akademinë dhe sektorin privat janë përfshirë në projekte të caktuara dhe nisma që kanë qëllim përmirësimin e njohurive për përdorimin e remitancave sociale dhe financiare. Ato kanë kryer studime mbi ndikimin e remitancave në familje dhe komunitete dhe kanë punuar për të përmirësuar ndikimin e zhvillimit të remitancave, përfshirjen financiare dhe angazhimin e emigrantëve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.