Nga Ivani i Tmerrshëm e deri te Stalini dhe Vladimir Putin, sundimtarët kanë zënë prej kohësh vendin e tyre në majën e pushtetit dhe të autoritetit politik të Rusisë: Kremlinin. Por, ai është shumë më tepër sesa thjesht një simbol i fuqisë.
I rrethuar nga Sheshi i Kuq, me katedralet me kube të arta, muret e mëdha të kuqe të Kremlinit ngrihen mbi lumin Moskva.
Prej shumë kohësh, kjo ndërtesë madhështore ka qenë një pikë qendrore e historisë ruse, si dhe selia e sundimtarëve rusë.
“Kremlini është mishërimi i Rusisë, – thotë historiania britanike, Catherine Merridale. – Ai është shëmbëlltyra e pushtetit të shtetit”.
Kur presidenti rus Vladimir Putin priti disa mysafirë për bisedimet rreth krizës përpara se të fillonte lufta në Ukrainë, bota u habit kur pa presidentin francez, Emmanuel Macron, dhe kancelarin gjerman, Olaf Scholz të ulur në anën tjetër të një tavoline të bardhë, tepër të madhe dhe luksoze.
“Kremlini, – tha Merridale në një intervistë për ‘Süddeutsche Zeitung’, – është gjithashtu një teatër madhështor”.
Historia e gjatë dhe famëkeqe e Kremlinit
Si eksperte dhe historiane me shumë përvojë rreth Rusisë, e cila filloi të studionte në Kremlin rreth viteve 1980, Merridale shkroi në vitin 2014 librin “Kalaja e Kuqe” [Red Fortress], një libër i vlerësuar gjerësisht që flet për 500 vitet e pushtetit në Kremlin, nga Ivani i Tmerrshëm e deri te Vladimir Putin.
Madhështia dhe përmasat mbresëlënëse të Kremlinit kishin vetëm një qëllim: pallatet cariste të Kremlinit duhet të ishin më të mëdha dhe më imponuese se çdo gjë tjetër në Europë. Kjo ishte një arkitekturë e terrorit.
Ashtu si paraardhësit e tij, sundimtari aktual i Kremlinit, Vladimir Putin, di se si ta përdorë kompleksin në favorin e tij, duke i befasuar njerëzit e thjeshtë me “sallat vezulluese në Kremlin, me llambadarët”, thotë Merridale.
“Supozohet që ju të mbeteni me gojë hapur nga madhështia”.
Është e vërtetë që Cari Pjetri i Madh (1672-1725) e zhvendosi selinë e tij qeveritare nga Moska në Shën Peterburgun e ri në Detin Baltik. Megjithatë, Kremlini kurrë nuk e humbi tërheqjen e tij për sundimtarët e Rusisë. Udhëtari dhe diplomati francez Marquis Astolphe de Custine pa një “monument satanik”, një “frymëzim për tiranët” në kompleksin e ndërtesave të Moskës.
Custine kishte bërë një udhëtim të gjatë në Rusi në verën e vitit 1839 dhe kishte pikturuar një tablo të një regjimi autoritar.
“Despotizmi shtyp zhvillimin e lirë të njerëzve, – shkruante markezi. – Të gjithë janë shërbëtorë dhe, veçanërisht ndaj të huajve, bëhen tepër të kujdesshëm dhe të fshehtë”.
Custine i shpjegoi vëzhgimet e tij duke iu referuar imperializmit të parë carist të Rusisë. “Pjetri I dhe Katerina II i dhanë botës një mësim të madh dhe të dobishëm, për të cilin duhej të paguante Rusia; ata na treguan se despotizmi nuk është kurrë më i frikshëm sesa kur ai dëshiron të krijojë të mirën, sepse atëherë beson se mund të justifikojë veprimet më të egra”.
Nëse Custine do të kishte qenë gjallë për të komentuar luftën e Putinit në Ukrainë në vitin 2022, kritika e tij mund të kishte qenë po aq negative. Por, ndërsa markezi francez udhëtonte nëpër Rusi, ai vuri në dukje admirimin e tij për “metodën origjinale ruse të ndërtimit” të Kremlinit, që vendoste në themel nevojat e Rusisë dhe që mjeshtrit ndërtues të Rusisë duhet ta ndiqnin si shembull.
Kisha Ortodokse, gjithmonë e pranishme
Për Catherine Merridale, Kisha Ortodokse Ruse ka siguruar gjithmonë kohezionin në një Kremlin shpesh të ndarë politikisht.
Si rezultat i pushtimit mongol, udhëheqësit e federatës mesjetare të Kievan Rus – e cila shtrihej në tokat ku ndodhet Rusia, Ukraina dhe Bjellorusia e sotme – u zhvendosën në Kremlin në shekullin XIV.
Aty u ndërtua një kishë dhe më vonë do të bëhej Katedralja e Shën Mërisë me kupolë të artë, e cila bëri që Kisha Ortodokse të ishte përgjithmonë e pranishme në Kremlin.
“Putini e ka përdorur këtë lidhje për favorin e tij më mirë se çdo drejtues tjetër shteti që nga carët, – thotë Merridale. – Ai lutet publikisht, ndez qirinj, mban lidhje me patriarkun”.
Për një kohë të gjatë, Kremlini vazhdoi të ishte rezidenca e carit. Vetëm në vitin 1918, pas rrëzimit të regjimit carist dhe thyerjes së autoritetit të Kishës Ortodokse, kalaja e vjetër u bë sërish qendra e pushtetit. Më pas, atë e pushtuan bolshevikët. Dhe së shpejti, liderët komunistë nuk i harruan avantazhet e Kremlinit si një ikonë kulturore dhe si një kështjellë që mbron nga sulmet dhe vrasjet – por edhe nga pandemitë vdekjeprurëse gjatë luftës civile.
Lenini i shpëtoi kolerës dhe tifos në këtë ndërtesë, madje edhe gripit spanjoll. Ai kishte dhomën e vet personale të dezinfektimit, e cila ndodhej pranë dhomës së tij të gjumit.
“Putini mësoi shumë nga Lenini në këtë drejtim, – thotë Merridale, – sepse ai ka frikë se mos infektohet!”.
Pasardhësi i Leninit, Joseph Stalin (1878-1953), u tregua gjithashtu i kujdesshëm: Pas vrasjes së një prej ndihmësve të tij, ai u strehua atje. Nga frika e një atentati, ai i dëboi shokët e vjetër nga Kremlini. Stalini nuk i besonte më askujt. Filloi koha e spastrimeve dhe e gjyqeve të mëdha publike, një periudhë terrori.
Duke bërë të jashtëligjshme organizatën e të drejtave të njeriut Memorial, Putini po shtyp qëllimisht kujtimin e krimeve të Stalinit, thotë Merridale. Sundimtari i Kremlinit e sheh veten e tij si vazhdimësia e liderëve të mëdhenj të Rusisë, para së gjithash e Ivanit IV, ose Ivanit të Tmerrshëm dhe e Pjetrit të Madh, i cili ishte gjithashtu një tiran.
Putini e përbuz Gorbaçovin
Autokrati aktual rus nuk ka asnjë konsideratë tjetër veç përbuzjes për reformatorin Mikhail Gorbaҫov. Putin e konsideron atë përgjegjës për fundin e Bashkimit Sovjetik. Por në fakt, politika e zbutur e Hrushovit dhe glasnosti i Gorbaçovit e afruan përsëri Kremlinin me njerëzit. Pika e vërtetë e kthesës erdhi në vitin 1991: Pas përpjekjes së dështuar të grushtit të shtetit kundër Gorbaçovit dhe Boris Jelcinit, ky i fundit u zhvendos në Kremlin.
Për një periudhë të shkurtër kohore, dy presidentë të ndryshëm mbajtën detyrën paralelisht. Por, Bashkimi Sovjetik ishte tashmë histori, ndërsa Kremlini ishte bërë përsëri qendra e Rusisë. Në maj të vitit 2000, Putin u bë president për herë të parë.
Teksa kupolat e arta shkëlqejnë përgjatë lumit Moskva, kambana e bardhë e Ivanit të Madh ngrihet mbi të gjitha kishat dhe pallatet e tjera. Mbi gjithçka tjetër, valëvitet flamuri rus. Nga jashtë, Kremlini duket shumë i fuqishëm. Por nga brenda, ekziston rreziku për ta humbur totalisht veten, siç tha Merridale për “Süddeutsche Zeitung”. “Kur i ke larguar të gjithë kritikët, bëhesh i burgosur i egos tënde”.
Enturazhi përsërit vetëm atë që Putini dëshiron të dëgjojë. “Ai është njeriu më i ruajtur në Rusi. Ne nuk do të mund ta heqim qafe edhe aq shpejt”. / Deutsche Welle