Por, problemi është se “Motorola” ishte e mbetet një ndërmarrje që vuan: ka mbyllur me humbje 14 nga 16 tremujorët e fundit. E mbi të gjitha, ka dhënë prova në kohë se është mjaft e shpërndarë, duke prodhuar një numër të pafund modelesh, mbase tepër, që kanë humbur në zgjedhjen e pafund që ofron tregu. Ndaj, strategjia e “Google” është të racionalizojë biznesin, të presë degët e thata para se të fillojë të investojë me vendosmëri në shoqëri.
Por, ndërhyrja është e dhimbshme. Flitet për shkurtimin e fuqisë punëtore me rreth 20%, pothuajse e barabartë me 4 mijë punonjës: një e treta në Shtetet e Bashkuara. Por jo vetëm kaq: “Mountain View” do të mbyllë një të tretën e 94 zyrave të “Motorola”-s në botë. Këto janë ndërhyrje që bien ndesh me strategjitë tradicionale të “Google”, që kurrë më parë nuk kishte vepruar në mënyrë kaq të qartë për të sjellë në vete bilancet. E për më tepër, kur punonjësve të saj u ka rezervuar gjithmonë trajtime të favorshme. Kjo nuk do të thotë që punonjësit e “Motorola”-s konsiderohen të serisë b: por, tregu i smartphone ku “Google” do të përqendrohet është i pamëshirshëm dhe detyron lëvizje të kujdesshme për të shmangur goditjet. Sot 90% e fitimeve shkon për dy gjigandët “Apple” dhe “Samsung”, ndërsa konkurrentët nga RIM (kompania që prodhon “BlackBerry”-n) në “Nokia”, deri te “Motorola” duhet të ndajnë atë pak që mbetet. Një luftë në mes të varfërve, mund të themi, duke parë ecurinë zhgënjyese të këtyre të fundit.
Ndaj drejtuesit e “Mountain View” theksojnë nevojën që të përqendrojnë forcat në një të ardhme të afërt në një apo dy modelet kryesore të gamës, në gjendje që të mund të konkurrojnë në nivelin e shërbimeve që ofrojnë, të përmasave të ekranit, të kohëzgjatjes së baterisë dhe mbi të gjitha të tërheqjes së produktit të ardhshëm “iPhone 5”. Kjo është një sfidë jo e vogël dhe “Google” e di që nuk mjafton vetëm pushimi nga puna i disa mijëra punonjësve.
Të punosh për “Google” leverdis, edhe pas vdekjes
“Google” është një kompani e mirënjohur për trajtimin e mirë të punonjësve: ushqim të denjë në një restorant të kuzhinës së nivelit të lartë, si për drekë edhe për darkë, prerje falas të flokëve, deri në një shërbim asistence që zgjidh problemet e vogla të përditshme. Por, së fundi, kolosi i “Mountain View” i ka tejkaluar kufijtë: atëherë kur një nga 34 mijë punonjësit e saj do të kalojë në botën tjetër, ndërmarrja do të kujdeset për familjen e tij/saj dhe fëmijët. Partneri i të vdekurit merr për dhjetë vjet një çek të barabartë me gjysmën e pagës mujore, bashkë me një paketë aksionesh. E jo vetëm kaq. Nëse çifti ka fëmijë, parashikohen 1 mijë dollarë në muaj për çdonjërin, deri në moshën 19 vjeç apo 23 vjeç nëse janë studentë me kohë të plotë.
Këtë e bëri të ditur gjatë një interviste për “Forbes” shefi i personelit të “Google”. “Sigurisht, ka shpjeguar, ne nuk fitojmë asgjë”. Por, sipas tij, “është e rëndësishme që kompania të kujdeset për familjet tona, atëherë kur mund të ndodhë kjo ngjarje e tmerrshme, por e pashmangshme”. Në të vërtetë është vërejtur se mosha mesatare e punonjësve të shoqërisë është shumë e ulët. Por, jeta është e paparashikueshme e ky përfitim është sigurisht një lehtësim dhe një mbështetje jo e pakët. Madje është pikërisht një stimul për të bërë karrierë. Kush fiton më shumë, në rastin më të keq, do t’i lërë partnerit një çek më të “mbushur”.