Shqipëria duhet të ndjekë shembullin e Maltës, ku tregu i sigurimit të “Jetës” është zhvilluar ndjeshëm. Tonia Parascandalo, eksperte e sigurimeve, e certifikuar nga
Instituti i Bankierëve CIB në Maltë, gjatë një trajnimi të zhvilluar pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare mbi “Sigurimin e avancuar të Jetës”, tha se është e nevojshme që të rritet ndërgjegjësimi i publikut për këto produkte.
“Sigurimi i Jetës është çështje mentaliteti në të gjitha vendet në zhvillim. Shpesh ne mendojmë për nevojën e sigurimit
të Jetës, vetëm kur ndodh një aksident ose ai ndodh në familje. Është mirë që njerëzit të fillojnë të mendojnë në lidhje me këtë sigurim, me atë se çfarë ndodh nëse vdes personi që mban familjen, në qoftë se një person humb punën për shkak të një aksidenti ose sëmundje. Ndoshta, më vonë, ata mund të shqyrtojnë edhe mundësinë për të marrë policat e sigurimit të Jetës si një plan alternativ kursimesh. Shumica e vendeve të zhvilluara në botë kanë vendosur përfitime tatimore për t’i bërë më tërheqëse produktet e sigurimit, që janë të kombinuara me investime”, thotë znj. Parascandalo. Sipas saj, tri shoqëritë e mëdha të sigurimit në Shqipëri që operojnë në këtë treg kanë prime të përballueshme dhe njerëzit duhet të mendojnë të fillojnë të kursejnë.
“Rritja e ndërgjegjësimit të publikut për këto produkte është shumë e rëndësishme. Shoqëritë e mëdha të sigurimeve duhet t’i bëjnë produktet më të lehta për t’u kuptuar nga njerëzit, më të përdorshme, me gjuhë të qartë, në mënyrë që të gjithë të mund t’i kuptojnë dhe jo të përdorin zhargone teknike. Nga përvoja që unë kam në Maltë, njerëzit kanë tendencë të bëjnë sigurimin si fillim vetëm për jetën e debitorit dhe unë e di që edhe ju e keni këtë këtu, sepse kjo është e detyrueshme nga bankat. Por, më pas, njerëzit e kuptojnë se ata duhet të fillojnë kursimin për shkak të problemeve të pensioneve që po hasin shumica e vendeve”, thotë znj. Parascandalo.
Sigurimi i kombinuar me investime mund të jetë një alternativë e mirë edhe për ata që janë konservatorë. Mbrojtja e konsumatorit dhe ndërgjegjësimi i publikut janë shumë të rëndësishme në këtë proces.
Ekspertja e sigurimeve thotë se njerëzit, së pari duhet të besojnë te shoqëritë e sigurimeve, ashtu siç besojnë te bankat kur depozitojnë para.
“Ndoshta me kalimin e kohës shqiptarët do të jenë të gatshëm për të investuar në produkte më të ndërlikuara, të lidhura me investime në fonde, të cilat po përdoren në vendet
më të zhvilluara për planifikimin e pensionit. Në Maltë kanë filluar ngadalë, por gjithnjë e më shumë njerëz po e kuptojnë se nëse ata duhet të investojnë në mënyrë afatgjatë, ata
duhet t’i drejtohen produkteve të lidhura me investimet në fonde. Edhe pse nuk ka bursë në Shqipëri, kjo nuk duhet t’i pengojë shoqëritë e sigurimeve që të ofrojnë produkte në mënyrë afatgjatë”, thotë ekspertja.
Gjithmonë thotë ajo (edhe pse në krahasim me vendet e tjera europiane ky numër mund të jetë i vogël) ka vend për më shumë produkte, veçanërisht për produkte afatgjata sigurimi, për planifikimin e daljes në pension dhe që mund të ofrohen investime në fonde dhe, ndoshta, madje edhe një kombinim investimesh me fitim të garantuar, në mënyrë që edhe njerëzit, të cilët janë hezitues, do të jenë të gatshëm për të investuar në mënyrë afatgjatë. “Shumica e publikut e di, se kur investon në bono, merr një fitim të caktuar. Por nga aksionet, duke parë grafikët e luhatjes së tyre, del shumë e qartë se ato japin një fitim më të lartë në planin afatgjatë”, thotë znj. Parascandalo. Sipas saj, tregu shqiptar duhet të shfrytëzojë hapësirat që ka.
Nga ana tjetër, ekspertët shqiptarë të sigurimeve thonë se me rritjen e nivelit të të ardhurave të popullsisë do të ndryshojë edhe struktura e shpenzimeve të një familje dhe në të do të renditen edhe sigurimet e jetës apo të banesës përveç sigurimeve motorike, që janë të detyrueshme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.