Tashmë leximi i matësit nuk do të kryhet me sy të lirë, madje as të dhënat e sahatit nuk do të hidhen/shkruhen me dorë në PDA (Personal Digital Assistant), por përmes një sistemi të avancuar modern, falë investimit të OSHEE-së në fushën e teknologjisë.
Kompania prezantoi sot para medias, duke demonstruar formën e re të leximit të matësit në një zonë të Tiranës, e cila deri pak muaj më parë, abonentët faturoheshin afrofe.
“Jemi pikërisht në këtë zonë të Tiranë, pranë Laprakës, ku të gjithë këta banorë janë faturuar prej vitesh afrofe, madje disa nuk kishin as kontratë me OSHEE-në.
Sot që flasim, këto familje, kanë matës të rinj elektronikë. Ky ishte hapi i parë drejt formalizimit të abonentëve.
Hapi tjetër, po aq i rëndësishëm, është investimi i radhës së OSHEE-së në fushën e teknologjisë dhe informacionit. Prandaj, u bëj thirrje konsumatorëve të vijojnë t’i paguajë faturat e dritave, pasi çdo e ardhur për OSHEE-në do të kthehet në shërbim më cilësor për abonentët”, deklaroi për mediat, z.Klevis Jahaj, drejtori i Tiranës për OSHEE-në.
Sipas sistemit të avancuar, me PDA-të e reja mundësohet leximi online i matësit, përmes një pajisje, e cila i transmeton të dhënat nga matësi te PDA nëpërmjet valëve bluetooth.
Të dhënat dërgohen në serverin qendror, përpunohen dhe plotëson faturën, e cila printohet në çast nga PDA-ja.
Fatura ka formën e kuponit dhe përmban të gjitha të dhënat e nevojshme të konsumit, etj.
Pra, kemi një faturim në kohë reale dhe me këtë sistem inovator, e rëndësishme është se gabimi njerëzor (pra i lexuesit) është pothuajse zero %, pasi nuk do të shkruajë apo të hedhë të dhënat në PDA duke lexuar matësin dhe shtypë butona.
Tjetër risi është se PDA-të kanë të instaluar sistemin GPS (sistem lokalizimi) dhe pajisja nuk mund të kryejë veprime pa u ndezur GPS-ja, duke shmangur në këtë faturimin në distancë dhe lokalizimin e lexuesit në kohë reale, koha e tij e punës, efektiviteti, si dhe të tjera të dhëna në shërbim të përmirësimit të mëtejshëm të sistemit të matjes.
Aktualisht sistemi me PDA-të e reja funksionon vetëm me matësit elektronikë dhe OSHEE është angazhuar për t’i zëvendësuar të gjitha pajisjet e vjetra, pa asnjë kosto për konsumatorin!
Avantazhet/cilësitë
• Pajisje e re moderne
• Me buton dhe touch screen (% e gabimit është më e vogël)
• Me variantin bluetooth, % e gabimit është zero
• Shumë më fleksibël në përdorim (në krahasim me PDA-në e vjetër që përdorej me stylus pen)
• E shpejtë në transmetimin e të dhënave
• Foto më cilësore
• Të dhënat transmetohen në server, procesohen, ku më pas gjenerohet fatura për klientin, e cila dërgohet në PDA për printim
Historiku
• Deri në vitin 2009, matësi lexohej dhe të dhënat hidheshin shënim dorë në blloqe/fletore, ku natyrisht, % e gabimit ishte tejet i lartë
• Në vitin 2010, u vendosën në përdorim PDA-të, teknologji që bën të mundur transmetimin e të dhënave të hedhura nga lexuesi direkt në server.
• Në vitin 2014, teknologjia e PDA-ve avancoi duke futur si opsion detyrimin e fotografimit të matësit si dhe koordinatën e lexuesit (GPS)
• Në shtator 2016, OSHEE prezanton PDA-në e re moderne, e cila bën të mundur lexim online të matësit dhe printim në çast të faturës
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.