Inflacioni i Eurozonës u përshpejtua muajin e kaluar, sipas deklaratës së Eurostat, duke konfirmuar të dhënat paraprake, që tregojnë për rritje të vazhdueshme të çmimeve midis 20 vendeve të zonës Euro.
Rritja e përgjithshme e çmimeve u përshpejtua në 7.0% në prill, nga 6.9% një muaj më parë, pasi rritja e kostove të shërbimeve dhe energjisë, kompensoi ngadalësimin e rritjes së çmimeve të ushqimeve.
Duke përjashtuar çmimet e paqëndrueshme të ushqimeve dhe karburanteve, inflacioni bazë u ngadalësua në 7.3% nga 7.5%, ndërsa duke përjashtuar alkoolin dhe duhanin, u ngadalësua në 5.6% nga 5.7%, rënia e parë që nga qershori i kaluar.
Inflacioni ka qenë mbi objektivin prej 2% të BQE-së për gati dy vjet, dhe banka ka rritur normat e interesit me një total prej 375 pikë bazë, që nga korriku i kaluar, për të ndalur rritjen e shpejtë të çmimeve.
Inflacioni i shërbimeve, i cili nxitet kryesisht nga kostot e punës, u rrit në 5.2% nga 5.1%, duke konfirmuar frikën e politikëbërësve, se rritja e pagave nominale mund të bëhet jashtëzakonisht e shpejtë.
Pagat janë ende në rënie në terma realë, duke pasur parasysh inflacionin e shpejtë, por papunësia e ulët dhe mungesa e fuqisë punëtore në rritje, veçanërisht në shërbime, po shkakton rritje në pagat nominale.
BQE ka thënë prej kohësh, se rritja e pagave nominale prej 3%, do të ishte në përputhje me objektivin e saj të inflacionit, por rritja e këtij viti mund të jetë dy herë më e madhe.
Marrëveshjet e papritura bujare të pagave në Gjermani dhe rritja ekonomike e bllokut, rrisin gjithashtu rrezikun, që kostot e punës mund të vazhdojnë të rriten veçanërisht shpejt vitin e ardhshëm, duke zgjatur inflacionin.
Tregjet parashikojnë që norma e depozitave të BQE-së të rritet afërsisht në 3.75% këtë verë, por disa politikëbërës kanë paralajmëruar se kjo mund të mos jetë e mjaftueshme.
Pritshmëritë e konsumatorëve dhe të tregut për inflacionin, janë rritur muajt e fundit, edhe pse kostot e energjisë bien, duke sugjeruar se inflacioni tani është më i pandryshueshëm, i nxitur kryesisht nga pagat, shërbimet dhe kërkesa e brendshme.
BQE-ja do të mblidhet më 15 qershor dhe ka premtuar një tjetër rritje të normës. / Reuters