Shqetësimi për lajmet e rreme në qarkullim është gjithnjë në rritje. Këtë e konfirmon një sondazh i BBC në 18 vende, sipas të cilit thuajse 8 në 10 përdorues mbeten në alarm për atë që mund të jetë e vërtetë ose false online. Pjesa më e madhe, megjithatë, janë hezitues ndaj idesë së rregullimit të internetit nga ana e qeverive.
Të dhënat e shoqërisë Globescan, që ka kryer një studim në një kampion prej 16 mijë përdoruesish nga muaji janar në prill, tregojnë se vetëm në dy vende, Kinë dhe Britani e Madhe, pjesa më e madhe e të intervistuarve, respektivisht 67 për qind dhe 53 për qind, bëjnë thirrje për një rregullim të internetit nga ana e qeverive. Më kontradiktorë janë rezultatet për grekët (84 për qind) dhe nigerianët (82 për qind). Më të shqetësuar për lajmet e rreme janë brazilianët – 92 për qind.
Ndërsa në Gjermani, që u ka shpallur luftë intensive lajmeve të rreme online, 51 për qind e personave thanë se nuk janë të shqetësuar rreth problemit në fjalë.
Rezultatet e sondazhit tregojnë një shqetësim në rritje në shprehjen publikisht të opinioneve personale online. Në të 18 vendet, objekt i të njëjtit studim, edhe në vitin 2010, 53 për qind e të anketuarve nuk e konsiderojnë të sigurt shprehjen e mendimeve. Kjo përqindje është në rritje krahasuar me 49 për qind, 7 vjet më parë. Shqetësimi ndihet më shumë në Europë dhe Amerikën e Veriut.