Punëtorët teknikë dhe ata të sigurimit fizik të Universitetit të Prishtinës dhe Qendrës Studentore, kanë hyrë në grevë për shkak të pagave të ulëta. Deri në plotësimin e kushteve, paralajmërojnë se nuk do ta ndërprenë grevën.
Nga dita e djeshme kanë hyrë në grevë 250 punëtorë teknikë dhe të sigurimit fizik të Universitetit te Prishtinës dhe të Qendrës Studentore
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka treguar se shkak i kësaj greve janë pagat e ulëta.
“250 punëtorët do të jenë në grevë deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Nëse nuk ka zgjidhje sot, atëherë nga nesër do të ndryshojnë strategjinë e grevës”.
Azemi ka treguar se po presin rezultate nga kjo grevë, mirëpo në qoftë se nuk ka përmirësim e rritje të pagës, sipas tij greva do të vazhdoj dhe nëse është e nevojshme punëtorët teknik të UP-së do të lirojnë vendet e punës.
Selatin Berisha, punëtor teknik ka treguar se shkaku i pagës së ultë, nuk po ia dalin t’i mbulojnë shpenzimet.
“Punën e kem ndalu kem hyrë në greve me 260 euro një njeri me ardh me punu qysh e mbulon shportën e familjes. Greva jonë është shumë e qartë, të rriten pagat diçka për punëtorë dhe nëse nuk përmbushen kërkesat tona, do shkojmë përsëri në greve, nëse është puna edhe të ndalim punën”, tha Berisha.
Kushte më të mira e pagë më të lartë po kërkon edhe Riza Shala, përfaqësues i Sindikatës Private të Kosovës.
“Po duam me i pas kushtet e barabarta me punëtoret teknik që janë në Kosove në kuadër të shtetit. Nëse nuk realizohen kërkesat, ne do të vazhdojmë kështu se jemi të diskriminuar që nga viti 2007. Kur atëherë a kanë privatizuar, kemi bërë ankesa po kot. Nëse nuk plotësohen kushtet, ne do të vazhdojmë me grevë”.
Ndryshe, në fillim të muajit shkurt edhe rreth 120 punëtorë teknikë të shkollave fillore e të mesme në kryeqytet kishin nisur grevë. Për më shumë se një vit ata po kërkonin rritjen e pagave, njëjtë si punëtorët që janë nën menaxhimin e Komunës së Prishtinës.
Por, pas disa dite grevë punëtorët teknikë të shkollave të kryeqytetit i janë kthyer punës, kjo pasi Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës kishte arritur një marrëveshje me Komunën e Prishtinës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.