Hiqen deklarimet e biznesit në zyrën e punës, por detyrohen të punësojnë persona me aftësi të kufizuar

16/06/2019 11:01 PM 0 komente

Ligji i ri për nxitjen e Punësimit që ka hyrë në fuqi së fundmi ka lehtësuar procedurat e biznesit për deklarimin e burimeve njerëzore në zyrat e punës.

Neni 21 i ligjit të vjetër i detyronte bizneset të deklaronin çdo tre muaj të dhënat mbi stafet e punonjësve që kishin lidhje me nivelin e tyre arsimor dhe me vitet në punë etj. Ligji i ri e heq këtë detyrim dhe njëkohësisht ul presionin e gjobave të ndaj biznesit. Me ligjin e vjetër, mosdeklarimi në kohë në zyrën e punës penalizohej me 1 milion lekë gjobë.

Por me ndryshimet e reja ligjore, bizneset detyrohen me ligj që për çdo të 25 punësuar të punësojnë një person me aftësi të kufizuar.

Nëse nuk e plotësojnë këtë detyrim bizneset e detyrohen të paguajnë kontribut në para në fondin e sigurimit social.

Bizneset që punësojnë shumë persona, sidomos ata të sektorit fason pohojnë se nuk kanë profile punë për këtë kategori personash. Ndërkohë nuk e konsiderojnë të drejtë vendimin për paguar një fond të posaçëm, pasi ata paguajnë taksa pikërisht që shteti ti shpërndajë ato në shtresat në nevojë.

Me ligjin e ri, bizneset kanë detyrimin që në rastet e fillimit të procedurave të falimentit me kërkesë të punëdhënësit, sipas legjislacionit në fuqi për falimentin, ky i fundit njofton strukturën përkatëse rajonale/vendore, jo më vonë se 20 ditë kalendarike, për vendimin e gjykatës për fillimin e procedurave të falimentit.

Ndërkohë që çdo punëdhënës, përfitues i fondeve publike, është i detyruar të punësojë një numër të caktuar punëkërkuesish të papunë, të regjistruar në strukturat rajonale/vendore, duke i dhënë përparësi punësimit të punëkërkuesve të papunë afatgjatë.

Gjithashtu, me ligjin e ri çdo punëdhënës ka të drejtë të informohet për politikat e tregut të punës, legjislacionin e punës, programet e nxitjes së punësimit dhe programet e arsimit dhe formimit profesional, nëpërmjet strukturave rajonale të institucionit përgjegjës për punësimin dhe aftësitë.

Punëdhënësi ka të drejtë të publikojë në këtë strukturë vendet e lira të punës, nëpërmjet sistemit të informacionit të strukturave rajonale për të përfituar nga shërbimet e ndërmjetësimit dhe të përputhjes me vendin e punës që ato ofrojnë.

Punëdhënësi ka të drejtë të aplikojë në strukturën përkatëse rajonale për të përfituar nga programet e nxitjes së punësimit dhe të kualifikimeve që zbaton institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of