Në një tregues të riskut të lartë të perceptuar, yield-i i obligacioneve ka qenë më i lartë se ai indikativ, ndonëse kërkesa e investitorëve ka qenë e lartë…
Banka e Shqipërisë ka zhvilluar sot, për llogari të Ministrisë së Financave, ankandin për shitjen e 25 milionë euro obligacione me interes fiks.
Sipas rezultateve të ankandit, nga shuma e planifikuara janë shitur 22.6 milionë euro, pavarësisht se kërkesa e investitorëve ka qenë e lartë, mbi 30 milionë euro, ku rezulton të mos jenë pranuar ofertat konkurruese me interes të lartë.
Interesi maksimal i kërkuar arriti në 3.29%, ndërsa ai i pranuar në 3.23%, më i lartë sesa kuponi indikativ prej 3.12%, një tregues ky i riskut të lartë të perceptuar nga investitorët.
Përgjithësisht, Financat zhvillojnë ankande të bonove apo obligacioneve në euro dy herë në vit, në korrik-gusht dhe në dhjetor.
Megjithatë, burime zyrtare nga Financat pohuan se ky nuk ishte një ankand jashtë radhe dhe nuk ka lidhje me mospagesën e këstit të radhës nga FMN.
“Eshtë një ankand brenda parashikimeve të nevojave për likuiditet deri në fund të vitit, jo vetëm në monedhë të huaj. Këtu merret parasysh dhe një rezervë për çdo rast jo domosdoshmërisht vetëm për disbursimet e FMN si dhe të tjera të kushtëzuara gjithmonë futen në kalendarin e cash-floë pas realizimit”, sqaruan burimet e Financave.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.