Në muajin maj, importet e Kinës u rritën me ritmin e tyre më të shpejtë në 10 vjet, si pasojë e kërkesës së shtuar për materiale të papërpunuara, edhe pse rritja e eksporteve u ngadalësua më shumë sesa pritej për shkak të masave kufizuese të shkaktuara nga pandemia e COVID-19 në portet kryesore jugore të vendit.
Ndërsa rikuperimi i shpejtë në tregjet e zhvilluara ka forcuar kërkesën për produkte kineze, një mungesë globale e gjysmëpërçuesve, kostot e larta të materialeve të papërpunuara dhe të transportit, kufizimet logjistike dhe një yuan i fortë kanë zbehur parashikimet për shtetin më të madh eksportues në botë.
Eksportet e Kinës në dollarë në maj u rritën me 27.9% nga një vit më parë, rritje kjo më e ngadaltë sesa ajo prej 32.3% e raportuar në prill dhe e parashikimit të gabuar të analistëve prej 32.1%. Zhiwei Zhang, Kryekonomist në Pinpoint Asset Management, shtoi se xhiroja në portet në Guangdong me shumë mundësi nuk do të jetë e lartë edhe gjatë muajit qershor.
Kompanitë e mëdha të transportit detar paralajmëruan klientët për përkeqësimin të situatës në portin Yantian të Shenzhen në provincën Guangdong pas zbulimit të disa rasteve të infektuara midis stafit të portit.
Chen Linsheng, shefi operacional i Anlan, një prodhues i pajisjeve për kujdesin dhe trajtimin e lëkurës me bazë në Shenzhen, tha për Reuters se ndërsa nuk kishte asnjë ndikim në prodhim, stafi tani i nënshtrohet testeve COVID dhe asnjë prej tyre nuk lejohet të kthehet në fabrikë pa një rezultat negativ me vete.
“Nuk na lejohet të dalim (nga qyteti). Ne duhet të raportojmë paraprakisht dhe nuk mund të shkojmë as në Guangzhou ose Foshan”, tha Chen, duke shtuar se shumë takime po zhvilloheshin sërish online.
Përveç ndikimit të rasteve COVID në Guangdong, mungesa globale e çipeve ka filluar të godasë të gjithë artikujt e eksportit të Kinës në lidhje me gjysmëpërçuesit, tha Iris Pang, kryekonomisti në ING.Për shembull, prodhimi i pjesëve të makinave ra me 4% nga një vit më parë, shtoi Pang.
Rritja mesatare dy-vjeçare për eksportet ra në 23.4% në maj nga 36.3% në prill, duke theksuar një moment aspak të favorshëm në drejtim të eksporteve, pasi rihapja e ekonomive të zhvilluara uli kërkesën për pajisje mbrojtëse personale (PPE) dhe produkte të nevojshme për punën nga shtëpia (WFH), thanë analistët në Nomura.
Në të njëjtën kohë, forcimi i monedhës në javët e fundit në nivelet më të larta të tre viteve të fundit ndaj dollarit amerikan, “mund t’i godasë” më tej konsumatorët amerikanë nëpërmjet rritjes së çmimeve. Importet u rritën me 51.1% muajin e kaluar, rritja më e shpejtë që nga janari i 2011 por më e ngadaltë se rritja prej 51.5% e parashikuar nga sondazhi i Reuters.
Julian Evans-Pritchard, ekonomist i lartë kinez në Capital Economics, tha se ndërsa çmimet e importit u rritën me një ritëm të shpejtë, vëllimet e importit shënuan ulje në maj.
Kështu për shembull, dërgesat e gjysmëpërçuesve vazhduan të bien. Po kështu edhe importet e metaleve industriale. Në fillim të javës, Kina deklaroi një suficit tregtar prej 45.53 miliardë dollarësh për muajin maj, nivel më i lartë se sa suficiti prej 42.86 miliardë dollarësh në prill, por më pak se 50.5 miliardë dollarë që ishin pritshmëritë.
Administrata e Biden po kryen një rishikim të politikës tregtare SHBA-Kinë, përpara përfundimit në fund të vitit 2021, të marrëveshjes ‘Faza 1’ e epokës së administratës Trump-it, sipas së cilës Kina duhet të rrisë blerjet e mallrave bujqësore dhe produkteve të prodhuara në SHBA.
Që kur Presidenti Joe Biden mori detyrën në janar, Kina ka rritur angazhimin me shefat e tregtisë dhe ekonomisë së SHBA. Zëvendës Kryeministri i Kinës Liu He foli me Sekretaren e Thesarit të SHBA-së, Janet Yellen, javën e kaluar, vetëm disa ditë pas bisedimeve me shefen e Tregtisë së SHBA-së, Katherine Tai./Reuters