Kredia e re për ekonominë iu kthye rritjes për muajin maj dhe arriti vlerën e 15.5 miliardë lekëve.
Sipas Bankës së Shqipërisë, vlera e kredisë së re të disbursuar nga sistemi bankar u rrit me 64% krahasuar me majin e vitit të kaluar. Për pesë muajt e parë të vitit, sektori bankar ka dhënë gjithsej 84.4 miliardë lekë kredi, në rritje me 15.6%.
Megjithë këtë rritje, kredia e re ende nuk ka arritur nivelet që ishin shënuar për këtë periudhë të vitit përpara pandemisë dhe kjo lidhet sidomos me rënien në segmentin më të madh të tregut, atë të bizneseve. Këtë vit kredia për biznesin paraqitet në rënie me 3.6% krahasuar me një vit më parë.
Pas një rritjeje në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, edhe falë mbështetjes nga skemat e garancisë sovrane, këtë vit huamarrja e bizneseve duket më e ngadalësuar. Aktiviteti i biznesit ende ka ndier efektet e krizës, sidomos në sektorë të veçantë të ekonomisë.
Por, nga ana tjetër duhet thënë se kredia në vitet e fundit ka pësuar edhe disa ndryshime në strukturën e saj. Bizneset po marrin më shumë kredi afatgjata për investime dhe më pak kredi për qëllime afatshkurtra likuiditeti. Overdraftet dhe kreditë për kapital qarkullues kanë një cikël të shpeshtë rinovimi dhe stilistikisht reflektoheshin në më shumë flukse kredie të re.
Rritja e kreditimit për pesë muajt e parë të këtij viti është mbështetur nga kredia për individët. Statistikat tregojnë se kredia e re në këtë segment arriti vlerën e pothuajse 29 miliardë lekëve ose rreth 235 milionë euro. Krahasuar me vitin e kaluar, kreditimi për individët është rritur me 57% ose më shumë se 10 miliardë lekë.
Rritja e kreditimit të individëve po mbështetet sidomos te huaja me qëllim blerjen e pasurive të paluajtshme. Rritja e çmimeve në tregun e pasurive të paluajtshme ka bërë që individët ta shohin blerjen e një prone si një investim me leverdi. Nga ana tjetër, kjo kërkesë po mbështetet edhe nga oferta e lartë e bankave në këtë segment të tregut dhe nga normat e ulëta historike të interesit.
Kredia për ekonominë ka vazhduar të rritet edhe e matur si tepricë e portofolit. Në fund të muajit maj, portofoli total i kredisë arriti në 618 miliardë lekë ose rreth 5 miliardë euro. Portofoli i kredisë u rrit me 3.3 miliardë lekë gjatë muajit maj, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë norma e rritjes ka arritur në 6.3%.
Edhe në rritjen e portofolit ritmin më të lartë të rritjes e ka shënuar kredia për individëve, me 8.5% më shumë krahasuar me një vit më parë. Edhe huaja për ndërmarrjet private është rritje pozitive, me 7.1%, por rritja mesatare e portofolit është frenuar kryesisht nga rënia e ndjeshme e kredisë së kompanive publike, me 30% më pak krahasuar me një vit më parë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.