Në një intervistë të posaçme për Monitor nga Vjena, ku ndodhej për të ndjekur koferencën “Ballkani Perëndimor: 15 vjet trazicioni ekonomik”, z. Nadeem Ilahi, shef i Misionit të Fondit Ndërkombëtar për Shqipërinë ka folur lidhur me konsolidimin fiskal që po ndodh në Shqipëri dhe hapësirat për rritjen e taksave. Ndonëse me rezerva, për shkak se FMN ndodhet në mes të bisedimeve me autoritetet shqiptare, në kuadër të misionit të radhës dhe nuk kanë dalë ende me konkluzione, z.Ilahi pohon se në rast se do të ketë tendencë të vazhdueshme të rënies së të ardhurave, atëhere kjo do të ishte shqetësuese. Megjithatë, ai shpreh besimin se të ardhurat janë në rrugën e duhur. Shefi I FMN-së pohon që në afatin e mesëm e rëndësishme është ulja e borxhit dhe në varësi të kësaj do të jetë dhe rregullimi fiskal.
Në janar, të ardhurat në buxhet ranë 3.3% në raport me një vit më parë. Në rast se kjo situatë do të vazhdojë çfarë do të bëni, do të detyroni qeverinë të rrisë më tej taksat?
Më lejoni të mos them asgjë për janarin, sepse sa kemi mbërritur dhe ende po vlerësojmë. Mendoj se mund të ketë periudha me të ardhura të ulëta, të ardhura të larta, muaj pas muaji. Mendoj se e rëndësishme është të përqendrohemi tek tendenca. Në rast se do të ketë tendencë të vazhdueshme, atëhere kjo do të ishte shqetësuese. Kjo ka qenë përqasja jonë. Por, sipas nesh, ne nuk e shohim ndonjë përkeqësim. Nuk mund të flas për janarin, por ashtu siç kemi thënë në raport, të ardhurat janë pak a shumë në rrugën e duhur.
Është vendosur një sistem i ri IT, që shpresojmë të funksionojë mirë. Vende të tjera kanë parë rritje të eficiencës nga këto sisteme.
Shqipëria ka një rrugë të gjatë për të bërë përsa i përket mbledhjes së taksave. Ekonomia informale është e lartë. Ka shumë hapa të mëdhenj që duhen ndërmarrë, por ideja jonë është se po ecet në rrugën e duhur.
A mendoni se ka hapësirë për rritjen e mëtejshme të taksave, sepse përvoja e deritanishme ka treguar se rritja e tyre nuk ka shtuar të ardhurat në buxhet?
Nuk mendoj se kjo është korrekte. Ajo që ne kemi projektuar në drejtim të të ardhurave në buxhetet e dy viteve të fundit si dhe përmirësimi në administrimin e taksave, duke i kombinuar së bashku, kanë dhënë rezultatin e duhur.
Sërish, a ka më hapësirë për rritjen e taksave, në kuadër të konsolidimit fiskal?
Kjo është një pyetje e ndryshme, se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Të mos harrojmë se kemi një program dhe një pjesë e tij është që të reduktohet ekspozimi i borxhit publik. Ai është shumë i lartë dhe duhet të ulet. Ky është një program tre vjeçar i rregullimit fiskal. Ne jemi në mes të vitit të dytë dhe ka dhe një vit tjetër. Se sa rregullim do të duhet, kjo do të shihet teksa koha ecën. Por, ajo që është e rëndësishme për t’u mbajtur mend është se qeveria po përpiqet që të arrijë në një nivel borxhi në 2018-2019, që është e arsyeshme dhe me një rrezik jo të lartë dhe nuk mund të arrish në këtë nivel borxhi, pa bërë rregullime fiskale. Nuk mund të arrish norma rritjeje prej 7-8%, që do të mundësonin të largoheshe nga rregullimet. Buxheti duhet të vijë në linjën e duhur. Se sa rregullim do të duhet, ne nuk jemi në gjendje ta themi për momentin. Ju mund të shikoni staf raportin dhe të krijoni një ide se sa është ai dhe se çfarë po mendonim në fund të vitit të kaluar. E rëndësishme është të shikojmë objektivat pesë vjeçarë, a do t’i arrijmë me këtë përqasje apo jo? Kjo mendoj se është gjëja më e rëndësishme.
(Intervistën e plotë të z.Ilahi lidhur me progresin e Shqipërisë në 15 vite tranzicion, fushat ku është ecur mirë dhe ato që kanë mbetur prapa si dhe shqetësimin për kreditë e larta me probleme mund ta lexoni në revistën print të ditës së hënë)
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.