Sipërmarrësit në sektorë si turizmi, informatika, zejtaria, tekstilet, agro-përpunimi por jo vetëm mund të aplikojnë për grante në mbështetje te ideve të tyre falë projektit ProSEED. Ky i fundit është një bashkëpunim midis Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe GIZ.
Programi financohet nga Republika Federale e Gjermanisë për Republikën e Shqipërisë, nën mbikëqyrjen e Deutche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ). Në një njoftim të fundit, Agjencia e Investimeve AIDA ka bërë me dije se janë hapur aplikimet për të gjithë aspiruesit për të qenë sipërmarrës, thirrje e cila do të mbështetet nga kjo skemë.
“Njësia e Zbatimit të projektit PIU- ProSEEED pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë njofton të gjitha bizneset ekzistuese, bizneset e reja dhe start-up se kanë filluar aplikimet për Skemën e IDEA-Grant në mbështetje të asprirantëve për sipërmarrës. Thirrja për aplikim do të mbetet e hapur deri në datë 31.01.2020.”-thuhet në njoftim.
IDEA Grant është pjesë e programit 2 vjeçar ProSEED, i cili është një bashkëpunim mes Qeverisë Shqiptare dhe asaj gjermane, objektivi i të cilit është të sjellë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe rajonal, të nxisë punësimin, arsimin dhe formimin profesional në Shqipëri, duke i dhënë shtysë punësimit të fuqisë punëtore të kualifikuar dhe vetëpunësimit, veçanërisht për të rinjtë e kualifikuar, në tregun shqiptar të punës.
Programi implementohet nën mbikëqyrjen e Deutche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) dhe Ministrisë së Financës dhe Ekonomisë. Përmes skemës IDEA-Grant ofrohet mbeshtetje financiare për biznese ekzistuese, ide te reja biznesi dhe start-up në Shqipëri. Fushat kryesore që mbulon Skema IDEA- Grant janë informatika, tekstilet, turizmi, zejtaria dhe agro-përpunimi, por jo vetëm.
Lidhur me kriteret e aplikimit dhe detajet e tjera rreth projektit, AIDA ka publikuar edhe rregulloren, modelin e plan biznesit që duhet të paraqesin sipërmarrësit, formulari i vetëdekalrimit dhe ai i aplikimit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.