Kompanitë që kontrollohen nga familjet shfaqen çuditërisht të forta dhe duket se do të vijojnë të jenë të tilla
‘Lucky Sperm Club’, siç parapëlqen ta quajë Warren Buffett, operon ende fuqishëm në sferat komanduese të biznesit. Në anën tjetër të Atlantikut, Ana Botin dhe Abigail Johnson, kohët e fundit, kanë pasuar me sukses etërit e tyre, duke përmbushur dy nga punët më të fuqishme në sektorin e financës, si kryetare e Banco Santander dhe shefi ekzekutiv i investimeve Fidelity, respektivisht. Dinastitë themeluese drejtojnë, apo ushtrojnë influencë të rëndësishme në disa prej shumëkombësheve më të mëdha të botës, duke filluar nga Walmart e deri te Mars, Samsung e BMW. Gjysmëshekulli më parë, ekspertët e menaxhimit prisnin që parimi trashëgimor të zbehej shpejt, për shkak të aftësisë më të madhe të firmave publike që drejtohen profesionalisht për të rritur kapitalin dhe për të tërhequr talentet më të mira. Në fakt, firmat familjare e kanë ruajtur terrenin e tyre dhe, vitet e fundit kanë rritur praninë në mesin e bizneseve globale.
Firmat që kontrollohen nga familjet aktualisht përbëjnë 19% të kompanive në Fortune Global 500, e cila vlerëson kompanitë më të mëdha në botë për shitjet. Kjo peshë është rritur nga 15% që ishte në 2005, sipas një studimi të ri nga McKinsey, një firmë konsulence (e cila përcakton firma familjare ato ku themeluesit ose familjet e të cilave zotërojnë aksionet më të mëdha, të paktën 18% të aksioneve, plus fuqinë për të emëruar drejtorin ekzekutiv). Që nga 2008-a, shitjet nga këto firma janë rritur me 7% në vit, pak më shumë se zgjerimi prej 6.2% në vit i arritur nga firmat jofamiljare në listë. McKinsey percepton se këto trende do të vazhdojnë në të ardhmen.
Kjo kryesisht për shkak të rritjes së shpejtë në ekonomitë e mëdha në zhvillim, ku pronësia familjare është norma në mesin e bizneseve të mëdha.
Që nga viti 2005, vendet që kanë rritur me ritmet më të shpejta pjesën e tyre në Fortune Global 500 janë Brazili, Kina, Rusia, Koreja e Jugut dhe Tajvani. Deri në vitin 2025, McKinsey parashikon se do të ketë më shumë se 15,000 kompani në mbarë botën me të paktën 1 miliard dollarë të ardhura vjetore, prej të cilave 37% do të jenë firma familjare në tregjet në zhvillim. Në vitin 2010, ka pasur vetëm 8,000 firma në mbarë botën të kësaj madhësie dhe vetëm 16% e tyre ishin të kontrolluara nga familjet dhe nga tregjet në zhvillim.
Rreth 85% e bizneseve prej mbi 1 miliard dollarësh në Azinë Juglindore janë biznese familjare, rreth 75% në Amerikën Latine, 67% në Indi dhe rreth 65% në Lindjen e Mesme. Kina (ku përqindja është rreth 40%) dhe Jugu i Shkretëtirës së Saharasë (35%) përfaqësojnë një pjesë relativisht të ulët të firmave familjare, sepse në të dyja rastet, shumë prej firmave të mëdha janë në pronësi të shtetit. Megjithatë, edhe në botën e pasur, firmat e mëdha familjare po sfidojnë pritshmëritë e rënies së tyre. Tendenca që themeluesit dhe trashëgimtarët e tyre ta braktisin kontrollin në duar të aksionerëve anonimë institucionalë duket se ka arritur kulmin. Nga firmat amerikane në Fortune Global 500, 15% janë familjare, vetëm pak më pak se sa në vitin 2005. Në mesin e tyre është firma familjare më e madhe në botë, Walmart, në të cilën fëmijët e themeluesit të ndjerë, Sam Walton janë ende aksionerë të mëdhenj. Djali i tij më i madh, Rob, është kryetar, djali tjetër, Jim, është gjithashtu në bord dhe motra e tyre, Alice, ka trashëguar gjithashtu një pjesë të majme. Në Europë, 40% e kompanive të mëdha të listuara në bursë kanë ende një familje kontrolluese.
Deri kohët e fundit, shumë prej ekonomive në zhvillim u mungonin tregjet e mëdha të kapitalit likuid që gëzojnë vendet e pasura. Pra, firmat lokale nuk mund të mbështeten në to për të siguruar fonde për zgjerimin, dhe në vend të kësaj varen te familjet që riinvestojnë fitimet e tyre. Teksa qasja e firmave ndaj aksioneve lokale dhe globale dhe obligacioneve të tregjeve vazhdon të përmirësohet, ekziston mundësia që të imagjinosh se kjo situatë mund të ndryshojë; pronarët e familjes mund të shfrytëzojnë mundësinë për të bërë një dalje fitimprurëse, sikundër ka ndodhur për njëfarë kohe edhe në botën e pasur. Një arsye se përse parashikimet e ekspertëve 50 vjet më parë kanë dëshmuar se kanë qenë të gabuara është se tregjet e aksioneve dhe rregullatorët kanë qenë shumë tolerantë për t’i akorduar familjeve themeluese një lloj kontrolli, pavarësisht shitjes së aksioneve të mëdha ndaj investitorëve të huaj. Një nga mënyrat se si e kanë bërë këtë është përmes kategorive të veçanta të aksioneve – një trend që kohëve të fundit është pasqyruar në një numër financimesh të firmave teknologjike: kush e di, ndoshta në të ardhmen Facebook-u do të kontrollohet nga dinastia Zuckerberg dhe Google nga klanet e Page dhe Brin.
Investitorët kanë pranuar marrëveshje të tilla sikundër çmimi për të marrë një pjesë të vogël të fitimeve të këtyre firmave, por ata rrallë e pëlqejnë diçka të tillë. Për shembull, disa investitorë institucionalë ishin të pakënaqur, kur arritja e një marrëveshjeje disa vjet më parë nga babai i saj i mundësoi z. Botin të pasonte atë në Santander menjëherë pas vdekjes së tij në shtator, edhe pse familja kishte në pronësi vetëm 2% të bankës. Përveç mundësisë për të hyrë në tregjet e kapitalit, pa humbur kontrollin, ka të paktën katër arsye të tjera se pse kaq shumë firma të mëdha kanë sfiduar pritshmëritë dhe kanë qëndruar nën kontrollin e familjes. Njëra është se ato shpesh janë produkt i një sipërmarrjeje tepër të talentuar si Sam Walton. Ndërsa themeluesit të tillë jetojnë ende dhe janë në formë, kombinimi i aftësive të tyre dhe liria që ata kanë si aksionerë kontrollues për të drejtuar, sipas rregullave të tyre, shpesh u jep një avantazh të fortë konkurrues.
Edhe pasi ata largohen, trashëgimtarët e tyre mund të mbajnë lart suksesin e firmës, thjesht duke vazhduar nën gjurmët e parimeve të suksesshme të themeluesit.
Si në rast se janë private apo publike, firmat familjare kanë gjithashtu tendencën të shpalosin një perspektivë më afatgjatë. Sikundër vë në dukje Heinrich Lihtenshtajni i shkollës së biznesit IESE në Barcelonë, kjo është e vërtetë edhe në lidhje me kompanitë publike që nuk kontrollohen nga familje, të cilat kanë tendencë të fiksohen me plotësimin e kërkesave të investitorëve për të rritur fitimet afatshkurtra, si dhe kompanitë e zotëruara nga firmat me kapital privat, që edhe pse në gjendje për të siguruar një pamje më afatgjatë se sa firmat publike, ende duhet të përmbushin dëshirat e investitorëve, të cilët dëshirojnë të shesin për pak fitim brenda pak vitesh. Firmat familjare kanë edhe më pak gjasa të futen në borxh. Një përjashtim i dukshëm, dhe një ilustrim se pse shumica e familjeve kapitaliste i frikësohen borxhit, është kolapsi i kohëve të fundit të Espírito Santo. Borxhet masive e kthyen konglomeratin financiar portugez familjar në një prej dështimeve më të mëdha të korporatave të Europës, duke e nxitur të kërkojë paketën e shpëtimit të shtetit. Hezitimi për të marrë kredi mund të kufizojë rritjen në kohë të mira, por ajo mund t’i bëjë firmat familjare më elastike kur ekzistenca shfaqet e vështirë. Ata gjithashtu kanë tendencë që të kenë marrëdhënie më të mira pune, sipas një studimi nga Holger Mueler dhe Thomas Philippon i Shkollës së Biznesit Stern në Universitetin e Nju Jorkut. Kjo ndoshta për shkak se punëtorët janë më të gatshëm t’u besojnë premtimeve se ata do të shpërblehen për shërbimet afatgjata, në rast se premtime të tilla vijnë nga familjet në vend që të vijnë nga shefat e jashtëm, të cilët mund të largohen në pak vjet. Dhe në situatat kur bizneset përpiqen të jenë sa më ekzigjentë, pronarët e familjes ka të ngjarë të jenë më të gatshëm se sa shefat e jashtëm rrogëtarë për të vepruar në mënyrë të vendosur, kur kanë të bëjnë me sindikatat, për shkak të rolit të tyre të rëndësishëm në biznes, sugjerojnë studimet. Këto janë avantazhe, veçanërisht në vendet me marrëdhënie përgjithësisht armiqësore midis punëtorëve dhe menaxhimit, thonë dy ekonomistët.
Në përgjithësi, firmat familjare shfaqin tendencën për të pasur një kulturë superiore të korporatës kundrejt atyre jofamiljare, kujton Heinz-Peter Elstrodt i McKinsey. Firma ka aplikuar indeksin e vet të ‘shëndetit organizativ’ në 114 firma familjare dhe rreth 1,200 kompani të tjera të mëdha. Firmat familjare u rritën dukshëm në kulturë, motivimin e punonjësve dhe udhëheqje, edhe pse ato mbetën pak mbrapa në risi dhe u fokusuan kryesisht brenda organizatës. Prania e një familje themeluese duket të jetë diçka e mirë për imazhin e një biznesi. Në një studim të kohëve të fundit në 12 ekonomitë e mëdha nga Edelman, firmë (e drejtuar nga familja) për marrëdhënie me publikun, 73% e njerëzve thanë se ata u besonin kompanive në pronësi të familjeve, në krahasim me 64% që besonin përgjithësisht te kompanitë publike dhe 61% besonin te të dyja si te kapitali privat ashtu dhe te firmat shtetërore. Kjo është pa dyshim arsyeja pse S.C. Johnson, një prodhues produktesh shtëpiake, ka si slogan të tij, ‘Një kompani familjare’. Ka dëshmi të një ‘efekti pozitiv familjar’ mbi performancën financiare, sipas një studimi të ri nga Cristina Cruz Serrano dhe Laura Nunez Letamendia e Shkollës së Biznesit IE në Madrid. Ato llogaritën se 1,000 euro të investuara në vitin 2001 në një portofol të firmave familjare të tregtuara publikisht në Europë, vlerësuar me kapitalizimin e tregut, do të kishte gjeneruar 3,533 euro deri në fund të dekadës, në krahasim me 2,241 euro nga një portofol i firmave jofamiljare. Diferenca është ekuivalente me 5 pikë përqindje të ardhura ekstra në vit.
Tre breza të Lucky Sperm Club
E gjithë kjo mund të jetë arsyeja se pse, me gjithë kundërshtimin e tij të Lucky Sperm Club, z. Buffett dëshiron që djali i tij, Howard ta pasojë atë si kryetar, dhe kujdestari i kulturës së firmës. Z. Buffett është një tifoz i madh i firmave familjare dhe i pëlqen t’i blejë ato: në tetor, ai bleu Van Tuyl Group, zinxhirin më të madh të përfaqësisë familjare të makinave të Amerikës. Si me LVMH dhe Kering, dy gjigantët familjarë francezë të mallrave luksoze që kanë blerë një numër të konsiderueshëm të shtëpive të modës europiane, fjalimi i z. Buffett për familjet themeluese është: në qoftë se ju doni të shiteni, por dëshironi që kultura e biznesit tuaj të ruhet, ajo do të jetë në duar të sigurta me ne. Në fund të fundit, nëse firmat e mëdha të familjes do të vazhdojnë të sfidojnë pritshmëritë e ‘vdekjes’ së tyre, kjo do të varet nga aftësia e tyre për të negociuar bazat mbi të cilat bizneset familjare kanë një prirje të veçantë ndaj themeluesit. Së pari është rreziku i konflikteve mes të afërmve. Këtë verë, për shembull, një grindje familjare e çoi gati në prag të shkatërrimit Basket Market, një zinxhir amerikan supermarketesh. Punëtorët hynë në grevë, kur shefi i tyre, Arthur T. Demoulas, u shkarkua me urdhër të kushëririt të tij, Arthur S. Demoulas. Kolapsi u shmang vetëm pas lutjeve ndaj familjes nga qeveritarët e Massachusetts dhe New Hampshire.
Asnjë çështje nuk është më toksike se sa tranzicioni nga një brez i një familjeje te tjetri. Në Indi, një grindje epike ka filluar në vitin 2002, pasi Dhirubhai Ambani, themeluesi i Reliance Industrie, vdiq pa përmendur një trashëgimtar të vetëm. Beteja mes fëmijëve të tij, Mukesh dhe Anil, çoi përfundimisht në ndarjen e grupit në dy pjesë.
Në disa raste, edhe firma të fuqishme dhe të suksesshme mund të shkatërrohen menjëherë pas një gjenerate të suksesshme. Sondazhi i Edelman konstatoi se besimi i publikut në firmat familjare bie pasi drejtimi kalon nga themeluesi në gjeneratën e ardhshme. Në mënyrë alarmuese, një studim i 2,400 firmave familjare në 40 vende botuar muajin e kaluar nga PwC, një firmë konsulence, zbuloi se vetëm 16% e tyre kishin një plan ‘të diskutuar dhe të dokumentuar’ vazhdimësie.
Familjet që performojnë më mirë janë ato të cilat e kuptojnë se interesat e tyre dhe ato të biznesit të tyre mund të ndryshojnë, dhe zbatojnë procese për të menaxhuar pasojat e këtyre diferencave, thotë John Davis nga Harvard Business School, autori i disa librave rreth firmave familjare. Disa familje janë të afta në trajnimin e brezit të ardhshëm për të punuar në firmën familjare. Illycaffé, një prodhues kafeje që aktualisht drejtohet nga anëtari i brezit të tretë të familjes Illi, ka një pakt në vendosjen e rregullave se kur Illy mund të futet në biznes: kompetenca për punën është mbi të gjitha. Perandoria e biznesit Wallenberg e Suedisë drejtohet nga brezi i pestë i familjes themeluese: dy kushërinj, Jacobs dhe Marcus Wallenberg, u përgatitën që në moshë të re për të drejtuar aspektet industriale dhe financiare të grupit respektivisht. Megjithatë, ndonjëherë fëmijët nuk dëshirojnë t’i bashkohen biznesit të familjes, ose zbulohet se nuk kanë trashëguar gjenet sipërmarrëse të themeluesit. Në këtë rast do të ishte në interes të firmës të rekrutonte një profesionist të jashtëm në drejtimin e saj, në vend të një pasardhësi ngurrues apo të paaftë, edhe në qoftë se familja mban sërish një lloj kontrolli. T’u mundësosh profesionistëve të marrin përsipër një detyrë të tillë ka vërtet logjikë. Menaxherët e talentuar kanë më shumë gjasa të bashkohen me një firmë, ku ka shans të arrijnë në krye, ose të paktën, ku atyre nuk do t’i duhet të punojnë nën një trashëgimtar të paaftë. Rreth 40% e firmave familjare të intervistuar nga PwC thanë se profesionalizimi në biznesin e tyre ishte ndër sfidat kryesore me të cilat ato do përballen në pesë vitet e ardhshme.
Edhe kur ata kanë rënë dakord të lënë një menaxher të jashtëm të drejtojë bizneset e tyre, familjet ndonjëherë e kanë të vështirë të ‘mos i fusin hundët’. Luxottica, një prodhues italian i syzeve të diellit, është drejtuar shumë mirë nga një shef ekzekutiv profesional për dhjetë vjet, por kohët e fundit e humbi atë, dhe gjashtë javë më vonë, pasardhësi i tij, thuhet se ka ndjekur opinione të ndryshme me themeluesin, Leonardo Del Vecchio, dhe gruan e tij, Nicoletta Zampillo. Edhe kur të huajt e pavarur vihen në shërbim të bordit të një kompanie të familjes, ata shpesh mund të dështojnë të japin ndikimin e duhur, thekson zoti Davis. Të jashtmit shpesh refuzojnë të përfshihen në menaxhimin e tensioneve brenda familjes dhe supozojnë se puna e tyre është thjesht të mbikëqyrin funksionimin e biznesit, kur në realitet ata mund të jenë vija e fundit e mbrojtjes kundrejt shkatërrimit të familjes që po destabilizon firmën, thotë ai. Në botën e pasur ka një kontingjent të fortë firmash, të cilat kanë demonstruar aftësi për të marrë më të mirën, si duke qenë në kontroll të familjes ashtu dhe të drejtuara në mënyrë profesionale. Megjithatë, në disa tregje në zhvillim, gjërat nuk janë aq të qarta. Shumë prej firmave të tyre të mëdha janë drejtuar nga një themelues me lidhje të forta me ata që janë në pushtet, dhe vetëm koha do ta tregojë nëse ato kanë instrumentet e duhura për t’i mbijetuar largimit të themeluesit apo regjimit. Shembujt pozitivë të Tata në Indi dhe Samsung në Korenë e Jugut sugjerojnë se është e mundur, madje edhe në vendet me një traditë të fortë të kapitalizmit klientelist, që të shfaqen firma familjare të klasit botëror, që drejtohen në mënyrë profesionale.
Teksa firmat e mëdha në tregjet në zhvillim kalojnë nga themeluesit drejt trashëgimtarëve të tyre, sfida do të jetë, ashtu sikundër ka qenë në botën e pasur, për të pajtuar nevojat dhe dëshirat e familjes me kërkesat për të drejtuar një biznes të suksesshëm.
Ata do të duhet të mësojnë se kur bëhet fjalë për çështjet e kompanisë, sikundër tha Michael Corleone te ‘Kumbari’, studimi i madh i një firme familjare, ‘Nuk është personale … është thjesht biznes’./The Economist