Hapet thirrja për aplikime për projekte në fushën e ndihmës juridike parësore për 12 organizatat jofitimprurëse të autorizuara nga ministri i Drejtësisë.
Në kërkesën për hapjen e procedurave të financimit të botuar në Fletoren Zyrtare përcaktohet se thirrja do të qëndrojë e hapur nga 1 mars deri 15 prill 2021. Shuma maksimale e projektit do të jetë 8 milionë lekë.
Çdo organizatë jofitimprurëse e autorizuar e përzgjedhur nuk mund të përfitojë më shumë se 20% të buxhetit të planifikuar për financimin e dhënies së ndihmës juridike parësore të garantuar nga shteti nga organizatat jofitimprurëse. Shpallja e fituesve do të bëhet në maj. Kohëzgjatja e projektit do të jetë 12 muaj.
Për t’u kualifikuar për të përfituar financime, organizatat jofitimprurëse të autorizuara duhet të plotësojnë kriteret e përgjithshme, si të kenë marrë autorizimin nga ministri i Drejtësisë, për ofrimin e ndihmës juridike parësore të garantuar nga shteti; të mos kenë dy burime të njëjta financimi për të njëjtin aktivitet; të mos ekzistojë ndonjë konflikt interesi, që cenon zhvillimin e drejtë të procesit të përzgjedhjes me Drejtorinë e Ndihmës Juridike Falas.
Në shprehjen e interesit përcaktohet se brenda 15 prill 2021, organizatat jofitimprurëse të autorizuara, duhet të përcjellin projektpropozimin, më të dhënat teknike-financiare për ofrimin e shërbimit, qëllimin, objektivat specifikë, aktivitetet, kalendarin e realizimit, rezultatet e synuara, përfituesit e drejtpërdrejtë; të dhëna për personelin, duke specifikuar detyrat dhe duke siguruar jetëshkrimin e tyre. Organizatat jofitmprurëse, duhet gjithashtu të dëshmojnë me dokumente se kanë përvojë në realizimin e shërbimeve të ngjashme.
Dokumentet
– Udhëzuesi dhe prioritetet për thirrjen 2021
-Formulari i projektpropozimit–formati Word
-Formulari i projektbuxhetit –formati Excel
– Kopje e statutit/vendimit të gjykatës të organizatës (varianti më i fundit);
-Dokumenti i regjistrimit në organin tatimor (NIPT);
– Vërtetim nga organet tatimore që organizata nuk ka detyrime të pashlyera, për sa u përket kontributeve për sigurimet shoqërore, sigurimet shëndetësore dhe tatim-taksat.
-Vërtetim i llogarisë bankare të organizatës;
-Vërtetim nga prokuroria dhe gjykata, se anëtarët e organit më të lartë vendimmarrës dhe të organit ekzekutiv, që nuk janë në proces hetimi apo gjykimi, për çështje që cenojnë besimin e publikut dhe ofrimin e përshtatshëm të ndihmës juridike;
-Vërtetim nga prokuroria dhe gjykata për juristët/avokatët e angazhuar pranë organizatës, që nuk janë në proces hetimi apo gjykimi, për çështje që cenojnë besimin e publikut dhe ofrimin e përshtatshëm të ndihmës juridike;
-Të dhëna për personelin, duke specifikuar detyrat dhe siguruar jetëshkrimin e tyre;
– Pasqyrat financiare për vitin 2020.
Lista e dokumenteve, pasi janë përzgjedhur projektet fituese
-Projektpropozimi i plotë, i shoqëruar me formatin e buxhetit të detajuar
-Udhëzim për mënyrën e kryerjes së pagesave në kuadër të projektit
-Raportimin dhe Monitorimin financiar
-Kontrata tip e miratuar me urdhër të ministrit të Drejtësisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.