Megjithëse me probleme serioze dhe shpesh të rënda, shërbimi i mësimdhënies dhe cilësia e produktit në disa prej shkollave të larta është rritur. Por, sa është bërë e mundur në këto vjet për të gjithë ata që duan të vazhdojnë arsimin e lartë që të orientohen në zgjedhje e tyre.
Problemi kryesor me të cilin “Monitor” është hasur gjithmonë në çdo fillim të muajit shtator, kur realizon specialen e përvitshme për sistemin universitar në vend është pikërisht mungesa e informacionit. E kishim të pamundur të gjenim numrin e saktë të studentëve që ndjekin aktualisht universitetin privat (të dhënat e fundit nga Instat janë të sezonit shkollor 2009/2010). E kishim të pamundur që të merrnim informacion direkt nga universitetet private për përqindjen e kalueshmërisë (vetëm një universitet pranoi që të na e jepte një përqindje të tillë). Dhe mbi të gjitha, në Shqipëri nuk ekziston asnjë lloj informacioni mbi ecurinë e të diplomuarve si në sektorin shtetëror, por sidomos në atë privat, për ecurinë e të diplomuarve në tregun e punës. (Të gjitha renditjet kryesore në botë kanë si pikë qendrore dy tregues kryesore: sa shpejt fillon punë një i diplomuar dhe me çfarë niveli page).
Për më tepër, në Shqipëri nuk ka studime që na japin hollësi sesa nevojat e tregut janë për burime njerëzore të kualifikimit të lartë, sesa do të jenë përfitimet individuale oportune të një individi, çfarë cilësie merr shoqëria.
Mungon lidhja mes universiteteve dhe tregut të punës, çka del qartë dhe nga anketimet me bizneset e mëdha private në vend; niveli i kërkimit shkencor mbetet i ulët (universitetet mjaftohen me publikimin e disa revistave akademike). Në një sistem që tashmë është i njehsuar me atë Bolonjës, sërish nuk ka të dhëna se sa në gjendje janë studentet që kryejnë studimet në nivelin tre vjeçar në vend, për të vazhduar studimet master jashtë; as nëse ata arrijnë që të punësohen jashtë vendit në profesionet në të cilat studiojnë.
E gjithë kjo mungesë informacioni që u përmend më sipër, jo vetëm që vështirëson zgjedhjen e një studenti potencial për të hyrë në një universitet privat apo shtetëror qoftë, por po krijon dhe një handikap në ecurinë e një sistemi arsimor që duhet të ishte promotor i zhvillimit të vendit, teksa po keq-orienton përdorimin e financave të mbi 20 mijë studentëve që kanë zgjedhur të ndjekin shkollën private (një individ që harxhon mesatarisht 6-8 mijë euro në tre apo katër vjet për t’u shkolluar duhet të ketë të qartë që përpara se të vendosë cilën shkollë të ndjekë, nëse ky do të jetë një investim që ia vlen dhe do t’i kthehet mbrapsht.)
Ndaj sigurimi i informacionit në këtë sektor të rëndësishëm, që nisi si një biznes privat, por është shumë më tepër se një i tillë, është parësor. Si fillim, le të nisë me studim, si një përpjekje për të kuptuar më drejtë nevojat dhe më pas për të planifikuar e orientuar punësimin, jo si një propagandë numrash, por një rruge të drejtë që të çon drejt mirëqenies.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.