Hashim Thaçi jep dorëheqjen nga posti i Presidentit të Kosovës, pasi i është konfirmuar aktakuza nga Gjykata Speciale. Lajmin e bëri vetë Thaçi në një dalje për mediat.
“Para pak çastesh jam informuar nga njerëzit kompetentë se gjykatësi i dhomave të specializuara ka konfirmuar aktakuzën kundër meje. Unë jam i gatshëm për të bashkëpunuar ngushtë me drejtësinë dhe që nga ky moment jam në dispozicion. Nuk do të lejoj që para gjyqit të dal presidenti i Kosovës, prandaj për të mbrojtur integritetin e presidentit dhe shtetit, unë sot jap dorëheqjen nga pozita e presidentit”.
Thaçi i ka bërë thirrje qytetarëve për maturi, qetësi dhe unitet.
“Të qëndrojmë të bashkuar, kjo është ajo që garanton suksesin tonë; Kosova e lirë, shtet i të gjithëve. Kjo nuk është lamtumirë, por vetëm mirupafshim – do të shihemi prapë, do të dalim faqebardhë”.
Më 24 prill të këtij viti, Zyra e Prokurorit të Specializuar u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës një propozim-aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë “krimesh kundër njerëzimit dhe krime lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura”.
Në aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.