Shoqëritë e sigurimit në Kosovë janë lehtësuar nga taksa prej 5% të primeve të shkruara bruto që duhet të paguanin. Kjo në bazë të një vendimi të Kuvendit në muajin korrik, pasi në muajin prill Gjykata Kushtetuese kishte vlerësuar si antikushtetuese edhe taksën tjetër prej 1% që shkonte për Kryqin e Kuq.
Duke qënë se taksa prej 5% nuk lidhej me fitimet e siguruesit, por me primet e shkruara bruto, ajo kishte krijuar shumë probleme financiare për shoqëritë. Sipas vlerësimeve të Shoqatë së Siguruesve të Kosovës rreth 60 milionë euro janë shpenzuar nga shoqëritë për pagesën e kësaj takse përgjatë këtyre viteve.
Ndërkohë primet e shkruara bruto për 6-mujorin e parë të vitit 2019 në tregun e sigurimeve në Kosovë arritën në 48.4 milionë euro, me një rritje prej 7.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sigurimi i Jetës u rrit me 20%, duke arritur në 1.8 milionë euro. Sigurimi i Jo-Jetës u rrit me 7.3%, duke arritur në 46.6 milionë euro. Dëmet e paguara bruto ishin 24.9 milionë euro, me një rritje prej 11.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.