Më se tre vjet më parë, kur kriza e borxheve shpërtheu në Europë, vendet kryesore të prekur iu nënshtruan një “procedure mjekësore”, ku ilaçi kryesor konsistonte në marrjen e masave të rrepta (rritjen e taksave, reformat në shtet me shkurti të vendeve të punës e kështu me radhë). Tre vjet më pas, edhe vetë Fondi Monetar Ndërkombëtar, që njihet si një partizan i ilaçeve të forta e pranoi se kjo nuk kishte qenë kura e duhur për ekonomitë, teksa llogaritjet e saj kanë pranuar se marrja e masave shtrënguese i hiqte deri në 0.5 pikë përqindjeje rritjes ekonomike. Vende si Greqia apo Portugalia u lanë që të marrin disi frymë, duke e ndërruar kurën me barna më të lehta dhe rezultatet nuk munguan të vinin. Greqia tashmë pritet që t’i rikthehet rritjes ekonomike në vitin 2014, që premton “një ndikim pozitiv në besimin e përgjithshëm” gjë që do të nxisë rritjen e shpenzimeve dhe investimet.
Në Shqipëri, presioni për të mbajtur borxhin në kontroll nuk u kthye gjithsesi në vetvete. Pas vitit 2008, taksat nuk u rritën, duke u shndërruar kështu në një amortizator të mirë të krizës dhe si një nxitës për bizneset, që u përkthye në më pak presion për humbjen e vendeve të punës. Shqipëria konsiderohet sot nga të paktat vende që nuk ra në recesion, ndonëse ngadalësimi i ritmeve të rritjes ishte i pashmangshëm në një mjedis ku partnerët tanë dhe e gjithë Europa po vuanin ndjeshëm.
Ndonëse sot është e vështirë për t’u matur, kura e zbutur ndaj borxhit vlerësohet që të ketë ndikuar pozitivisht mbi ekonominë. Akoma më pozitiv do të kishte qenë efekti, nëse rritja e kufirit të borxhit në fund të vitit të kaluar do të ishte përdorur për të shlyer detyrimet ndaj bizneseve, që sot vlerësohen në rreth 400 milionë dollarë. Megjithatë presioni ka qenë i fortë, duke e stepur qeverinë e atëhershme të merrte një kredi prej 300 milionë dollarësh nga Banka Botërore mbështetje buxhetore, me kushtin për të mos rritur më tej borxhin, veprim që do të kishte mundësuar që atëherë pagesat e borxheve ndaj bizneseve, duke iu dhënë frymëmarrje jo vetëm bizneseve, por edhe gjithë ekonomisë përmes çlirimit të kreditimit.
Tashmë është ligjëruar se niveli i borxhit në vend mund të kalojë mbi 70% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, por pothuajse të gjithë bien dakord që nuk kishte zgjidhje tjetër dhe borxhi nuk po shihet më si ai kanceri që mund të gërryejë ekonominë. Përkundrazi është i mirëpritur në rast se do të përdoret për të nxitur rritjen, sidomos për pagesën e detyrimeve të prapambetura të biznesit. Një avantazh për momentin është dhe kosto e lirë e shërbimit të borxhit.
Megjithatë, një rritje që bazohet vetëm në borxh nuk do të ishte e qëndrueshme. Gjatë periudhës që qeveritë kanë ndjekur këtë rrugë, gjithsesi në afatin shkurtër, kanë tentuar të kryejnë reforma strukturore me qëllim kryesor uljen e deficitit buxhetor, duke përgatitur vendin për një periudhë kur qeveritë të kenë një surplus primar buxhetor (balanca buxhetore kur hiqen shpenzimet për interesa).
Në këtë këndvështrim, reformat strukturore në shkallë të gjerë janë të domosdoshme. Krijimi i një administrate eficiente, nxitja e rritjes së konkurrueshmërisë së vendit, promovimi i eksporteve, nxitja e hapjes së vendeve të punës, duhet të kthehen në një detyrë parësore të qeverisë së re. Dhe reforma e premtuar e taksave duhet të sigurojë pikërisht këta elementë, me synim nxitjen e rritjes së qëndrueshme ekonomike, përndryshe do të rrezikojë të prodhojë më shumë borxh…
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.