Fondi Monetar Ndërkombëtare ka lejuar qeverinë shqiptare që të ketë një borxh publik 0.4 pikë përqindjeje më të lartë sesa parashikohej në programin fillestar, sipas raportit mbi rishikimin e parë të marrëveshjes së zgjeruar me Shqipërinë dhe kërkesën për modifikimin e kritereve të performancës.
Në programin e rishikuar, borxhi publik parashikohet të arrijë në 72.1% të PBB-së, nga 71.7%, që ishte parashikimi fillestar.
Ndonëse raporti ka theksuar se konsolidimi fiskal është në rrugën e duhur, sërish “Balanca e rreziqeve ndaj perspektivës së rritjes në 2014 priret të jetë negative. Konsolidimi fiskal i pamjaftueshëm ka gjasa të minojë besimin e brishtë të investitorëve, të ndikojë në madhësinë e brendshme dhe të jashtme të borxhit publik dhe të influencojë zotërimet bankare të qeverisë. Reforma “të vakëta” strukturore mund të parandalojnë rigjallërimin në investime. Një perspektivë më e dobët se sa pritej në partnerët kryesorë tregtarë -Itali dhe Greqi – ka të ngjarë të ndikojë mbi perspektivat e rimëkëmbjes së udhëhequr nga eksporti”.
Raporti thekson se shirat e pakët mund të bëjnë që qeverisë t’i nevojiten importe energjie të garantuara në 2014-n, në nivelin e 0.3-0.6% të PBB-së. Kompensimi i pronave po kthehet gjithashtu në një shqetësim fiskal, teksa një numër pretenduesish, pasuritë e të cilëve u shpronësuan nën regjimin e komunizmit, kanë marrë vendime pozitive nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut (ECHR). Pretendimet potenciale për kthim në vlerën e tyre të plotë mund t’i tejkalojnë ndjeshëm kapacitetet e qeverisë për të paguar.
Pasi arriti kulmin në 2014, borxhi publik pritet të fillojë të zbresë gradualisht, për të arritur në 56.4% të PBB-së vetëm në vitin 2019, niveli më i ulët i pritshëm i dekadës së fundit (shih grafikun).
Objektivi për deficitin buxhetor ka mbetur i pandryshuar, në -6.7% të PBB-së, për të zbritur më pas gjatë viteve në vijim.