Garancia sovrane, biznesi pak interes për ta përdorur

02/05/2020 10:10 PM 0 komente

Bankat tregtare në vend kanë nisur shpërndarjen e fondit të garancisë sovrane prej 11 miliardë lekësh nga paketa e parë e ndihmës financiare, kryesisht për bizneset e tregtisë, turizmit dhe fasonerisë. Por shumë biznese po ngurrojnë nga frika e shtetëzimit të biznesit, nëse nuk e shlyejnë huanë

 

Blerina Hoxha

Ilia Peri, i cili prej vitesh drejton kompaninë e prodhimit të veshjeve “Kristal” në Durrës, përfitoi nga fondi i garancisë sovrane që vuri në dispozicion qeveria shqiptare, nëpërmjet paketës së parë për bizneset që ishin në vështirësi për pagat e punonjësve. Z. Peri e arriti ta përfitojë një shumë kredie të mjaftueshme, për të paguar pagat e punonjësve për tre muaj.

Ai tha për Monitor se, huaja qe një lehtësim i madh për biznesin e tij, pasi i mundëson kompanisë të mirëmbajë fuqinë punëtore dhe të shmangë falimentin. Z. Peri tha se, pas një muaji ndërprerje, puna ka nisur me 70% të aktivitetit, duke respektuar distancat.

Por jo të gjitha bizneset kanë përfituar si z. Peri nga garancia sovrane. Kushtet për përfitimin e garancisë kërkojnë një historik të pastër krediti, që jo të gjitha bizneset në nevojë e kanë. Arben Shkodra, nga Shoqata e Prodhuesve, thotë se asnjë nga anëtarët nuk e ka përdorur deri tani këtë mekanizëm. Ai pohon se nuk po kuptohet ende mekanizimi, se si do të funksionojë.

“Është e pakuptueshme pjesa ku shteti të merr aksionet nëse nuk arrin ta shlyesh. Për më tepër që, pjesa më e madhe e bizneseve, kanë nevojë për ristrukturim të kredisë ekzistuese dhe jo një hua të re”, tha Shkodra.
Shumë biznese, edhe pse kanë nevojë të kreditohen nga fondi i garancisë, nuk po aplikojnë për shkak të frikës se, në rast mosshlyerje, shteti e konfiskon biznesin.

Qeveria miratoi me paketën e parë të muajit prill një shumë prej 11 miliardë lekësh, ose rreth 88 milionë euro, si fond garancie ndaj bankave tregtare për të kredituar pagat e bizneseve në vështirësi për tre muaj. Qeveria ka premtuar një shumë të ngjashme edhe në paketën e dytë, por ende nuk ka një vendim qeverie për ndarjen e saj. Vlera e huasë, e vënë në dispozicion nga Bankat për çdo biznes pjesëmarrës, mund të variojë në përputhje me kërkesën e paraqitur nga Biznesi, por duke mos e tejkaluar vlerën e 3 pagave mujore bruto të punonjësve të deklaruar prej
Biznesit, në përputhje me Legjislacionin Tatimor në fuqi, por në asnjë rast, vlera mujore bruto e pagës për punonjës nuk duhet të jetë më e lartë se 150 000 lekë.

Huaja duhet të kthehet për dy vite dhe me një marzh bono thesari 12-mujore, plus 0,5% interes, por asnjëherë më shumë se 2,85% interes. Por nëse kredia nuk kthehet në kohë, sipas përcaktimeve, atëherë qeveria do t’i konfiskojë këto biznese.

Bankat: Bizneset po përfitojnë nga huaja sovrane, por interesi pritej më i lartë

Bankat tregtare në vend pohuan se bizneset po përfitojnë nga fondet e garancisë sovrane, që vuri në dispozicion qeveria, sipas udhëzimeve dhe kushteve të përcaktuara në Vendimin e Këshillit të Ministrave. Burimet zyrtare nga Banka Kombëtare Tregtare treguan se, fondi i garancisë ka nisur shpërndarjen që nga java e kaluar. Aplikimet e marra po trajtohen me përparësi nga departamentet përkatëse, pohuan të njëjtat burime, duke shtuar se fondi i garancisë ka qenë i mjaftueshëm për të përballuar fluksin e kërkesës së klientëve të tyre. BKT sqaron se, kërkesa kanë ardhur nga të gjithë segmentet e biznesit, Mikro, SME dhe Korporata. Aplikimet kanë ardhur më së shumti nga bizneset që janë mbyllur, si pasojë e masave të marra nga vendimet e Qeverisë.

Këshilltarja përgjegjëse për riskun në ABI Bank, Gresa Panajoti, tha se “ritmi i kërkesave për garancinë sovrane deri tani ka qenë normal dhe jemi të sigurt që do të mund të procesohen brenda afateve të parashikuara në përputhje me termat e garancisë sovrane”.

Glenda Kurti, Drejtore e Divizionit të Korporatave, Anëtare e Komitetit Ekzekutiv të Bankës Tirana Bank, tha se banka ka në dispozicion të saj një fond garancie prej 600 milionë lekësh të akorduar nga MFE, që mund ta përdorë për këtë qëllim, ndërkohë që fondi mujor i pagave i klientëve të biznesit, të paguara nëpërmjet bankës, e tejkalon këtë shumë. Ajo tha se për këtë arsye “vlerësojmë që ky fond garancie do të përdoret brenda afatit përkatës”. Znj. Kurti tha se, deri më tani kanë marrë kërkesa nga klientë që operojnë kryesisht në fushën e tregtisë, shërbimeve dhe të prodhimit, duke përfshirë këtu fasoneri, turizëm, shitjet me pakicë, etj. Kryesisht janë biznese të vogla dhe të mesme, por shihet se ka interes edhe nga bizneset e mëdha, aktiviteti i të cilave është ndikuar ndjeshëm gjatë javëve të fundit.

Anila Hazizaj, Drejtore e Departamentit të Riskut në Credins Bank, tha se, nga kërkesat që kanë ardhur, peshën më të lartë në numër e zënë bizneset e mesme dhe në vlerë biznesi i madh (korporatat). Ndër sektorët që kanë aplikuar janë tregtia, fasoneritë dhe tregtimi i hidrokarbureve. Ajo u shpreh se përveç kësaj mase, që prej muajit mars, për të gjithë portofolin e kredisë, janë zeruar penalitetet për pagesat e kësteve në vonesë.

Ndërkohë Banka po trajton me përparësi kërkesat për kreditim të klientëve kredimarrës të cilëve nuk ju është pezulluar aktiviteti, por për shkak të kufizimeve në lëvizjen e lirë të njerëzve, iu është ulur ndjeshëm niveli i të ardhurave. Flutura Veipi, drejtore e përgjithshme e Union Bank pohon se kërkesa ka qenë më e ulët sesa pritej. “Deri tani kërkesat janë të pakta, gati 3% e limitit është në procesi aplikimi. Kur e aprovuam menduam që mund ta alokonim të gjithën, por në këto momente besoj që 30% e volumit mund ta alokohet”.

 

Prodhuesi: Nuk kemi aplikuar, frikë nga konfiskimii aksioneve

Arben Shkodra, nga Shoqata e Prodhuesve, thotë se asnjë nga anëtarët nuk e ka përdorur deri tani këtë mekanizëm. Ai pohon se nuk po kuptohet ende mekanizimi, si do të funksionojë.

Shkodra thotë se janë tre kategori kompanish:
Kategoria e parë e kompanive, që kanë një ecuri pak më të mirë, nuk kanë interes për fondin e garancisë, pasi kanë marrëdhënie direkte me bankat dhe këto të fundit, po u ofrojnë lehtësi direkte përmes kredive e overdrafteve me kushte të favorshme.

Kategoria e dytë e bizneseve, që po performojnë keq dhe nuk kanë mundësi likuiditeti, për shkak të ndërprerjes së kontratave apo vonesat në pagesa nga furnitorët dhe që kanë kredi të mëparshme. Ata gjenden para dy sfidave. Së pari, a do t’ia dalin të shlyejnë kredinë e tyre ekzistuese dhe, së dyti, çfarë do të ndodhë me analizën e riskut nga bankat, sepse këto të fundit analizojnë dhe kreditë e mëparshme.

Kategoria e tretë e kompanive, që janë të mbyllura dhe nuk e dinë se kur do të mund të hapen, pasi e ardhmja është e vështirë të parashikohet, nuk e marrin mundimin të rrezikojnë për të marrë hua nga fondi i garancisë.
Një tjetër pasiguri sjell dhe rreziku që shteti të merr aksionet nëse nuk paguan. “Shteti thotë të jap kolateralin, po nëse nuk performon mirë, të marr aksionet”, thotë Shkodra.

Nuk është i qartë procesi se si i merr aksionet, çfarë të drejtash ka, të merr aksionet e shumicës, apo pakicës, si do të vlerësohen asetet, duhet një ushtri administratorësh që të menaxhojë marrjen e kompanisë. Ai shton se Shoqata pritet t’i bëjë disa propozime qeverisë, ku në komponentin financiar, rekomandohet që shuma e parashikuar për të paguar interesa të shkojë te ristrukturimi i kredisë për huatë ekzistuese.

 

BKT: Aplikimet për garancinë, më shumë nga bizneset e mbyllura

 

Banka Kombëtare Tregtare sqaroi se, fondi i garancisë sovrane ka nisur të procesohet normalisht, duke sqaruar se aplikimet më të mëdha po vijnë nga bizneset e mbyllura.

A kanë nisur aplikimet për alokimin e fondeve që vuri në dispozicion qeveria si garanci sovrane për të kredituar bizneset në vështirësi? Nëse po, si po shkon ky proces?

Aktualisht, aplikimet për kredinë e pagave me garanci sovrane po regjistrohen dhe trajtohen nga degët tona. Procesi është ndjekur në vijimësi të udhëzimeve të Drejtorisë të Përgjithshme të BKT për trajtimin e rasteve, në përputhshmëri me marrëveshjen e nënshkruar me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.

Çfarë kushtesh specifike keni vënë për klientët tuaj që të përfitojnë nga kjo garanci, përveç atyre të përcaktuara nga Vendimi i qeverisë nr. 277, datë 6/4/2020?

Përkufizimet e VKM nr. 277, datë 06.04.2020, të shoqëruara me Marrëveshjen e Garancisë dhe informacionet sqaruese nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë kanë qenë të qarta dhe shteruese. Në këtë kuadër, BKT ka përpiluar kushtet specifike të kredisë për klientët, në përputhje me udhëzimet e institucioneve përkatëse.

Sa për qind të garancisë keni alokuar deri më tani dhe a është e mjaftueshme për të plotësuar të gjitha nevojat që kanë klientët tuaj?

Përpilimi i produktit dhe proceseve të tjera që do të ndiqen nga Banka kanë qenë në fokusin tonë deri tani. Aplikimet e marra po trajtohen me përparësi nga departamentet përkatëse dhe besojmë se gjatë kësaj javës do të disbursohen dhe kreditë e para në kuadër të kësaj garancie. Duke marrë në konsideratë volumin e pagave që kanalizohen ndërmjet bankës sonë rregullisht, kërkesat e marra nga bizneset deri tani dhe kriteret e produktit, parashikohet që shuma e garancisë e alokuar të jetë e mjaftueshme.

Cilët sektorë kanë aplikuar më së shumti dhe ku ka qenë e përqendruar kërkesa, te bizneset e vogla apo ato të mëdha?

Kërkesa kanë arritur nga të gjithë segmentet e biznesit, Mikro, SME dhe Korporata. Aplikimet ka ardhur më së shumti nga bizneset që janë mbyllur si pasojë e masave të marra nga vendimet e Qeverisë. Nuk duhen përjashtuar edhe kërkesat që kanë ardhur edhe nga bizneset e lejuara për të kryer aktivitetin, por kanë pasur rënie të konsiderueshme të të ardhurave krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

A është duke përdorur banka juaj instrumente të tjera lehtësuese kreditimi për të mbështetur klientët për përballimin e situatës?

BKT vazhdon të pranojë dhe të financojë rregullisht kërkesat e klientëve të saj për financimin e nevojave të biznesit. Ndërkohë, përveçse fondit të garancisë të bllokuar nga qeveria, BKT po bashkëpunon dhe me institucione të tjera ndërkombëtare, që ofrojnë produkte alternative në mbështetje të biznesit që është ndikuar nga pandemia COVID-19.

 

Credins Bank, Hazizaj: Kërkesa më të mëdha nga fasoneria dhe tregtia

 

Anila Hazizaj, Drejtore e Departamentit të Riskut në Credins Bank tha se, nga kërkesat që kanë ardhur, peshën më të lartë në numër e zënë SME-të, ndërsa në vlerë, Biznesi i madh (korporatat); nga sektorët kryesorë, tregtia, fasoneritë dhe tregtimi i hidrokarbureve

A kanë nisur aplikimet për alokimin e fondeve që vuri në dispozicion qeveria si garanci sovrane për të kredituar bizneset në vështirësi? Nëse po, si po shkon ky proces?

Pas nënshkrimit të marrëveshjes me MFE për garancinë sovrane, javën e kaluar, Banka Credins ka filluar menjëherë punën për përcaktimin e termave, kushteve, si dhe ngritjen e së gjithë infrastrukturës së nevojshme për fillimin e financimit të klientëve të saj me kapital qarkullues, të destinuar për pagesën e pagave të punonjësve për periudhën mars-maj 2020.

Termat specifikë të kësaj marrëveshje e kanë bërë të domosdoshme përpilimin e një procedure të posaçme për kreditimin e klientëve me garancinë e qeverisë, modifikimin e formularëve të aplikimit, kontratave të kredive dhe një sërë dokumentacioni të nevojshëm për procesin kreditues. Duke qenë se dhe Banka Credins, si çdo institucion tjetër në vend, u nënshtrohet orareve kufizuese të vendosura nga shteti dhe në kushtet kur po punohet me staf të reduktuar, finalizimi i skedës së këtij produkti specifik, në një kohë sa më të shkurtër, paraqet vështirësitë e veta.

Megjithatë, jemi në fazën finale të këtij procesi dhe parashikojmë që javën e ardhshme të nisim me kreditimin e shoqërive. Ndërkohë jemi duke pranuar aplikimet e klientëve që janë të interesuar për kredinë sovrane, po analizojmë kërkesat e tyre dhe sapo të zbardhet skeda e produktit, do të fillohet dhe me lëvrimin e fondeve në llogaritë e shoqërive kredimarrëse.

Çfarë kushtesh specifike keni venë për klientët tuaj që të përfitojnë nga kjo garanci, përveç atyre të përcaktuara nga Vendimi i qeverisë nr. 277, datë 6/4/2020?

Kushtet të cilat do të aplikohen nga banka janë kryesisht ato të përcaktuara në marrëveshjen e firmosur ndërmjet Bankës Credins dhe MFE. Megjithatë, vlen të theksohet fakti se, nga ana e bankës, po krijohen të gjitha lehtësitë e nevojshme si në drejtim të dokumentacionit të reduktuar që duhet të paraqitet nga aplikuesit, ashtu dhe në drejtim të lehtësimit të kostove që do të aplikohen për këto kredi. Padyshim që klientët të cilët aplikojnë për kredinë sovrane, duhet t’i kalojnë pagat e punonjësve pranë bankës sonë.

Sa për qind të garancisë keni alokuar deri më tani dhe a është e mjaftueshme për të plotësuar të gjitha nevojat që kanë klientët tuaj?

Mbështetur në kërkesat që janë paraqitur deri në këtë moment në Bankë, mendojmë se vlera prej 2 miliardë lekë, alokuar nga qeveria si fond garancie, është e mjaftueshme.

Cilët sektorë kanë aplikuar më së shumti dhe ku ka qenë e përqendruar kërkesa, te bizneset e vogla apo ato të mëdha?

Nga kërkesat që kanë ardhur, peshën më të lartë në numër e zë Biznesi SME ndërsa në vlerë, Biznesi i madh (korporatat). Ndër sektorët kryesorë do të veçoja atë të tregtisë, fasoneritë dhe tregtimit të hidrokarbureve.

A është duke përdorur banka juaj instrumente të tjera të lehtësuese kreditimi për të mbështetur klientët për përballimin e situatës?

Situata e krijuar për shkak të masave shtrënguese të marra nga Qeveria, në kuadër të parandalimit të pandemisë së shkaktuar nga COVID-19 patjetër që ka dhënë ndikim negativ në situatën financiare të bizneseve dhe individëve. Një ndër masat e marra nga Credins, për t’ju ardhur në ndihmë klientëve kredimarrës, ka qenë shtyrja e kësteve të kredive për periudhën mars-maj 2020.

Përveç kësaj mase, që prej muajit mars, për të gjithë portofolin e kredisë, janë zeruar penalitetet për pagesat e kësteve në vonesë. Ndërkohë banka po trajton me përparësi kërkesat për kreditim të klientëve kredimarrës të cilëve, nuk ju është pezulluar aktiviteti, por për shkak të kufizimeve në lëvizjen e lirë të njerëzve, ju është ulur ndjeshëm niveli i të ardhurave. Ky grup klientësh po ndihmohet me kapital qarkullues, për të kryer në kohë pagesat ndaj palëve të treta, rritje inventari me qëllim përmbushjen në kohë të kërkesave të klientëve, etj.

 

Abi Bank, Panajoti: Garanci sovrane po përfitojnë të gjithë sektorët

 

Këshilltarja përgjegjëse për riskun në Abi Bank, Gresa Panajoti, tha se që prej njoftimit për financim nëpërmjet garancisë sovrane, ABI Bank filloi të përgatitej për t’ju përgjigjur kërkesave të klientëve.

Një ekip i dedikuar me analistë financiarë dhe juristë të bankës proceson kërkesat, si të klientëve kredimarrës, ashtu dhe klientëve operacionalë, të cilët kanë kanalizuar deri në shkurt 2020, nëpërmjet llogarive të bankës, pagat e stafeve respektive, shpjegoi ajo.

Ritmi i kërkesave, deri tani, ka qenë normal dhe “jemi të sigurt që do të mund të procesohen brenda afateve të parashikuara, në përputhje me termat e garancisë sovrane”, u shpreh Panajoti. “Si klientët, ashtu dhe bankierët, kanë treguar bashkëpunim dhe mirëkuptim në përgatitjen dhe dorëzimin e informacionit të kërkuar sipas rregullave të kredidhënies të Bankës. Kërkesat kanë qenë nga sektorë të ndryshëm të ekonomisë, të prekur nga situata aktuale dhe vendimet e qeverisë, si dhe klientë të madhësive të ndryshme (biznes i vogël, i mesëm apo dhe i madh)”, tha Panajoti

 

Tirana Bank, Kurti: Kërkesat nga bizneset e turizmit, fasonerisë

 

Glenda Kurti, Drejtore e Divizionit të Korporatave, Anëtare e Komitetit Ekzekutiv të Bankës thotë se kërkesat për fondin e garancisë kanë ardhur nga klientë që operojnë kryesisht në fushën e tregtisë, shërbimeve dhe të prodhimit, përfshirë këtu fasoneri, turizëm, shitjet me pakicë, etj.

A kanë nisur aplikimet për alokimin e fondeve që vuri në dispozicion qeveria si garanci sovrane për të kredituar bizneset në vështirësi? Nëse po, si po shkon ky proces?

Ky instrument kreditimi, ofruar nga bankat, vlerësohet se do t’i vijë në ndihmë të përmirësimit të situatës së likuiditetit të bizneseve dhe përbën një alternativë për të zbutur efektet negative që ka shkaktuar COVID-19.
Marrëveshja e Garancisë Sovrane midis Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë (MFE) dhe Tirana Bank është nënshkruar në datën 15.04.2020 dhe produkti specifik për financimin e pagave për bizneset, aktiviteti i të cilave është prekur nga situata e krijuar nga COVID-19, ofrohet që nga kjo datë.

Sipas marrëveshjes, bankat duhet të marrin në konsideratë kërkesat për financim, të cilat paraqiten brenda afatit 30-ditor nga firmosja e saj. Gjatë javës së parë, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Garancisë, shumë klientë kanë shfaqur interes, ndërkohë që procesi i aplikimit formal paraqitet më gradual.

Për sqarim, kërkesa për financim merret në konsideratë nga ana e Bankës kur klienti ka sjellë formularin e aplikimit së bashku me dokumentet shoqëruese. Në lidhje me procesin, bankat kanë në dispozicion një afat 10-ditor që nga momenti i marrjes së kërkesës së klientit deri në momentin e lëvrimit të fondeve. Koha në dispozicion është relativisht e kufizuar, duke pasur parasysh fluksin e klientëve që mund të jenë subjekt i këtij financimi.

Çfarë kushtesh specifike keni vënë për klientët tuaj që të përfitojnë nga kjo garanci, përveç atyre të përcaktuara nga Vendimi i qeverisë nr. 277, datë 6/4/2020?

Duke qenë se ky instrument financimi është i siguruar me Garanci Sovrane, Banka jonë është treguar shumë e kujdesshme, në mënyrë që kriteret e kualifikimit të klientëve për këtë financim të jenë të njëjta me ato të përcaktuara nga MFE. Për këtë qëllim, mbetemi në komunikim të vazhdueshëm me përfaqësues të këtij institucioni, të cilët na përditësojnë (sikurse edhe Bankat e tjera) për çdo sqarim në lidhje me vendimet e autoriteteve shtetërore që kanë lidhje me këtë instrument financimi.

Sa për qind të garancisë keni alokuar deri më tani dhe a është e mjaftueshme për të plotësuar të gjitha nevojat që kanë klientët tuaj?

Duke qenë se kërkesat e para nga klientët e Bankës sonë janë marrë në fund të javës së kaluar, ne jemi duke trajtuar ende këto aplikime, ndërkohë që disbursimet e para vlerësohet që të realizohen gjatë ditëve në vijim.
Tirana Bank ka në dispozicion një fond garancie prej 600,000,000 lekësh të akorduar nga MFE që mund ta përdorë për këtë qëllim, ndërkohë që fondi mujor i pagave i klientëve të biznesit, të paguara nëpërmjet bankës sonë, e tejkalon këtë shumë. Për këtë arsye, vlerësojmë që ky fond garancie do të përdoret brenda afatit përkatës.

Cilët sektorë kanë aplikuar më së shumti dhe ku ka qenë e përqendruar kërkesa te bizneset e vogla apo ato të mëdha?

Deri më tani kemi marrë kërkesa nga klientë që operojnë kryesisht në fushën e tregtisë, shërbimeve dhe të prodhimit, përfshirë këtu fasoneri, turizëm, shitjet me pakicë, etj. Kryesisht janë biznese të vogla dhe të mesme, por shohim që ka interes edhe nga bizneset e mëdha, aktiviteti i të cilave është ndikuar ndjeshëm në javët e fundit.

A është duke përdorur banka juaj instrumente të tjera lehtësuese kreditimi për të mbështetur klientët për përballimin e situatës?

Tirana Bank ka marrë një sërë vendimesh të rëndësishme për t’u ardhur në ndihmë të gjithë klientëve që janë prekur nga kriza. Deri tani, Tirana Bank, ka marrë në konsideratë dhe proceduar me përparësi rreth 800 kërkesa për shtyrjen e kësteve të kredisë së klientëve (individë dhe biznese) të cilët kanë shfaqur vështirësi, si rezultat i krizës ekonomike shkaktuar nga përhapja e COVID-19.

Pavarësisht rrethanave, Tirana Bank ka vijuar aktivitetin e kreditimit në mbështetje të ekonomisë dhe të individëve, sigurisht me një përqasje më të kujdesshme. Gjithashtu, kemi ofruar produkte specifike financimi me kushte më të favorshme, adresuar punonjësve në fushën e mjekësisë dhe të rendit, të cilët mbeten në mënyrë të pandërprerë, të angazhuar në përballimin e situatës.

 

Flet Flutura Veipi, Drejtore e Përgjitshme e Union Bank

Presim të lëvrojmë 30% të fondit

 

Kërkesat për të përdorur fondin e parë të garancisë së qeverisë për pagat kanë qenë të ulëta nga bizneset. Flutura Veipi, drejtore e Përgjitshme e Union Bank pohon se kur e aprovuam menduan që mund ta alokonin të gjithën, por në këto momente vlerësohet që rreth 30% e volumit mund ta alokohet. Ajo shton se kryesisht ka aplikime nga biznese të vogla dhe të mesme (70% të aplikimeve), pjesa tjetër nga biznese të mëdha. Sektorët janë shërbime, prodhim, turizëm.

A kanë nisur aplikimet për alokimin e fondeve që vuri në dispozicion qeveria si garanci sovrane për të kredituar bizneset në vështirësi. Nëse po, si po shkon ky proces?

Interesi filloi menjëherë ndërkohë që firmosej kontrata me MFE dhe përgatitej procesi së brendshmi në bankë. Javën e kaluar kemi qenë gati për të procesuar kërkesat. Ka një peshë operacionale që ka të bëjë dhe indentifikimin e kredive nën këtë garanci nga të tjerat që disbursohen dhe që janë në portofolin e kredisë për të lehtësuar dhe raportimin që kërkon kontrata e garancisë.

Duhet të kemi parasysh që bankat janë në një shtesë të kostove operacionale si prej shtyrjeve të kësteve të kredisë dhe kostot shtesë operacionale në këto situata, kur kostot janë shtuar dhe përfitueshmëria e bankave ka rënë, nuk sjellin përmirësim cilësor. Do të duhet të krijohen skema që kanë shumë ndikim, por dhe janë të aplikueshme shpejt dhe pa shumë kosto shtesë.

Çfarë kushtesh specifike keni vënë për klientët tuaj që të përfitojnë nga kjo garanci, përveç atyre të përcaktuara nga Vendimi i qeverisë nr 277 datë 6/4/2020?

Asnjë kriter specifik. Klientët janë të paracaktuar se kush e përfiton, pasi duhet të kenë kryer pagesë rrogash në muajin shkurt si një nga kriteret dhe ne i identifikuam sapo u aprovuan garancia dhe u publikua në fletoren zyrtare. Në ripagesën e kredisë jemi fleksibël në kuadër të kërkesës dhe mundësive të klientit. Procesi ecën më shpejt për një klient që ka një kredi në process ripagimi, pasi vlerësimi financiar sipas kritereve të kredidhënies është i aplikuar tashmë. Për ata që nuk kanë pasur një kredi me bankën dhe ky do të jetë një proces vlerësimi i ri, jemi fokusuar që të kemi një vlerësim risku të shpejtë duke hartuar në kërkesë ndaj bizneseve prezanitimin e informacionit financiar më me vlerë në këtë situatë për një gjykim të shpejtë.

Sa për qind të garancisë keni alokuar deri më tani dhe a është e mjaftueshme për të plotësuar të gjitha nevojat që klientët tuaj kanë?

Deri tani kërkesat janë të pakta, gati 3% e limitit është në procesi aplikimi. Kur e aprovuam menduam që mund ta alokonim të gjithën, por në këto momente besoj që 30% e volumit mund ta alokohet.

Cilët sektorë kanë aplikuar më së shumti dhe ku ka qenë e përqendruar kërkesa?

Kryesisht kemi aplikime nga biznese të vogla dhe të mesme (70% të aplikimeve), pjesa tjetër nga biznese të mëdha. Sektorët janë shërbime, prodhim dhe patjeter turizëm. Besojmë që ky do të jetë trendi gjatë gjithë muajit ku do të presim aplikime. Të mos harrojmë që procesi do të kompletohet brenda 1 muaji nga momenti i firmosjes së kontratës mes bankës dhe MFE dhe është një mbështetje afatshkurtër. Ka aktivitete që nuk plotësojnë kushtet sipas kontratës, pasi janë të hapura, por nuk ka shitje, pasi nuk ka konsumatorë në lëvizje apo kërkesa për produktet e tyre nuk është jetike dhe do të komunikojmë më MFE nëse mund të përfshijmë dhe disa nga këto aktivitete nën këtë garanci.

A është duke përdorur banka juaj instrumente të tjera të lehtësuese kreditimi për të mbështetur klientët për përballimin e situatës?

Sapo kemi aprovuar 2 produkte kredie për të mbështetur klientët me nevoja të shpejta për t’u rimëkëmbur nga ndikimi i kësaj situate. Produktet janë kredi për kapital qarkullues dhe për mbështetje në mbulim të nevojave operacionale. Një nga produktet, në bashkëpunim me RCGF1, do të mund të mbështesë dhe aktivitete që nuk plotësojnë kushtet optimale për të orfruar garanci, duke krijuar mundësi që ky element të mos jetë përjashtues për aktivitete në nevojë.

Qëllimi është që të jenë procese të shpejta dhe pa burokraci, por dhe me cilësi, që do të thotë me një risk kredie të ulët konsideruar situatën që po kalojmë që nën skenarin e një rënie ekonomike këtë vit, është e vështirë të mendojmë që do të kemi një risk të ulët, por qëllimi i bankës është të jemi aktiv gjatë gjithë kohës, të mund të kreditojmë por dhe të sigurojmë vijueshmëri nëpërmjet një portfoli të shëndoshë kreditor.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of