Sistemi bankar rezultoi me një fitim prej 16.8 miliardë lekësh (136 milionë euro) në vitin 2020, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, që i raporton të dhënat sipas standardeve lokale të kontabilitetit.
Në raport me vitin e mëparshëm, fitimet kanë rënë me 15%, ndërsa kanë zbritur në nivelin më të ulët që nga 2016-s.
Ndonëse një vit i vështirë, për shkak të efekteve që pandemia ka krijuar në ekonomi dhe në aftësinë paguese të kredimarrësve, sistemi banker ka shënuar një ecuri positive. Të ardhurat nga interesi u rritën lehtë me 1.2%, ndërsa shpenzimet po për interesat u tkurrën me 6.5%. si rrjedhojë të ardhurat neto nga interesi u rritën me 2.7%.
Sistemi rriti të ardhurat nga jo interesi me 12%, kryesisht si rrjedhojë e ecurisë së mirë të zërit “fitimet nga instrumentat financiarë”.
Ndonëse ecuria e bankave ka qenë positive në kahun e të ardhurave, rënia e fitimeve ka ardhur nga rritja e shpenzimeve për provigjione, një sinjal se bankat po i paraprijnë një rritje të mundshme të kredive me probleme. Të dhënat e tjera të Bankës së Shqipërisë bënë të ditur sot se Niveli i kredisë me probleme në fund të muajit dhjetor arriti në 8.11%, duke shënuar një rënie të lehtë me 0.09 pikë përqindje në krahasimin me fundin e 2019-s. Ky është niveli më i ulët në 12 vjet, që prej vitit 2008. Por, kjo rënie më shumë reflekton shtyrjen e pagesave të kësteve të kredive (për periudhën mars-korrik 2020) dhe zgjatjen deri në mars të afatit që i lejon bankat të vijojnë ristrukturimet pa i klasifikuar këto detyrime si kredi të këqija.
Lexo edhe këtë: Kreditë me probleme zbresin në 8.11%, niveli më i ulët që nga viti 2008, pritet rritja këtë vit
Shpenzimet për provigjione neto arritën në 5.4 miliardë lekë në vitin 2020, ndërkohë që për tre vjet radhazi kishin qenë negative. Pikërisht rritja e këtij zëri ndikoi në uljen e fitimeve të deklaruara të bankave.
Bankierët presin që pasojat e pandemisë në sistemin bankar do të ndihen më shumë këtë vit, kur të shihen efektet reale që ajo ka dhënë në aftësinë shlyerëse të kredimarrësve. Në kahun tjetër, sistemi është furnizuar rregullisht me likuiditetve për shkak të rritjes së ndjeshme të depozitave në periudhën e pandemisë, ndërsa ka qenë aktiv dhe në kredinë e re.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.