Teksa ata po marrin pozicionet e tyre përpara zgjedhjeve të pritshme në pranverë, partitë më të mëdha politike të Italisë janë angazhuar që të kthejnë disa nga reformat që janë nxitur nga qeveria teknokrate e kryeministrit Mario Monti. Politikëbërësit e BE-së kanë hedhur ide që shtete, që nuk janë në programe shpëtuese, të tilla si Italia, të nënshkruajnë kontrata reformash me Brukselin.
Por, Corrado Passera, i cili e la detyrën e tij si shef i bankës Intesa, për t’u vënë në krye të një posti ministror për të nxitur konkurrueshmërinë e Italisë, tha se nuk ka arsye që t’i lidhen duart qeverisë së ardhshme.
“Unë jam i sigurt se askush nuk do ta vërë vendin në situatën e rrezikut në të cilën ishte vitin e kaluar,” tha z. Passera. “Kjo mund të thuhet si për partitë e qendrës së djathtë ashtu dhe për ato të qendrës së majtë.”
“Çdo gjë që është miratuar, është vendosur në parlament me një shumicë të gjerë, si rrjedhojë kjo është një çështje koherence dhe përgjegjshmërie,” shpjegoi ai.
Qeveria e z.Monti e ka larguar vendin nga marrja e një pakete shpëtuese dhe është drejt rrugës së eleminimit të deficitit të buxhetit në pjesën e mbetur të mandatit të vitit të ardhshëm. Por, ekonomia është zhytur në një recesion të thellë – dhe pritet një tkurrje prej 2.4% këtë vit – dhe njerëzit e biznesit dhe ekonomistët kanë kritikuar mungesën e reformave me vizion për të nxitur rritjen afat gjatë.