Greqia është e vendosur të zgjasë masat e saj të bllokimit përtej fundit të nëntorit duke pasur parasysh përhapjen e Covid-19 dhe presionin mbi spitalet, paralajmëroi ministri i shëndetësisë.
“Bazuar në shifrat e epidemisë, presionin mbi sistemin kombëtar shëndetësor dhe përhapjen e virusit, është e vetëkuptueshme që masat e bllokimit nuk mund të hiqen në fund të muajit,” tha Vassilis Kikilias për mediat greke.
“Numri i rasteve të reja duhet të bjerë dhe sistemi shëndetësor duhet të marrë pak frymë … nëse duam të rimarrim gradualisht një normalitet të pjesshëm,” shtoi ai.
Vendi me rreth 11 milion banorë tani ka më shumë se 92 mijë raste të konfirmuara dhe 1,714 vdekje. Shtretërit e njësive të kujdesit intensiv po zihen me shpejtësi.
Bllokimi i dytë në të gjithë vendin, duke përfshirë mbylljen e shkollave, u vendos në fillim të muajit deri më 30 nëntor.
Të hënën, ushtria ngriti një spital në terren me më shumë se 50 shtretër në qytetin verior të Selanikut, për të mbajtur nën kontroll shtrimet në spitale. Selaniku ka qenë vatra kryesore e shpërthimit të virusit.
“Pas rritjes së shpejtë të shtrimeve, si spitalet në Selanik ashtu edhe personeli i tyre mjekësor kanë arritur kufijtë e tyre,” tha të hënën zëdhënësi i qeverisë Stelios Petsas.
“Ne bëjmë thirrjen përfundimtare: Na ndihmoni që të mund t’ju ndihmojmë. Një në dy njerëz në kujdesin intensiv do të vdesë – kuptojeni këtë,” tha Panagiotis Touchtidis, kreu i shoqatës së stafit në Spitalin Papageorgiou të Selanikut./AP