Editorial MONITOR / Procesi i fiskalizimit, një nga reformat më madhore, që po nis zbatimin gradualisht në vitin 2021, është një sfidë për sistemin fiskal në vend. Ministria e Financave pret që zbatimi i tij të ndikojë rritjen e të ardhurave me 2-3 pikë përqindje të Prodhimit të Brendshëm Bruto (nga 26-27% e PBB-së, që është sot).
Si çdo zhvillim teknologjik, procesi duhet përshëndetur dhe efekti i tij pritet të jetë pozitiv në afatin e mesëm, në drejtim të uljes së informalitetit, rritjes së rendimentit të mbledhjes së të ardhurave tatimore dhe lehtësitë që mund të sjellë për tatimpaguesit, për thjeshtësinë e sigurinë e procesit të faturimit.
Por, në afatin e shkurtër, procesi po shoqërohet me sfida të mëdha, të lidhura si me periudhën e vështirë që po kalon vendi, për shkak të krizës së Covid-19, ashtu dhe me paqartësitë e subjekteve, kryesisht të vogla dhe kohën e shkurtër në dispozicion për zbatimin. Nga ana tjetër, procesi shoqërohet me kosto fillestare instalimi dhe mirëmbajtje, që variojnë nga 120 e deri në 1500 euro në vitin e parë (shiko shkrimin në faqet e brendshme të revistës). Kjo mund të rrisë rezistencën e subjekteve, sidomos ato të vogla, për të investuar në krijimin e infrastrukturës së nevojshme të fiskalizimit.
Askush nuk duhet të presë që fiskalizimi, në momentin që do të arrijë të jetë tërësisht funksional, do të bëjë “mrekulli”. Ekonomia e brendshme ka probleme shumë më të thella strukturore, që nuk zgjidhen aq thjesht.
Një pengesë kryesore për rendimentin fiskal është struktura e bizneseve në Shqipëri, sipas numrit të punonjësve, dhe qarkullimi vjetor, sipas aktiviteteve ekonomike, ku një pjesë të konsiderueshme e përbëjnë mikrondërmarrjet. Shqipëria karakterizohet nga një peshë e lartë e bizneseve mikro, me 1-4 të punësuar, që përbëjnë 88% të numrit të subjekteve në vend.
Ndonëse zënë peshën kryesore sa i përket numrit të subjekteve, bizneset me 1-4 punonjës qarkullojnë vetëm 11% të të ardhurave totale nga bizneset, duke bërë që pjesa dërrmuese e sipërmarrjeve në vend të mos jenë domethënëse sa i përket mbledhjes së të ardhurave tatimore (këto biznese janë të përjashtuara në pjesën më të madhe nga taksat e tatimet, ndërsa nga 1 janari 2021, subjektet me qarkullim vjetor deri 14 milionë lekë janë përjashtuar nga tatimfitimi dhe deri në 10 milionë lekë nga TVSH). Përfshirja në fiskalizim e tyre veç do të shtojë kostot e subjekteve dhe do të ketë pak ndikim në të ardhura, ndaj ekspertët kanë kërkuar që subjektet e vogla të mos përfshihen fare.
Ndonëse ka barrën më të lartë fiskale në rajon (totali i taksave dhe kontributeve në përqindje ndaj fitimit është 36.6% për Shqipërinë, sipas Bankës Botërore), Shqipëria ka rendimentin më të ulët fiskal në rajon dhe një ndër më të ulëtit në Europë. Kjo performancë e dobët fiskale, në krahasim me Bashkimin Europian dhe vendet e tjera të Europës, krahas dominancës së mikrondërmarrjeve, lidhet me disa faktorë kryesorë:
-Së pari, me peshën e lartë që ka bujqësia në ekonominë shqiptare, me 19% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Ky sektor është informal dhe jashtë sistemit fiskal në pjesën më të madhe.
-Së dyti, me informalitetin e lartë dhe strukturën joproduktive të ekonomisë. Sipas INSTAT, tregtia është aktiviteti ekonomik që gjeneron 44% të qarkullimit vjetor, e ndjekur nga ndërtimi, me 14%. Për këtë të fundit, sfidë mbetet të punohet paralelisht për uljen e informalitetit dhe rregullimin e transaksioneve barter.
-Së treti, përjashtimet e shumta tatimore në vite dhe një sistem tatimor kompleks kanë krijuar shtigje të shumta për shmangie dhe evazion fiskal, siç është konstatuar shpesh nga raportet e Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Më shumë sesa fiskalizimi, thjeshtëzimi i sistemit tatimor dhe lufta ndaj informalitetit mbeten parakushtet kryesore për të rritur bazën e tatimpaguesve në vend, si dhe për të rritur të ardhurat buxhetore me të paktën 3-5 pikë përqindje në afatin e mesëm, duke i çuar ato në mbi 30% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Ndaj, që sistemi i ri i fiskalizimit (zbatimi i të cilit është shtyrë disa herë) të jetë efikas dhe të sjellë rezultatet e pritshme, duhet të shoqërohet (apo t’i ishte paraprirë) me një reformë tërësore për uljen e informalitetit, sidomos në sektorin e ndërtimit dhe atë të tregtisë në vend. Përndryshe mund të rrezikojë të jetë flluska e radhës në listën e reformave të mëdha, që nuk dhanë efekt në uljen e informalitetit, si përfshirja e bizneseve të vogla në TVSH, e cila dështoi me sukses, tre vjet pas fillimit të zbatimit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.