Fasoni pret tkurrje të aktivitetit, kursi i këmbimit dhe punonjësit probleme madhore

18/01/2020 10:02 PM 0 komente

Një nga prodhuesit më të mëdhenj të këpucës për eksport, kompania FITAL shkurtoi numrin e linjave të prodhimit nga 9 në 7 me 2019, teksa lajmëroi një ecuri të ngjashme edhe gjatë vitit 2020. Aksioneri kryesor i saj, zoti Skënder Pashai, tha se, sektori i fason është futur në rënie të lirë, duke bërë me faj për këtë situatë nënçmimin e euros dhe kërkesën e vakët në tregjet ndërkombëtare. Në çdo 1 euro të ardhur, kompania Fital ka humbje 15 cent vetëm nga kursi i këmbimit. Me raste kjo shumë tejkalon edhe normat e fitimit të kompanive.

Të njëjtin shqetësim pohoi edhe administratorja e “Donianna”, Donika Mici, e cila tha se kursi i këmbimit ka sjellë humbje të mëdha në dy vitet e fundit, teksa shtoi se 2020-a do të jetë një vit shumë i vështirë.

Pesimizmi ka përfshirë të gjitha linjat prodhuese të sektorit fason. Sektori që para dy vitesh zgjerohej me ritme dyshifrore, tani jo vetëm që nuk po rritet, por përkundrazi rënia ka nisur dhe pritet të thellohet ketë vit.

Flamur Hoxha administrator i kompanisë Kler, që prodhon kryesisht këmisha për eksport parashikon se sektori fason vitin që vjen do të performojnë me rënie dhe falimente për kompani të vogla dhe te mesme. Zoti Hoxha tha së rënia e euros ka konsumuar edhe fitimet e viteve të shkuara. Nëse do të vijojë e njëjta situatë industria do të vijojë tkurrjen edhe në 2020.

Te gjitha fabrikat e prodhimit të këpucëve dhe tekstileve për eksport kanë hyrë në një cikël rënie prej vështirësive që ka krijuar nënçmimi i euros, mungesa e fuqisë punëtorë dhe produktiviteti i ulët. Në 2 miliardë lekë shitje, 400 milionë lekë janë humbje nga kursi i këmbimit, tha Hoxha.

Hoxha tha se, kompanitë, të cilat prej dy vitesh janë përballuar me humbjet nga kursi, në 2020-n do ta kenë të vështirë të mbijetojnë në treg, ndërsa kompanitë më të mëdha nuk do të mund të bëjnë investime në teknologji dhe në zgjerim për shkak se, fitimet e tyre kanë shkuar për të mbuluar humbjet që krijoi kursi i këmbimit.
Kompania Prodyn, një operator relativisht i ri në treg, që prodhon këpucë për tregun Gjerman kryesisht, por me një rritje të madhe vitet e fundit sheh gjithashtu vështirësi. Aksionerja dhe administratorja kryesore e saj, Etleva Laro, tha sektori fason nuk do të ketë zgjerim në përgjithësi vitin që vjen. “Parashikoj më shumë vështirësi për kompanitë e vogla në lidhje me vazhdimësinë e porosive. Mendoj, që nga pikëpamja e shitjeve dhe fitimeve, do të ketë një lloj qëndrueshmërie kryesisht për kompanitë e mëdha, por jo rritje.

Laro thotë se në ambientin e jashtëm pengesat lidhen me vështirësitë e klientëve, të cilët po përballen me ulje të shitjeve. Përsa i përket ambientit të brendshëm, vështirësi do të mbetet forca e kualifikuar e punës, lëvizjet e stafit, ndikuar kjo edhe nga vala e emigrimit dhe sfida e vazhdueshme për përmirësim të produktivitetit.

“Ne si kompani do të kemi një zgjerim të vogël për shkak se do të fillojmë prodhimin për kompaninë angleze Clark`s. Për pjesën tjetër të prodhimit, fokusi do të jetë në rritjen e produktivitetit dhe ndërtimi i skuadrave të zhvillimit të produktit” tha Laro.

Pothuajse për të gjithë operatorët e sektorit, zhvlerësimi i euros do të jetë një problem për industrinë edhe në vitin 2020. Për shkak të zhvlerësimit të euros në tregun vendas, Flamur Hoxha, thotë se humbjet e eksportuesve në sektorin e fasonit llogariten nga 500-600 euro në vit për person të punësuar. Ndryshe në 2 miliardë lekë shitje 400 milionë lekë janë humbje, por kjo shumë është fitimi i dy viteve thotë Hoxha.

Më 2019 këto humbje janë përballuar nga fitimi i kompanisë, por zoti Flamur sqaron se këtë vit rezervat e fitimeve kanë shteruar, ndaj shumë kompani do të duhet të përballen me faliment.

Për vitin që vjen përveç problematikave të reja që ka krijuar kursi i këmbimit, tani fabrikat do të vuajnë edhe mungesën e burimeve njerëzore.

Një mënyrë për t’u bërë ballë humbjeve nga kursi i këmbimit, por edhe për t’u mbrojtur nga ndryshimet në tregjet e mëdha, sipas zotit Hoxha, do të ishte unifikimi në rangun e ofertës, ku të gjitha kompanitë eksportuese të sektorit të bashkëpunojnë dhe të bien dakord mbi çmimet.

Hoxha sugjeron krijimin e zonave të lira ekonomike. “Të pilotojmë një projekt me lehtësira fiskale, pasi në këtë mënyrë do të stimulonin forcën punëtore dhe do të ruanim edhe pozicionet e kompanive në treg” sugjeroi ai.

Situata është më e rëndë në bizneset fason në qytetin e Durrësit, shumica e të cilave kanë pësuar dëme materiale dhe ikje të punonjësve.

Nazmi Grori nga kompania Naber në Durrës, i cili ka në zotërim tre fabrika dhe është një nga punëdhënësit më të mëdhenj në vend, është pesimist për këtë vit. Ai nuk është i sigurt për vijimësinë e aktivitetit, pasi tërmeti i ka larguar një pjesë të fuqisë punëtore. Përveç vështirësive, që po përjeton i gjithë sektori fason, bizneset e Durrësit, ku është e përqendruar një pjesë e rëndësishme e këtij aktiviteti për shkak të afërsisë me Portin, do të duhet të luftojnë për mbijetesë, e cila pas tërmetit është bërë shumë e vështirë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of