Ishte gjithçka e përkryer në mbrëmjen e djeshme për Juventus, që në ndeshjen e kthimit përballë Atletico Madrid, përmbysi rezultatin duke fituar 3 – 0 (0 – 2 ndeshja e parë), duke u kualifikuar për në fazën çerekfinale të UEFA Champions League.
Në këtë ndeshje ishte vendimtare blerja e bujshme gjatë merkatos së verës e Cristiano Ronaldo, që me një tripletë përmbysi rezultatin duke e çuar skuadrën në fazën e tetë më të mirëve të Champions League.
Klubi bardhezi njoftoi një tjetër rekord të ardhurash për ndeshjen e luajtur mbrëmë në Allianz Stadium, 5,5 milionë euro. Numri i tifozëve mbrëmë në stadium ishte 40,844 – një biletë kushtonte mesatarisht 130 euro dhe 60 euro kushtonte bileta më ekonomike.
Rekordi i mëparshëm u shënua në fazën e grupeve të këtij edicioni të Champions League – sfida e 7 nëntorit përballë Manchester United, rreth 5 milionë euro, duke lënë pas sfidën Juventus – Barcelona, më 11 prill 2017, e cila prodhoi 4,1 milionë euro të ardhura.