Nga Esmeralda Ballesha
Partneriteti duhet parë si një mënyrë ku frymëmarrja duhet të jepet jo vetëm për mbijetesë, por si një mënyrë për të jetuar më mirë
Jemi të gjithë dakord që Turizmi dhe Bujqësia janë dy nga sektorët të cilët kanë pasur zhvillim të madh në vitet e fundit por dhe dy nga sektorët ku të huaj dhe shqiptarë duan të investojnë, për shkak të potencialeve të larta që kanë këta sektorë individualisht, e veçanërisht në sinergjinë që krijohet kur investimi përfshin kombinimin e tyre në krijimin e “Agroturizmit”.
Potencialet e larta vijnë jo vetëm për shkak të kostos së ulët të fuqisë punëtorë, por dhe për arsye të cilat më shumë se të krijuara nga njeriu janë një dhuratë hyjnore, ku përmendim këtu klimën e përshtatshme, diversitetin e tokës, ujin e bollshëm, dhe mbi të gjitha gati 300 ditë diell në vit e bëjnë Shqipërinë një parajsë për këdo që dëshiron të investojë, ku duket sikur për shkak të këtyre pasurive, jemi një hap përpara vendeve të rajonit.
Por realiteti është që jo vetëm nuk jemi një hap para, por jemi shumë hapa më pas. Këtë e tregojnë jo vetëm shifrat në rënie të investitorëve të huaj, që kanë hyrë në tregun tonë vitet e fundit, ku parametrat dëshmojnë se rritja eksponenciale e përmendur nga administrata nuk është kurrkund e krahasuar me rajonin e më gjerë.
Sigurisht ka probleme në dukje që e vështirësojnë këtë proces dhe kanë impakt të drejtpërdrejtë në zhvillimin e këtyre 2 sektorëve, ku përmendim këtu: Infrastrukturën e dobët, Informalitetin e lartë, problemet me pronësinë, cilësinë dhe standardin e energjisë elektrike, subvencionet e cunguara, mungesën e një planifikimi strategjik, taksimin jo të drejtë në raport me nevojat e sektorit, TVSH dyfish më të lartë, etj.
Por le të ndalemi dhe të analizojmë faktorin e fundit, nga një studim i bërë së fundmi nga Forumi Kombëtar i Biznesit (NBF), TVSH e këtyre 2 sektorëve është totalisht e papërshtatshme dhe është një nga faktorët kyç që çon në informalitet dhe në ulje të konkurrueshmërisë në raport me rajonin.
TVSH në Turizëm
Para një muaji, qeveria mori një vendim për të reduktuar TVSH-në e turizmit nga 20% në 6%, vendim ky i cili vjen pas një premtimi 4-vjeçar të bërë nga Kryeministri aktual në bazë dhe të rekomandimit të ekipit nga Harvardi, i cili në fillim të mandatit të kësaj administrate vlerësoi se për këtë sektor, TVSH e përshtatshme do të ishte 10%.
Me masën e ndërmarrë nga qeveria, ky sektor do të jetë i vetmi që taksohet me një TVSH shumë më të ulët në krahasim me sektorët e tjerë, por që gjithashtu ka një normë të konkurrueshme dhe me rajonin, i cili ka një TVSH që luhatet midis normave nga 5% deri në 13%.
Tani i ngelet këtij sektori të tregojë përgjegjësi me tolerancën dhe mbështetjen e treguar nga qeveria, ku reduktimi pritet të ketë impakt të menjëhershëm, duke ulur kostot e operatorëve në këtë sektor e rrjedhimisht të ketë një formalizim dhe pa dyshim të jenë më tërheqës për turistët dhe investitorët.
TVSH në Bujqësi
Taksimi i sektorit të bujqësisë mbetet më i vështiri, jo vetëm pasi për një pjesë të popullatës të bërit e këtij biznesi (fermerët) është shpesh për të siguruar mbijetesën, por pasi ky mbetet një nga sektorët më informalë në ekonominë shqiptare.
TVSH në bujqësi ka qenë subjekt i ndryshimeve të shumta, ku përqasjet janë përqendruar në funksionimin e skemës fermer – industri përpunuese – tregtar, dhe me anë të saj, më në fund të mund të kishim një mbyllje të ciklit.
Në vitin 2014, pas këmbënguljeve të organizatave që përfaqësonin këtë sektor, u bë përshtatja dhe barazimi i TVSH pas një gabimi disavjeçar, i cili kishte futur në kolaps sistemin e rimbursimit të TVSH për këtë sektor.
Por operatorët e këtij sektori në atë kohë dhe tani kërkojnë gjithashtu përgjysmim të vlerës së TVSH-së, pasi jo vetëm është e nevojshme për të ulur kostot e përgjithshme, por dhe për të qenë të konkurrueshëm në treg.
Përsëri bazuar në studimin e NBF, Shqipëria është i vetmi vend në rajon e më gjerë që ka një TVSH kaq të lartë për sektorin bujqësor, ku duke filluar nga Malta, e cila ka një TVSH 0% për këtë sektor dhe deri në rastet ku në disa shtete si Austria, Italia ose Spanja arrin në nivelet e 10%, sërish shoqërohet me kompensime ose subvencione.
Bazuar në Direktivën Europiane 2006/112 / CE, datë 2016/11/28, kapitulli XII, ku po bëjmë përafrimin e legjislacionit për të plotësuar kushtet e anëtarësimit, dhe pse nuk përcaktohet norma e regjimit tatimor, është shprehur qartë që ai duhet të jetë i thjeshtuar dhe të parashikohet kompensimi.
Me një TVSH 10%, impakti i pritur do të ishte: Ulje e nivelit tё informalitetit në këtë sektor; Rritje e interesit të investitorëve të huaj për të investuar në Shqipëri dhe mbi të gjitha, nxitje shumë pozitive për zhvillimin e sektorit tё bujqësisë.
Përafrimi i TVSH do të ishte shumë më i nevojshëm në këtë moment ku diferenca me turizmin është kaq e madhe dhe sektori i agroturizmit do ta lehtësonte një iniciativë të tillë.
Dhe pse TVSH është taksa kryesore, e cila sjell të ardhura në buxhetin e shtetit, ajo në të vërtetë kthehet mbrapsht te biznesi, duke qenë kështu thjesht një instrument i procesit të formalizimit. Për këtë arsye, konkluzioni është i njëjtë, qoftë për TVSH e Turizmit, Bujqësisë ose të ndonjë sektori tjetër me nevoja specifike, administrata tatimore dhe politika fiskale duhet të bëjë analiza të veçanta për çdo sektor, ku nevojat individuale të vlerësohen me kujdes, në mënyrë që ndihmesa të jetë reciproke dhe zhvillimi i sigurt.
Partneriteti duhet parë si një mënyrë ku frymëmarrja duhet të jepet jo vetëm për mbijetesë, por si një mënyrë për të jetuar më mirë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.