Dhjetë kilometra në dalje të Kukësit, në rrugën Kukës“Shishtavec, në të djathtë, diku sipër në shpatin lindor të Gjallicës, ndodhet fshati Nimçë, i mpakur, i shkatërruar, sa vështirë ta besojë ndokush se është vendbanim për njerëz. Aty ndodhen edhe galeritë e uraniumit, që vjellin vdekje ditë për ditë që nga viti 1968. Galeritë rrjedhin pa pushim ujë të jeshiltë, ujë të helmtë. Ujë që vdes njerëz, bagëti, peshq të lumit Luma në këmbë të këtij fshati e çdo gjallesë tjetër…Toka ka rrëshqitur plotësisht dhe çdo ditë rrëshqet e rrëshqet. Shumica e njerëzve kanë ikur prej këtij vendi, duke dashur të ikin prej mallkimit. Por ata më të pamundshmit kanë mbetur, duke u kacafytur ditë e natë me vdekjen, që villet prej galerive të uraniumit, me vdekjen që s la burrë pa marrë kur mbushin moshën 45-50 vjeç. Me vdekjen që s la familje pa ia marrë 3-6-9 fëmijë. Fëmijë e jo dele! 70 njerëz nga fshati ynë nisën punën në minierën e uraniumit në fund të 1967-ës, – tregon Ferit Toshi. Punuam deri në fund të vitit 1974, kur kinezët e mbyllën minierën. Pastaj erdhi gjeofizika e Tiranës nga 1974 deri në vitin 1980.Punëtorët punonin në galeri vetëm dy vjet. Pastaj nuk i vlenin më as dreqit. Dilnin të paaftë për punë, por nuk i jepte pension askush, sepse duheshin bërë vitet e punës për pension, duheshin bërë me ligj 12 vjet e gjysmë në nëntokë si punëtor galerie… . Pështynim katran të zi, jeshile në të zezë. Të gjithë minatorët kanë vdekur 35“45 vjeç, rrallë ndonjë 50 vjeç. Asllan Hoda thotë se nga mbi 80 minatorë që kanë punuar aty, s ka mundur kush të jetë në terezi. Sot nga 80 nuk kanë mbetur gjallë as 10 minatorë. Na errej gjithçka për minuta të shumta e nuk vinim në terezi. Damarët na bëheshin si thupra shelgu. Mezi merrnim frymë kur dilnim nga galeritë. Mezi ecnim se na merreshin mendtë. Galeritë ishin 250 metra drejt e pastaj nisnin xhepat nga 100 deri në 200 metra, – tregon Feriti. Vetë Feriti ka punuar 6 vjet në minierë. Është 52 vjeç. Ka 8 fëmijë. Ka 2 dynym tokë në shkretëtirë të zotit në shpatet e Gjallicës. Nuk ka asnjë lloj pensioni, sepse s ka punuar 12 vjet e gjysmë në galeri. Ka 19 vjet punë gjithsej edhe në gjeologji. Atij që ka nxjerrë 6 vjet uranium për këtë shtet i duhet të presë moshën 65 vjeç për të dalë në pension!Kush nuk kishte dy fëmijë nuk lejohej të punonte nëpër galeritë e Nimçës. Kush punonte dy vjet dërgohej dy muaj në sanatorium në Tiranë. Kot kishte qenë ajo punë.Cili është shkaku i vdekjeve të shumta në Nimçë?!A jetohet në Nimçë? A lejohet të jetojnë njerëz aty? Është absolutisht vend e terren krejt i ndotur. Nuk ka ujë e përrua të pandotur. Aty pinë ujë njerëzit dhe bagëtitë. Bagëtitë që ushqejnë njerëzit. Ajri është i ndotur kudo në çdo pikë në rrezen mbi 100 metër.Por ende edhe sot nuk dihen matjet e sakta të rrezatimit të uraniumit aty.Në Nimçë, përveç uraniumit, ka shfaqje të mineralit të plumbit e të zinkut. Riza Selimi e Haxhi Selimi, dy inxhinierë shumë të njohur e të respektuar në krejt vendin, inxhinierë që s janë më, kanë punuar në Nimçë. Të gjithë e dinë se kanë marrë shumë rrezatim radioaktiv kur kanë punuar atje. Riza Selimi inxhinier gjeolog ka drejtuar punimet nga ana gjeologjike në Nimçë për të gjetur mineralin e plumbit dhe të zinkut. Por nga ana teknike ai drejtonte edhe punimet në galeritë e uraniumit.Ndërsa inxhinieri i minierave Haxhi Selimi drejtonte në Nimçë nga ana teknike hapjen e punimeve minerale nëntokësore edhe për nxjerrjen e uraniumit edhe për nxjerrjen e plumbit e të zinkut.Në Nimçë, s ka statistika të sakta, por 90% e vdekjeve të banorëve janë për shkak të rrezatimit të uraniumit. Qoftë nga puna nëpër galeri, qoftë nga jeta pranë galerive që vjellin përditë ujë të jeshiltë e të helmtë.Mosha mesatare është më e ulëta në Botë. Kush ka punuar nëpër galeri, nuk ka jetuar më shumë se 45 vjeç, me ndonjë përjashtim të rrallë. Ata që punonin aty merrnin antidotë (qumësht). Merrnin edhe nga 5.5 lekë në ditë shpërblim. Por lekët nuk i hanin vetë se duhej t ua dërgonin familjeve tejet të varfëra. Rroba plumbi kundër rrezatimit nuk u jepte kush. Shteti atëherë mjaftohej me kostume doku që t i kënaqte fukarenjtë.Sot, s dihet saktësisht sepse askush s tregon e askush s ka studiuar si për njerëz e shtetas të një shteti, sot pra, ka njerëz sterilë e gjysmë sterilë të mbetur të tillë nga rrezatimi i uraniumit. Nga këta minatorë kanë ardhur në jetë shumë fëmijë me të meta.Po kush i hedhë sytë nga ata njerëz shumëfish të dënuar?! Nga ata njerëz, që në fakt duhej të ishin të pasur, ose së paku të pavuajtur për bukë e banesa. Njerëz sakatë e handikapë ka shumë ndër ata, që janë gjallë. E kujdes njerëzor shtetëror për ta s ka hiç.Nimça vuan përveç rrezatimit edhe nga rrëshqitjet e tokës. Nga këto rrëshqitje, Nimçës i kanë rënë në përrua varrezat e fshatit komplet e kanë humbur varret…Shumë njerëz të mbetur gjallë, vetë kanë ikur për në zonat fushore të vendit. Por sot askush nuk e di se sa vetë kanë ikur nga fshati. Që nga viti 1985 është ndaluar ndërtimi në Nimçë nga komiteti i atëhershëm ekzekutiv, por rrugë për zhvendosje s u ka dhënë kush banorëve të Nimçës. Ali Rexhmati inxhinier për studimin e qëndrueshmërisë së tokës për ndërtime, thotë se Nimça është vend ku nuk duhet të lejohen ndërtime për banim. Shteti s po jep kredi e troje për të ikur këto 50 familje të Nimçës që kanë mbetur.Askush nuk e di se sa njerëz të sëmurë të deklaruar ka. Askush nuk e di se sa fëmijë kanë vdekur, (thonë në fshat se 18 fëmijë kanë lindur, por s kanë mundur ta shtyjnë gjatë) sa fëmijë janë sakatë e të sëmurë. Askush nuk e di se sa njerëz janë sterilë, sa çifte janë pa fëmijë… Dihet se një i sëmurë deri tani ka mundur të jetojë deri në moshën 22 vjeç, duke mbetur gjithë kohën spitaleve…Fshati s ka shkollë, s ka rrugë makine, s ka banka ku të ulen fëmijët. Ata ulen nëpër cungje lisash të prerë, s ka asnjë lloj sinjali për të parë televizion, s ka rrymë elektrike. Jeta ka dekë moti këtu or mik… e ti po e lyp ku ashtë…, më tha një banor në breg të lumit Luma, teksa shihja me sy andej nga kanë rrëshqitur varret e fshatit e kanë rënë në lumë. Andej nga u shua një varrezë. Në atë vend ku të gjallët janë të dënuar për të mos e jetuar jetën, ku janë të dënuar të mos jetojnë as çerekun e saj, në atë vend ku janë të dënuar edhe të vdekurit të mos kenë varreza, sepse toka rrëshqet e varret u humbin në lumë…
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.