Misteri i dhjetëra bizneseve italiane, që janë regjistruar si biznese të vogla në Shqipëri dy-tre vitet e fundit, por që nuk kryejnë asnjë aktivitet. Një sondazh i “Monitor” me bizneset që kanë kaluar në status pasiv 5 muajt e fundit gjeti se 20% e tyre kishin pronësi italiane, që jo vetëm nuk po investojnë, por po ngrenë pikëpyetje të mëdha se pse regjistrohen në Shqipëri. Dyshimet e kontabilistëve për bizneset italiane në fushën e konsulencës
Nga Ledina Loga
Sten.Service është një prej 403 sipërmarrjeve italiane të reja të hapura gjatë 2015-s. E regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit në shkurt të atij viti, ky biznes ka kaluar automatikisht nga Tatimet në listën e subjekteve pasive, pasi nuk kanë deklaruar asnjë veprim në harkun kohor të 12 muajve. Greta, numri i së cilës ishte vendosur në të dhënat e këtij subjekti, kishte bërë shoqërimin e shtetasve italianë në zyrat QKB-së. Nga ajo ditë, nuk dinte më se çfarë bëhej me të. Greta, e punësuar asokohe në një kompani fason, ishte caktuar vetëm për të ndihmuar miqtë e klientëve të tyre italianë në çeljen e biznesit. Biznes i cili nuk do të kryente asnjë ditë veprimtari ekonomike në vend.
Në mënyrë të ngjashme, Studio Ligjore Daddario & Partners, që kishte si subjekt aktivitete në fushën e konsulencës ligjore, nuk operoi asnjë ditë në Shqipëri, mbështetur mbi faktin se nuk ka kryer asnjë deklaratë tatimore dhe të ketë dorëzuar pasqyrat financiare. Personi i kontaktit tregoi për “Monitor” se e kishte ndihmuar zotin Emanuele Daddario, administrator, me procedurat e çeljes së aktivitetit, mirëpo nuk dinte më se çfarë bëhej me të.
U zhduk pa lënë gjurmë, – tha ai.
Në pjesën më të madhe të rasteve të konstatuara, në të dhënat e deklaruara në qendrën kombëtare të biznesit, këto subjekte kanë lënë si numër kontakti studio ligjore, të cilat asistojnë bizneset me procedurat e çeljes së aktivitetit. Kështu, për subjektin Panfido Albania, u përgjigjën nga studio ligjore Haxhia dhe Hajdari, të cilët nuk kishin më asnjë kontakt me ortakët e këtij subjekti, me administrator Davide Calderan. Edhe ky biznes ka kaluar automatikisht në listën e subjekteve pasive, për mosdeklarim aktiviteti, qoftë edhe me 0, për një vit.
Studiot ligjore u përgjigjën edhe për Bazalt Line, Business-Medical-Opportunity, Servizi Marittimi Albania, Assel Albania, “Via Rroma” SH.P.K, BLU Services.r.l., të cilët për të njëjtën arsye kishin kaluar automatikisht në statusin pasiv. Të tjera kompani italiane nuk ishin të arritshme përmes telefonit.
Numri i madh i subjekteve me pronësi italiane që kishin kaluar në status pasiv u konstatua gjatë një sondazhi që “Monitor” bëri me një kampion të përzgjedhur prej 300 biznesesh nga lista e 10 mijë bizneseve që kishin kaluar në pasive në 5 muajt e fundit të vitit 2016. Përzgjedhja e subjekteve ishte rastësore, subjektet u kontaktuan me anë të telefonit dhe pyetjet ishin në lidhje me motivet e mbylljes së aktivitetit.
Në mënyrë befasuese, 18% e subjekteve që kishin kaluar në status pasiv ishin italiane dhe në pjesën më të madhe ishin pikërisht Tatimet që kishin bërë kalimin automatik, pasi këto subjekte nuk kishin deklaruar aktivitet për të paktën 12 muaj radhazi. Në përgjithësi, fusha e veprimtarisë së tyre ishte në konsulencë financiare apo ligjore.
Burime zyrtare nga Tatimet thanë se e kishin të pamundur që brenda një kohe të shkurtër të identifikonin listën e plotë dhe numrin e subjekteve italiane që kishin kaluar në status pasiv vitin e fundit.
Jo zyrtarisht mësohet se numri i madh i subjekteve italiane që regjistrohen në QKB dhe nuk kryejnë asnjë aktivitet, ka rënë në sy të Tatimeve dhe disa subjekte po ndiqen nga tatimet, por gjithsesi nuk mund të nxirret asnjë konkluzion pa vëzhguar aktivitetin e tyre, apo transaksionet bankare.
Po ndodh shpesh kohët e fundit që sipërmarrës të huaj, jo vetëm italianë, të vijnë në Shqipëri si investitorë dhe “të largohen si borxhlinj”. Një rast i tillë ishte dhe kompania Homan sh.p.k., administratori dhe ortakët e së cilës janë zhdukur, ekonomistja e së cilës thotë se vazhdimisht e marrin bankat në telefon për shkak të detyrimeve të pambyllura.
Ka dhe nga ato sipërmarrje italiane, që kanë tentuar të hapin aktivitet në Shqipëri dhe nuk u ka ecur. Augusto Accallai, në prill të 2015, regjistroi biznesin e tij, si agjent shitjeje i makinerive industriale. I pyetur nga Monitor për arsyet e pezullimit të aktiviteti ai tha se lloji i biznesit që ai kishte zgjedhur nuk ecte në tregun shqiptar. “Shqiptarët n.q.s. nuk e shohin një biznes te dikush tjetër nuk e provojnë. Vetëm në Shqipëri kam parë që të hapen dy aktivitete të njëjta në të njëjtën rrugë, apo edhe ngjitur”.
Sipas zotit Artan Xhiani, ekspert kontabël, italianët vijnë në Shqipëri, pasi e kujtojnë një parajsë, mirëpo kur gjenden këtu, përballen me një realitet tjetër. Edhe kontakti i zotit Daddario u shpreh se sipërmarrësi italian u zhgënjye shumë me klimën që gjeti në vend.
Këto nuk janë investime të huaja!
Bizneset e huaja u rritën ndjeshëm gjatë 2015-s, me 16%, krahasuar me një vit më parë, ndërkohë që 73% e tyre ishin të vogla nga 1 deri në 4 punonjës. 70% e sipërmarrjeve të huaja ishin italiane, sipas të dhënave të INSTAT.
Gjatë vitit 2015, 403 sipërmarrje të reja italiane që u çelën në Shqipëri ishin me 1-4 të punësuar (87% e totalit të sipërmarrjeve italiane të hapura atë vit), nga të cilat 369 ishin në sektorin e shërbimeve.
Të dhënat tregojnë se edhe sipërmarrjet e huaja që janë hapur të reja në 2015-n kanë qenë përgjithësisht të vogla, me 1-4 punonjës. Nga 694 sipërmarrje të reja me pronarë të huaj, që u hapën vitin e kaluar, 507 kishin më pak se 4 punonjës, apo 73%. Vetëm 43 sipërmarrje të reja të huaja, që kanë mbi 50 punonjës, janë hapur në 2015-n.
Sipas INSTAT, në total, në fund të vitit 2015 në Shqipëri kishte 2753 sipërmarrje italiane, që përbënin 46% të ndërmarrjeve të huaja në vend. 67% e subjekteve italiane janë në fushën e shërbimeve.
E dyta në listë është Greqia, me 675 biznese në total.
Ndonëse ka numrin më të madh të kompanive të huaja në Shqipëri, Italia renditet vetëm si investitori i katërt më i madh në vend, me 11% të stokut total të investimeve në fund të vitit 2015, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë. Kjo për shkak se kompanitë italiane që kanë ardhur në Shqipëri kanë qenë kryesisht të vogla, ndërsa për shkaqe të ndryshme, investitorët e mëdhenj kanë munguar. Kompani të mëdha si Enel, ndonëse kanë pasur interes, nuk kanë arritur të hyjnë në Shqipëri.
Në vitet e para të ’90-s, bizneset e parapëlyera të italianëve ishin ato të industrisë me material porositësi (fason), kryesisht në fushën e tekstileve e këpucëve. Vitet e fundit është konstatuar një rritje e ndjeshme e aktiviteteve në fushën e call center.
Por, një numër i madh po rezulton dhe nga bizneset që hapen për qëllim konsulence, por që realisht po investojnë flluska, sepse nuk kryejnë asnjë aktivitet dhe vetëm sa po rrisin artificialisht numrin e kompanive të huaja që reklamohen me të madhe që po hapen në vend. Edhe ata që kryejnë ndonjë aktivitet janë në pjesën më të madhe të vetëpunësuar, duke qenë larg konceptit të një investimi të huaj.
Skemat e dyshuara të shmangies…
Elona Lika, kontabiliste në profesion, tregoi për “Monitor” disa nga praktikat më të shpeshta që përdorin këto firma duke shfrytëzuar hapësirat ligjore. Një pjesë e madhe e subjekteve të çelura në Shqipëri shërbejnë për të justifikuar të ardhurat e gjeneruara në shtetin fqinj. Duke qenë se norma e tatimfitimit në vendin fqinj është e lartë, ato rrisin shpenzimet artificialisht, duke u faturuar nga subjektet që kanë hapur në Shqipëri.
Skemë tjetër e paraqitur nga ekspertë të fushës, të cilët kërkuan që të mbeten anonimë, është sigurimi i dokumenteve justifikues të rremë, si fatura hotelesh, bileta udhëtimesh etj. Një individ me pagë të lartë në Itali, vjen në Shqipëri dhe çel një NIPT si person fizik, dhe duke përfituar nga normat e ulëta, ai i faturon shërbime biznesit në Itali. Nga rezultatet e sondazhit, pjesë dërrmuese e këtyre subjekteve që kishin kaluar në pasiv ishin në fushën e konsulencës financiare, fiskale dhe juridike.
Një nga skemat e zbardhura është dhe blerja e aktiveve, p.sh., automjeteve, të cilat individët italianë, pasi nuk arrijnë të justifikojnë këto blerje me të ardhurat në Itali, i deklarojnë të blera me të ardhurat e gjeneruara nga bizneset në Shqipëri.
Një taktikë tjetër që janë duke ndjekur disa nga qendrat telefonike të cilat operojnë në Shqipëri është me anë të hapjes së një NIPT-i për individë të cilët janë të punësuar si persona fizikë (biznes i vogël) dhe të faturojnë kompanitë ku ata punojnë. Për kompaninë e madhe rriten artificialisht shpenzimet deri në 5 milionë lekë dhe me rritjen e shpenzimeve, ulet fitimi i tatueshëm.
Kjo skemë e shmangies së taksave po përdoret gjerësisht edhe nga individët të cilët marrin pagesa të larta në Shqipëri, duke shfrytëzuar hapësirat ligjore.
Pano Soko, ekspert i ekonomisë, tha se evazioni fiskal që kryhet në Republikën e Shqipërisë nuk është vepër penale në Republikën e Italisë. Nëse, një sipërmarrës italian thotë p.sh., se ka fituar 50 mijë euro në Shqipëri, teorikisht evazioni është kryer në Shqipëri pasi nuk ka lëshuar faturë, por kjo nuk është vepër penale në Itali, çka e bën të vështirë ndjekjen nga organet tatimore të të të dy vendeve të këtyre skemave. Verifikimi do të mund të bëhej përmes kryqëzimit të faturave në vend dhe çështja i kalon sistemit gjyqësor shqiptar.
Sondazhi me bizneset pasive
“Monitor” kreu një sondazh me subjektet të cilat kanë kaluar në statusin pasiv, ku mori një kampion përfaqësues prej 300 biznesesh nga lista e 10 mijë subjekteve që kishin kaluar në status pasiv 5 muajt e fundit. Përzgjedhja e subjekteve ishte rastësore, subjektet u kontaktuan me anë të telefonit dhe pyetjet ishin në lidhje me motivet e mbylljes së aktivitetit.
20% e tyre refuzuan të jepnin një përgjigje (ishin kryesisht bizneset e huaja ato që refuzuan t’i përgjigjen sondazhit).
Rezultatet e sondazhit:
-18% e totalit të të pyeturve rezultuan të ishin sipërmarrje të huaja
-80% e bizneseve të huaja janë sipërmarrje italiane (në raste edhe me ortakë vendas)
-79% e kompanive italiane janë të çelura në 2015-n
BOX 1
Italianët e krahasojnë Shqipërinë me Kubën për të bërë biznes
Shqipëria renditet ndër destinacionet që sugjerohen për të investuar nga sipërmarrjet italiane për vitin 2017. Është economia-italia.com që e rendit Shqipërinë në krah të destinacioneve si Kuba, Greqia, Britania e Madhe apo edhe Maroku e Tajlanda.
Për secilin prej këtyre vendeve ofrohen sugjerime dhe sektorët më tërheqës. Për Shqipërinë, një profil të detajuar (Business Atlas 2016) ka realizuar në këtë kontekst edhe Shoqata e Dhomave të Tregtisë Italiane me Jashtë. Në të thuhet se në Shqipëri ka rreth 400 kompani italiane. Perspektivat janë të favorshme dhe një nga sektorët që këshillohet është energjia, ku vlera e investimeve italiane llogaritet në rreth 3 mld euro. Projekti i gazsjellësit TAP gjithashtu vlerësohet si mundësi për kompanitë italiane, duke qenë se ka një marrëveshje mes vendeve ndërtuese.
Sektor tjetër me interes, në periudhë afatshkurtër, është edhe bujqësia, turizmi, si dhe ai i modës.
————————
Shqipëria
Të investosh në Shqipëri është e mundur në disa sektorë, si energjia, turizmi, transporti dhe mineralet. Ky vend po modernizohet edhe në sektorin e veshjeve. Mjaft mirë po ecin edhe qendrat e mirëqenies. Qeveria është duke investuar në gjallërimin e qendrave urbane.
Kostoja e punës është mjaft e ulët. Paga mesatare mujore llogaritet në rreth 300 euro. Norma e tatimit mbi fitimin është 15%.
Megjithatë, Shqipëria është një vend që ka korrupsion të lartë, spekulime, por edhe krim të organizuar. Cilido që kërkon të investojë duhet të marrë në konsideratë edhe këta faktorë. Shqipëria po bëhet në njëfarë mënyre si një lloj Kube në Mesdhe, siç ishte Kuba për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një vend ku ka shumë bukuri natyrore, me nivel të ulët taksimi e ku një sipërmarrës mendjemrephtë mund të guxojë. Një vend i duhur për të investuar në turizëm ose në aktivitete që lidhen me këtë sektor.
Kuba
Vdekja e Fidel Kastros ka shërbyer si një pikë kthese. Marrëdhëniet e reja me SHBA-në dhe hapja ndërkombëtare po shihen si mundësi investimi. Rumi dhe cigaret janë dy sektorë në lulëzim, por mund të investoni edhe duke blerë aksione tek anglezja Imperial Tobaço. Kush do të zgjedhë që të investojë në Kubë do të ndeshet me jo pak vështirësi, por do të shpërblehet nëse do të jetë i duruar, pasi priten zhvillime pozitive në 2017-n.
Greqia
Athina nuk ka dalë ende nga kriza ekonomike, megjithatë ajo ka pasur edhe një anë pozitive. Çmimet e pasurive të paluajtshme janë reduktuar dhe janë tërheqëse për investitorët. Rreth 200 mijë pasuri janë të pashitura dhe ky numër mund të rritet. Në zonat turistike, çmimet nuk kanë pësuar shumë ndryshime. Në Athinë mund të blini shtëpi 100 m2 edhe me një çmim prej 40,000 eurosh. Por, kujdes me taksat. Në Greqi ato janë të larta.
Mbretëria e Bashkuar
Investimet me origjinë të huaj janë në rritje në Britani, pavarësisht Brexit. Nuk ka shumë burokraci dhe kjo është në favor të qytetarit. Një biznes i ri mund të hapet brenda një jave. Taksimi është i favorshëm. Tregu i pasurive të paluajtshme është një mundësi e mirë.
Maroku
Për të investuar në këtë vend është e rëndësishme që të jeni mendjehapur. Është një vend i qëndrueshëm dhe është më europiani në Afrikë. Është një vend mysliman, ku feja ka rol të rëndësishëm.
Tajlanda
Është shteti me profilin më të mirë ekonomik në Azinë Juglindore. Ka një rrjet mjaft të mirë të transportit publik. Nëse vlerësoni të investoni në zona turistike mund të keni përfitime interesante. Megjithatë kini kujdes pasi ka edhe një listë aktivitetesh që janë të ndaluara, siç janë pyjet e përdorimi i imazhit të Budës.
—————————–
Skema e re e shmangies
Individët me paga të larta hapin biznese të vogla për të mos paguar TAP
Një skemë relativisht e re shmangies ndaj taksave po përhapet gjerësisht vitin e fundit, duke shfrytëzuar hapësirat ligjore. Kontabilistët pohojnë se individë me paga të larta po regjistrohen si persona fizikë (biznes i vogël) dhe faturojnë kompanitë që ata punojnë, në mënyrë që të shmangin tatimin mbi të ardhurat personale, që për pagat e larta arrin deri në 23%. Mësohet se dhe tatimet janë në dijeni të një skeme të tillë dhe po ndjekin disa raste të tilla. Janë kryesisht doktorë në spitale private, konsulentë, apo individë të tjerë me të ardhura të larta, përfshirë edhe të huaj, që duke shfrytëzuar ndryshimet ligjore të viteve të fundit po bëhen subjekt i shmangieve fiskale.
Kontabilistët shpjegojnë se aktualisht ka një diferencë të madhe mes taksimit të individëve me paga të larta dhe bizneseve të vogla.
Për pagat, që prej vitit 2014, taksimi (tatimi mbi të ardhurat personale-TAP) është progresiv. Nga zero deri në 30 mijë lekë, TAP është zero, nga 30,001 deri në 130 mijë lekë është 13% e shumës mbi 30 mijë lekë dhe nga 130 001 lekë e më lart është 23% e shumës mbi 130 mijë lekë. Norma progresive prej 23%, për pagat mbi 130 mijë lekë (rreth 930 euro) është unike në gjithë rajonin, që i taton të ardhurat nga paga mesatarisht me 9-11%. Për krahasim, Mali i Zi, që paga të larta kategorizon ato mbi 720 euro neto, i taton me 11%, nga 9% që tatohen pagat nën këtë nivel.
Në të kundërt, bizneset e vogla janë pothuajse të përjashtuara nga taksat. Që nga fundi i vitit 2015, për bizneset me xhiro deri në 5 milionë lekë, tatimi është zero, ndërsa bizneset me xhiro nga 5-8 milionë lekë, tatimi i thjeshtuar është 5%. Mbi 8 milionë lekë bizneset kategorizohen si i madh dhe paguajnë 15% tatimfitimi.
Pikërisht këto shtigje ligjore po i nxisin individët me paga të larta të gjejnë strehim si biznes i vogël.
P.sh., një individ me një pagë 300 mijë lekë në muaj (3.6 milionë lekë në vit) do të paguajë vetëm si tatim mbi të ardhurat nga paga (pa përfshirë sigurimet) rreth 52 mijë lekë në muaj (625 mijë lekë në vit). Nëse ai faturon si biznes i vogël, e vetmja gjë që paguan janë sigurimet si i vetëpunësuar, rreth 6500 lekë në muaj.
Më herët edhe bizneset e mëdha kishin paralajmëruar se heqja e taksës për bizneset e vogla po bënte që këto të fundit të mos merrnin fatura nga subjektet e mëdha, në mënyrë që të mos kalonin kufirin ku fillonin e taksoheshin, duke ndikuar negativisht në përpjekjet e tatimeve për formalizimin e bizneseve dhe përdorimin e faturave në të gjithë ciklin e tregtimit. Në kahun tjetër bizneset e mëdha filluan të copëzonin aktivitetet për të kaluar si subjekte të vogla.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.