Intervistë me Agim Rrapaj, Kryetar i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar
Ndryshimet në subvencionim mes Shqipërisë dhe Kosovës mund të shtrembërojnë konkurrencën mes fermerëve të të dy vendeve.
Agim Rrapaj, Kryetar i Këshillit të Agrobiznesit, thotë për “Monitor” se Kosova ka një skemë subvencionimi që mbështetet në njësitë e shitura të produktit, e cila garanton mbështetje më të madhe, sidomos për sektorin e blegtorisë.
Sipas tij, Shqipëria dhe Kosova kanë nevojë për strategji të koordinuara të zhvillimit të bujqësisë, në mënyrë që prodhimi mes dy vendeve të jetë komplementar.
Çfarë efektesh mund të ketë heqja e njëanshme e tarifave doganore për hyrjen e produkteve kosovare në Shqipëri, kryesisht për sektorin bujqësor dhe agropërpunues?
Deklarata është e përgjithshme dhe nuk ka shumë elemente konkrete. Duhet parë nëse qëllimi është për të hequr tarifat për të gjitha produktet bujqësore dhe ushqimore, apo për produkte të veçanta.
Mund të ketë produkte që nuk na dëmtojnë as ne, as Kosovën, në shkëmbimet reciproke, ashtu siç ka të tjera që mund të krijojnë probleme për prodhuesit shqiptarë.
Aspekt tjetër shumë i rëndësishëm është mbështetja, subvencionimi që iu jepet produkteve të Kosovës në raport me ato të prodhuara në Shqipëri. Fakti është se për shumë produkte, mbështetja me subvencione në Kosovë është më e madhe se në Shqipëri.
Skema që përdoret në Kosovë është skema e subvencionimit për njësi produkti. Ne kemi një skemë të ndryshme, të shpërndarë në shumë produkte, me kufizime në vlerë dhe e destinuar vetëm një numër të caktuar produktesh.
Element tjetër që ka shumë rëndësi lidhet me kohën e pikut të prodhimit. Nëse flasim për produkte që kanë një moment të pikut të prodhimit të njëjtë, kjo do të krijonte konflikt tregtar, që duhet analizuar.
Më konkretisht, nëse ne importojmë nga Kosova mish, ky nuk do të ishte problem për blegtorët shqiptarë. 90% të sasisë së mishit ne e importojmë nga vende të tjera.
Nëse flasim pastaj, për shembull, për patatet, aty mund të kemi një problem. Sezoni i prodhimit është i njëjtë dhe këtu duhet parë sa subvencionon secila palë. Nëse ne e heqim tarifën, atëherë duhet të barazojmë subvencionimin. E njëjta logjikë vlen për specat. E njëjta gjë mund të vlejë për prodhimin e verës, që kërkon studime për të mos dëmtuar prodhuesit vendas.
Mendoj se kemi nevojë për strategji të koordinuar, në mënyrë që bujqësitë e dy vendeve tona të jenë komplementare. Kjo do të ishte në interesin e të dy vendeve.
Por, që të jemi realistë, ne kemi një problem shumë të madh me informacionin. Ne nuk dimë me saktësi çfarë mbjell Divjaka dhe çfarë mbjell Korça. Këtu do të ndihmonte shumë dixhitalizimi. Ne duhet të ndërtojmë platforma dixhitale, që të ndihmojnë për informacionin rreth bujqësisë. Në Shqipëri i kemi disa të tilla, por duhen pasuruar.
Nëse duam të ndërtojmë të tilla procese të hapjes së tregjeve, ne duhet të ndërtojmë platforma dixhitale që të ofrojnë informacionin e duhur. Nëse pastaj këtë e bëjmë për arsye politike, kuptohet që ekonomia udhëhiqet nga një logjikë tjetër dhe nuk do t’ia dijë për politikën.
Si do t’i vlerësonit, deri tani, rezultatet e marrëveshjeve Shqipëri-Kosovë, në drejtim të bashkëpunimit në fushën e bujqësisë dhe agrobiznesit, duke pasur parasysh edhe problemet e shfaqura në vitet e fundit, si për shembull ai i importit të patateve nga Kosova?
Mendoj se, në thelb, është konkurrenca, e cila duhet të jetë e ndershme. Kjo nuk ndodh gjithmonë dhe konkurrenca e pandershme është e lidhur me të gjithë proceset që përmenda më sipër.
Ne duhet ta eliminojmë konkurrencën e pandershme brenda vendit, por edhe në marrëdhënien me Kosovën. Kjo është e rëndësishme.
Do të evidentoja se në vitet e fundit kemi pasur rezultate të mira në drejtim të lidhjes së kontratave me Kosovën. Ka kompani kosovare që operojnë edhe në tregun tonë, me rezultate të mira. Këto kompani, ne duhet t’i mbështesim, sepse ato ndihmojnë dhe lehtësojnë proceset e unifikimit të tregjeve.
Mendoni se bashkërendimi i skemave të subvencionimit do të jetë element i domosdoshëm për të realizuar një hapje të drejtë të tregjeve mes dy vendeve?
Patjetër që është faktor i rëndësishëm, sepse ka të bëjë me konkurrencën. Një marrëdhënie që bazohet te konkurrenca e pandershme nuk mund të vazhdojë gjatë. Subvencioni në vetvete e ka edhe këtë aspekt, faktin që shtrembëron konkurrencën mes prodhuesve të ndryshëm.
Nëse politikat e subvencionimit nuk janë të ngjashme dhe korrekte, sigurisht që në fund prodhohet konkurrencë e pandershme, në kushtet e tregjeve të hapura.
Çështja e dytë është baza e mbështetjes së kompanive importuese dhe eksportuese. Ne kemi kompani eksportuese më të zhvilluara në këtë sektor, e ndikuar edhe nga fakti që kemi mbështetur me përparësi qendrat e grumbullimit.
Nga ana tjetër, Kosova, mbështet më shumë blegtorinë. Nëse kjo diferencë vazhdon gjatë, do të krijonte konkurrencë të pandershme, sidomos në blegtori.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.