A mund të qëndroni për 18 orë në avion?
Air New Zealand sapo ka njoftuar se nga 17 shtatori do të nisë fluturimet e para pa ndalesë midis Auckland dhe Aeroportit JFK. Me një distancë prej 8,828 milje (14,207 km), ky do të bëhet fluturimi i katërt më i gjatë në botë.
Vizitorët amerikanë do të mund të përfitojnë nga ky fluturim i drejtpërdrejtë me Zelandën e Re, e cila do të rihapet për turistët duke filluar nga 2 maji.
Ky do të bëhet fluturimi kryesor i linjës ajrore, tha CEO i Air New Zealand, Greg Foran.
“Ne kemi punuar jashtëzakonisht shumë gjatë viteve të fundit për ta bërë realitet këtë fluturim me distancë kaq të gjatë. Ai është një nga fluturimet më të gjata në botë, me pak më shumë se 16 orë për fluturimin drejt veriut dhe 17 orë e gjysmë për fluturimin drejt jugut.”
Avioni Boeing 787-9 Dreamliner i kësaj linje ajrore do të pajiset me 275 vende për pasagjerët, plus 13 “Skycouches” – rreshta me tre vende që kthehen në një divan të vogël pas ngritjes së avionit.
Ky është një debat i gjatë mes udhëtarëve: a do të preferonit ta përfundonit udhëtimin tuaj me një fluturim të vetëm, apo 17 orë qëndrimi ulur në kabinën e avionit është një kohë shumë e gjatë?
Teksa mendoni për anët pozitive dhe negative të kësaj, këtu është një listë e udhëtimeve aktuale më të gjata me avion në botë.
- Nga Auckland për në Doha – Qatar Airways
Kohëzgjatja: 16 orë 30 minuta
Distanca: 9,032 milje (14,535 km)
- Nga Perth për në Londër – Qantas
Kohëzgjatja: 16 orë 45 minuta
Distanca: 9,009 milje (14,500 km)
- Nga Londra për në Darvin – Qantas
Kohëzgjatja: 16 orë 55 minuta
Distanca: 8,620 milje (18,372 km)
- Nga San Francisko për në Singapor – United/Singapore
Kohëzgjatja: 17 orë 5 minuta
Distanca: 8,446 milje (13,592 km)
- Nga Auckland për në Dubai – Emirates
Kohëzgjatja: 17 orë 12 minuta
Distanca: 8,824 milje (14,200 km)
- Nga Dallas/Fort Worth për në Sidnej – Qantas
Kohëzgjatja: 17 orë 15 minuta
Distanca: 8,578 milje (13,805 km)
- Nga Houston për në Sidnej – United Airlines
Kohëzgjatja: 17 orë 30 minuta
Distanca: 8,596 milje (13,834 km)
- Nga Los Anxhelos për në Singapor – Singapore Airlines
Kohëzgjatja: 17 orë 50 minuta
Distanca: 8,770 milje (14,114 km)
- Nga Singapori për në Nju Jork – Singapore Airlines
Kohëzgjatja: 18 orë 7 minuta
Distanca: 9,540 milje (15,353 km)
Mund të vini re se disa nga këto udhëtime, pavarësisht distancës më të vogël të fluturimit se udhëtimet e tjera, kanë kohëzgjatje më të madhe.
Kjo ndodh për shkak se pilotët duhet të përballen edhe me kushtet e ndryshme klimatike; si për shembull erërat e forta që fryjnë në drejtim të kundërt me fluturimin nga Los Angeles për në Singapor. Kjo do të thotë se disa fluturime mund të kërkojnë më shumë kohë për t’u realizuar.
Gjeopolitika është një tjetër faktor që mund të zgjerojë rrugët e fluturimit. Pushtimi i Ukrainës nga Rusia dhe mbyllja e hapësirës ajrore që erdhi si pasojë e luftës, po shton shumë orë në kohëzgjatjet e udhëtimeve.
Për shembull, avionët e Finnair nga Finlanda për në Bangkok dhe Phuket janë ndikuar së tepërmi nga devijimi i detyruar për të fluturuar përreth Rusisë, duke sjellë pasoja në kostot e karburantit dhe për stafin e linjës ajrore, gjithashtu.