Revista “Monitor” nis një rubrikë të re, me anë të së cilës shpresojmë t’u vijmë në ndihmë konsumatorëve, por jo vetëm,
për vendime të ndryshme që do t’iu duhet të marrin për shërbime e produkte që ofron tregu
Ne zgjodhëm një produkt bankar siç është kredia konsumatore me hipotekë (që disa banka e ofrojnë nën shërbimin “home equity”),
duke qenë se është një proces jo i lehtë për t’u realizuar, kërkon kohë dhe kalimin e një sërë procedurave. Vëzhgimi u krye në 6 banka të nivelit të dytë në Tiranë.
Synuam të njiheshim jo vetëm me ofertat, por edhe me mënyrën se si iu shërbejnë konsumatorëve, për të kuptuar se sa të qartë dhe transparentë janë në dhënien e informacioneve.
Krijuam profilin e konsumatorit familjar që është i interesuar për të marrë një hua me interesa të ulëta, për ta përdorur për qëllimet e veta (rinovim shtëpie, blerje makine etj) dhe që mund të vinte në dispozicion të bankës hipotekën e shtëpisë.
Supozohet se ai nuk dinte asgjë për mënyrën se si merret kjo kredi dhe ky do të ishte aplikimi i parë. Bankat që zgjodhëm për të kryer vëzhgimin ishin: “Raiffeisen Bank”, “ProCredit Bank”, “Union Bank”, BKT, “Emporiki Bank”, “Credins Bank”.
Profili
Punonjësve të kredisë iu prezantua një femër rreth të 30-ave, e cila ishte e martuar dhe me një fëmijë. Atyre iu tha se të dy bashkëshortët janë të punësuar në sektorin privat, të siguruar me të ardhura mujore që llogariten në rreth 150,000 lekë.
Bankave iu tha se interesoheshim për marrjen e një huaje në shumën rreth 15,000 euro (ose rreth 2 milionë lekë), mundësisht me një afat shlyerjeje deri në 10 vjet që do të përdorej për arredimin e apartamentit, që ishte i pajisur me hipotekë.
Secilës prej bankave iu tha se paga merrej në një bankë tjetër.
Si u pritëm
Për të marrë informacionin që na nevojitej zgjodhëm të shkonim personalisht në bankë. Te të gjitha bankat kontaktuam menjëherë me punonjësen e specializuar për kreditë. Në përgjithësi pritja ishte e përzemërt.
Vetëm në dy raste, punonjësi i bankës ndërpreu bisedimin për të komunikuar me dikë tjetër (për disa minuta), pa kërkuar ndjesë ose pa dhënë një justifikim.
Te “Raiffeisen Bank” zgjodhëm të hynim te një nga degët në afërsi të qendrës së Tiranës. Pritëm pak minuta (kohë e pranueshme) përpara se sa të uleshim përpara punonjëses së bankës.
Pasi e njohëm me kërkesën që kishim, ajo kërkoi prezencën edhe të një kolegeje tjetër, për të qenë sa më e saktë në dhënien e informacionit. Renditi disa alternativa në lidhje me kredinë,
që kishin të bënin me kushtet, monedhën dhe dokumentacionin e kërkuar. Na bëri përshtypje fakti se pas prezantimit të ofertave,
punonjësja na këshilloi që të rishikonim edhe një herë mundësitë për uljen e shpenzimeve që kishim ndërmend të kryenim (mobilimin dhe pajisjen me elektroshtëpiake të shtëpisë)
në mënyrë që të shmangnim marrjen e një kredie që kërkonte kolateral dhe për disbursimin e së cilës kërkonte më shumë kohë në dispozicion.
Te “ProCredit Bank”, punonjësja e specializuar për kredinë, gjithashtu na sugjeroi që të shikonim mundësinë për marrjen e një kredie që kërkonte një afat të shkurtër shlyerje dhe në një shumë jo shumë të lartë,
për të shmangur kolateralin, pasi shpenzimet për marrjen e saj janë të larta dhe hipoteka për ngurtësimin e pronës ka rritur çmimet.
Gjithashtu kjo punonjëse u mundua të na jepte edhe shembuj nga përvoja e saj, në mënyrë që të mos hynim në kredi për të kryer gjithë mobilimin, por vetëm për gjërat më të domosdoshme.
E nëse kishim mundësi, të tjerat mund t’i siguronim pak nga pak duke kursyer. Ishte e vetmja bankë që, pa ia kërkuar, bëri një llogaritje se sa lekë i kthenim bankës, në total, në fund të shlyerjes së kredisë.
Një këshillë e vlefshme kjo e dhënë nga “ProCredit”.
Te “Union Bank”, ndër të tjera, punonjësja na këshilloi që ta merrnim kredinë në atë monedhë që merrnim pagën, për të shmangur çdo rrezik që vinte nga kursi i këmbimit. Ajo u tregua e gatshme që të bënte çdo përllogaritje që i kërkonim.
Ishte e vetmja punonjëse që na kërkoi emrin, mbiemrin dhe një numër kontakti (celular) për të kontaktuar në çdo rast.
Te BKT, gjëja e parë që na u tha sapo formuluam kërkesën ishte se banka jepte vetëm kredi në lekë (sipas një vendimi të brendshëm) dhe e mira do të ishte që pagën ta merrnim pranë kësaj banke.
I thamë se kjo nuk ishte e mundur, pasi ne e merrnim në një bankë tjetër. Ajo që na bëri përshtypje ishte se punonjësja pyeti se çfarë produktesh dhe shërbimesh na ofronte banka ku merrnim pagat dhe me çfarë interesash.
Pasi nëse kalonim pagën te kjo bankë, atëherë do të mund të përfitonim në shumë aspekte. Pyetjet na befasuan disi dhe na u dukën pa vend, duke qenë se qëllimi i vizitës sonë kishte të bënte me një gjë krejt të ndryshme.
Te “Credins Bank” ajo që na bëri përshtypje ishte fakti se punonjësi nuk na dha informacion mbi normat e interesit që aplikoheshin në rastin e kredisë së kërkuar. Pasi, siç na u shpjegua, kjo do të vendosej nga një bord.
Në përgjithësi banka u tregua e kursyer në dhënien e informacioneve.
Te “Emporiki Bank”, informacioni ishte pjesërisht i detajuar. Punonjëses i bëri përshtypje fakti që ne e pyetëm në lidhje me penalitetet që aplikonte banka në rast vonesash në afate shlyerjeje.
Sipas saj, për herë të parë ndeshej me dikë që i kërkonte një informacion të tillë.
Ofertat
Nëse keni një kolateral (pra nëse keni një pronë me hipotekë) shanset për të marrë një kredi në shuma të larta dhe me afat të gjatë janë më të mëdha, sesa në mungesë të tij.
Kur ju mungon kolaterali, shuma që mund të merrni varion nga 700.000 deri në 1 milion.
Në këtë rast, përveç pagës suaj dhe të bashkëshortit do të keni nevojë edhe për një person tjetër që duhet t’ju dalë garant dhe që duhet të ketë të ardhura mbi 25,000 lekë.
Në rast se keni persona në ngarkim (si në rastin e prezantuar nga ne që çifti ka një fëmijë) atëherë banka në llogaritjet e saj për të ardhurat zbret edhe shpenzimet për fëmijën.
Shuma ndryshon nga banka në bankë, por mesatarisht llogaritet nga 8,000 në 10,000 lekë. Natyrisht në konsideratë merren edhe shpenzime të tjera të familjes që do t’i shohim më poshtë.
Në pjesën më të madhe, bankat sugjerojnë që kredia të merret në monedhën që merret paga, për të shmangur çdo humbje nga kursi i këmbimit.
Normat e interesit të huasë raportohen nga banka se ndryshojnë (nga çdo tre muaj në çdo një vit, në varësi në bankave).
Për çdo rast punonjësi i bankës deklaroi se huamarrësi vihet në dijeni. Disa banka, si “Union Bank”, “Raiffeisen Bank” apo “ProCredit Bank” na rekomanduam të shikonim si mundësi edhe marrjen e një kredie e cila nuk kërkonte kolateral,
në mënyrë që të shmangnim vonesat dhe kokëçarjet e tjera. Një këshillë e vlefshme e dhënë nga këto banka.
Të pyetura për kohën e disbursimit të kredisë, bankat dhanë afate të ndryshme që llogariteshin nga 2–4 javë,
vonesa që sipas tyre shkaktohen nga procesi i ngurtësimit të pronës që lihet si garanci. Bankat mbulonin nga 60 deri në 100% të shpenzimeve që do të kryheshin për apartamentin.
Kishte edhe banka ku huamarrësi nuk do të kishte të drejtë të merrte paratë, por shumat do të derdheshin në llogarinë e subjektit tregtar ku bëhej blerja.
Dy banka (“Emporiki Bank” dhe “Credins Bank”) kërkuan një preventiv të detajuar për punimet që do të kryenim, me çmimet përkatëse. Po le të shohim në mënyrë më të detajuar se çfarë na ofruan këto banka.
“Raiffeisen Bank”: Kredia për arredimin (mobilim dhe blerje pajisjesh elektroshtëpiake) e shtëpisë me kolateral (pra duke vënë apartamentin si garanci mund të merrej në dy monedha, si në lekë ashtu edhe në euro).
Afati i shlyerjes u caktua 180 muaj.
Në lekë u përcaktua shuma 2 milionë lekë. Banka e llogariti këstin mujor që duhet të shlyhet në rreth 22,000 lekë, me një normë interesi në rreth 10.5% (tribor + 2.5%). Ky këst do të vijë duke u ulur me rritjen e pagesës së principalit.
Nëse kredinë do ta merrnim në euro (15,000 euro) norma e interesit do të ishte 8% dhe kësti mujor rreth 143 euro.
Banka na tha të merrnim në konsideratë edhe marrjen e një kredie që nuk kërkonte si kusht të domosdoshëm kolateralin.
Jepej në lekë, deri në 1 milion lekë, me afat shlyerjeje deri në 7 vjet. Norma e interesit do të ishte rreth 19.7% dhe kësti mujor do të llogaritej në rreth 26,000 lekë.
Në rast disbursimi do të paguhej 2% e shumës totale.
“ProCredit Bank”: Pavarësisht se ne kërkuam një kredi në euro, na u këshillua që ta merrnim në lekë. Për një shumë 2 milionë lekë, afati i shlyerjes na u tha 5 vjet, por duke qenë se deklaruam se apartamenti ka hipotekë mund ta shlyenim për 10 vjet.
Norma e interesit do të ishte BTH (bono thesari 12 m + 7-9%), rreth 17% dhe kësti mujor do të llogaritej në rreth 35,000 lekë.
Na u sugjerua që të shikonim mundësinë për të marrë një kredi në shumë më të ulët, siç ishte ajo pa kolateral, e që jepej deri në 700,000 lekë, me afat deri në 5 vjet.
Norma e interesit u llogarit në 19% dhe kësti në 18,000, por nëse koha e shlyerjes do të reduktohej deri në 3 vjet, atëherë kësti do të llogaritej në rreth 24,000 lekë.
“Union Bank”: Na dha informacionin më të plotë në lidhje me kredinë që dëshironim të merrnim (Home Equity). Duke na ofruar llogaritje për të dy monedhat.
Kërkuam një kredi me vlerë 15,000 euro për 10 vjet kohë shlyerje. Norma e interesit (Euribor 1 v + 5.7%) u llogarit në 7.8% dhe kësti që duhet të shlyenim çdo muaj u llogarit në 180 euro.
Na u shpjegua se kësti mujor nuk duhet të kalojë 50% të të ardhurave.
Në monedhën vendase (21 milionë lekë) po për afat shlyerjeje 10 vjet, kredia e kishte normën e interesit në rreth 10.4% (BTH 1 v + 3.4%). Kësti mujor u llogarit në rreth 28,000 lekë.
Na u sugjerua se mund të merrnim kredi deri në 1 milion lekë pa kolateral, por normat e interesit ishin më të larta dhe llogariteshin 19-20%.
Në rast se do të ishim klientë të kësaj banke mund të aplikohej një ulje e lehtë në normat e interesit.
BKT: Që në fillim, punonjësja na bëri të ditur se banka nuk jep kredi në euro. Pra, monedha e vetme që mund të merrnim kredi ishte në lekë.
Për shumën 2 milionë lekë, për një afat shlyerje 10 vjet, banka aplikonte dy norma të ndryshme interesi.
Nëse ne do të bënim sigurimin e jetës, kjo normë do të llogaritej në BTH + 4%, pra në rreth 11.2%, por nëse ne nuk dëshironim të bënim sigurimin e jetës, atëherë norma e interesit do të llogaritej
BTH + 4.5%, pra në rreth 11.7%. Në rastin e parë, kësti mujor do të llogaritej në afërsisht 27,000 lekë.
“Credins Bank”: Edhe kjo bankë na tha se nuk jepte kredi në euro.
Për shumën 1.5 milionë lekë, me afat 120 muaj, duhet të paguanim një këst që llogaritej në rreth 22,000 lekë në muaj.
Punonjësja nuk na njohu me normat e interesit, pasi ato do të vendoseshin nga bordi i kredisë, nëse ajo do të miratohej, pas këqyrjes së plotë të dokumentacionit që do të dërgonim.
“Emporiki Bank”: Te kjo bankë kredinë mund ta merrnim si në euro ashtu edhe në lekë. Për shumën 15,000 euro, afati maksimal i shlyerjes ishte 5 vjet dhe norma e interesit llogaritej në rreth 10.5% (Euribor 12 m + 8.7%) dhe kësti mujor në 323 euro.
Ndërsa për shumën 2 milionë lekë, afati i shlyerjes ishte po 5 vjet, norma e interesit 12.5% (BTH 12 m + 5.6%) dhe kësti mujor në 45,100 lekë.
Na u tha se për disbursimin e kredisë duhet të hapnim llogari në atë bankë ku duhet të depozitonim 185 euro për të mbuluar shpenzimet e analizës së kredisë dhe vlerësimit të pronës.
Nga këto, 35 euro, në rast se kredia nuk aprovohej, nuk i kthehen mbrapsht klientit. Pra, të gjitha shpenzimeve që duhet të kryhen për procedurat e aplikimit iu shtohet edhe kjo shumë. Një vendim aspak i drejtë.
Përfundimi
Është disi e vështirë për të përcaktuar se cila bankë do të ishte fituesja në këtë rast, por mund të përmendim dy,
“Union Bank” për informacionin tejet të plotë që na ofroi dhe “Raiffeisen Bank” për asistencën dhe sugjerimet në ndihmë të vendimmarrjes.
Ajo që u vu re te pothuajse të gjitha bankat kishte të bënte me kërkesën për të ndryshuar vendin ku merrej paga.
Në të gjitha rastet na u tha se, nëse zgjidhej banka e tyre, atëherë marrja e kredisë do të ishte më e lehtë.
Shumë pak banka nuk aplikonin komision për hapjen e llogarisë ku duhej të disbursoje këstet mujore.
Megjithëse pranohej edhe forma cash. Ajo që mund të themi është se në përgjithësi,
bankat u prirën të jepnin ndihmën e duhur, por nuk mungoi edhe informacioni i munguar. Disa banka kanë shtuar së tepërmi dokumentacionin që duhet të përgatitet për aplikimin për kredi,
duke kërkuar vërtetim penaliteti, atë të sigurimeve shoqërore (që gjendet lehtësisht te karta e identitetit), por edhe vërtetime nga Përmbarimi.
Madje në disa raste, klienti duhet të paguajë edhe tarifën prej 100 lekësh për nxjerrjen e informacionit nga regjistri i Bankës së Shqipërisë.
Për të mos folur më pas për listën e gjatë të shpenzimeve që duhet të përballohen e që llogariten diku te 500 euro. Një shumë aspak e vogël.
Duhet të sqarojmë se ky informacion pasqyron vetëm të dhënat që u mblodhën në terren nga kontakti i drejtpërdrejtë me punonjësin e specializuar të çdo banke.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.