Instrumenti i ri, Banka do të komunikojë kursin e ardhshëm të politikës monetare

10/03/2015 9:04 AM 0 komente

Për të patur një efikasitet më të lartë të politikës monetare Banka e Shqipërisë ka planifikuar të përdorë instrumeta të rinj këtë vit. Në Dokumentin e ri të Politikës Monetare i vlefshëm për këtë vit thuhet se, Banka do të komunikojë kursin e ardhshëm të politikës, çka do të thotë se, agjentët ekonomikë do të dijnë se, çfarë normë interesi do të mbajë Banka e Shqipërisë për monedhën vendase për një periudhë të caktuar kohe.

“Në varësi të kushteve të tregut financiar shqiptar dhe të nevojave të politikës monetare, Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të rishikojë në vazhdimësi instrumentet e saj të politikës monetare. Këto rishikime do të bëhen me synim rritjen e eficiencës në përdorimin e tyre”, thuhet në dokumentin e ri të poltikës.

Duke u nisur nga natyra e tyre, ato gjejnë përdorim vetëm në raste të veçanta, sipas gjykimit të Bankës së Shqipërisë. “Komunikimi i kursit të ardhshëm të politikës monetare është një instrument i tillë. Angazhimi në publik i Bankës së Shqipërisë për të ndjekur një politikë të caktuar monetare në të ardhmen, i shërben uljes së pasigurisë në tregjet financiare dhe rritjes së efektivitetit të poltikës monetare”,- referon më tej Banka e Shqipërisë.

Objektivi operacional i politikës monetare të Bankës së Shqipërisë është orientimi i normave afatshkurtra të interesit të tregut ndërbankar pranë normës bazë të interesit të Bankës së Shqipërisë, të vendosur nga Këshilli Mbikëqyrës, si dhe kufizimi i luhatjeve të tyre. Orientimi i normave afatshkurtra të interesit të tregut ndërbankar pranë normës bazë të interesit të Bankës së Shqipërisë rrit efektivitetin dhe transparencën e politikës monetare, duke ndihmuar në një kontroll më të mirë të normave afatgjata të interesit në ekonomi.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of