Për të gjithë ata që investojnë kursimet e tyre në letrat e borxhit qeveritar do të ketë fitime më të larta këtë vit për shkak se, normat e interesit janë në rritje për të gjitha instrumentet dhe maturitetet.
Ministria e Financave duke analizuar ecurinë e normave të interesit për këto instrumente bëri të ditur se, interesat si për bonot ashtu dhe për obligacionet janë rritur në tremujorin e parë të 2018 në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rritja më e madhe ka ndodhur për obligacionet 3-vjecare, me 1.05 pikë përqindje. Interesi në këtë instrument arriti në 3.75 për qind në janar-mars 2018 në raport me 2.7 për qind ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Gjithashtu rritje të ndjeshme me 0.54 pike përqindje është parë në obligacionet 7 vjeçare, të cilat u tregtuan me 5.86 për qind në tremujorin e parë të 2018 në raport me 2017.
Rritja me mbi 0.2 për qind u vu re edhe në obligacionet dy dhe 5-vjecare, raportoi Ministria e Financave.
Për bonot e thesarit rritja ishte më e zbehtë, duke përjashtuar bonot 12 mujore interesi i të cilave u rrit me 0.26 pikë përqindje.
Për bonot 3 dhe 6-mujore interesat janë rritur respektivisht me 0.09 dhe 0.2 për qind.
Trendi në rritje i normave të interesit nisi me luhatje në gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar, por këtë vit duket se rritja është vënë në një trend më të qëndrueshëm. Ekspertët e bankave shpjegojnë se rritja po vjen si pasojë e pritshmërivë që kanë aktorët e tregut për normat e interesit.
Rritja e normave të interesit është vlerësuar nga ministria e Financave një rrezik me ekspozim relativisht të lartë, i ndikuar kryesisht nga niveli i lartë i borxhit afatshkurtër.
Për të reduktuar këtë rrezik Financat kanë vendosur të orientojnë huamarrjen e brendshme në drejtim të titujve afatgjatë, duke shfrytëzuar normat e interesit në nivele ende të ulta.
Prioritet do të ketë emetimi i titujve afatgjatë me norma interesi fikse. Megjithatë, edhe titujt me norma interesi të ndryshueshme do të vijojnë të emetohen në vlera të cilat do të rishikohen dhe bëhen transparente nëpërmjet publikimit periodik të kalendarëve të huamarrjes, në varësi të ecurisë së realizimit të objektivave, kushteve të tregut dhe preferencave të kreditorëve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.