Së bashku, në një atmosferë festive, kryeministri Berisha, Ministri Olldashi, ministra të tjerë të kabinetit qeveritar, deputetë të qarkut të Tiranës dhe Elbasanit, drejtues të pushtetit lokal, përfaqësues të kompanisë AKTOR si dhe qindra qytetarë elbasanas dhe banorë të zonave përreth, asistuan në shfaqjen e dritës në anën tjetër të tunelit, dhe nisjen e një faze të re ndërtimi, në vazhdimin e autostradës Tiranë-Elbasan.
Rruga Tiranë-Elbasan, e cilësuar si segmenti më nevralgjik, i Korridorit 8, ka si pjesën më të rëndësishme të saj, Tunelin e Krrabës, punimet për të cilin shënuan vlerën e 101 milion dollarëve, investim i buxhetit të shtetit dhe Bankës Islamike për Zhvillim.
Tuneli me gjatësi 2,4 kilometra, ka dy tuba me nga dy korsi secila, me gjerësi 8 metra dhe lartësi 5 metra për secilin tunel. Punimet cilësore, të realizuara sipas parametrave më bashkohore, e rendisin këtë vepër me dinjitet përkrah infrastrukturave më moderne evropiane. Tuneli ndodhet rreth 13 km larg qytetit të Tiranës dhe rreth 10 km larg qytetit te Elbasanit. Në total janë gërmuar 470,000 m3 shkëmb dhe janë realizuar 60% e punimeve fizike. Kanë filluar punimet e metrave të parë të betonimit të Tunelit, për të vazhduar më pas me punimet elektro-mekanike të tij. Për hapjen e tij u deshën 9 muaj punë intensive 24 orëshe dhe një angazhim maksimal i Kontraktorit dhe Supervizorit të Punimeve.
Tuneli i Krrabës, së bashku me akset rrugore para dhe pas tij, respektivisht me gjatësi 13 kilometra dhe 11.5 kilometra i japin jetë një rrugë të re, ndër më të rëndësishmet, në vend, e cila shkurton distancën mes Tiranës dhe Elbasanit në 29.7 kilometra, duke e përshkruar atë vetëm në 18 minuta.
Kryeministri Berisha falenderoi me mirënjohje të gjithë punonjësit dhe drejtuesit e firmës greke AKTOR.SA, të cilët në një kohë rekord realizuan një vepër të përmasave të tilla që i bashkohet një serie veprash publike, të realizuara në vitin jubilar të 100 vjetorit të pavarësisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.