AKEP dhe “Infosoft System” firmosin kontratën për portabilitetin e numrit celular dhe afatin e realizimit
Më në fund duket se meraku i mbajtjes së numrit personal, duke ruajtur kontaktet, do të shuhet në pranverën e vitit tjetër.
Konkurrenca e fortë mes katër kompanive celulare tashmë do të duket me realizimin e projektit më të ri të qeverisë shqiptare: portabilitetin e numrit.
Pas zhvillimit të tenderit dhe negociatave të shumta, më në fund, kryetari i Bordit të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike e Postare (AKEP),
Piro Xhixho, dhe administratori i “Infosoft System”, Grigor Joti, fitues i garës së hapur, nënshkruan marrëveshjen për portabilitetin e numrit,
në një ceremoni ku ishte i pranishëm edhe ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, Genc Pollo.
Portabiliteti i numrit, ose e thënë ndryshe kalimi nga një shoqëri celulare te shërbimet e një tjetri celular pa ndryshuar numrin, konsiderohet një ndër hapat më të rëndësishëm për konkurrencën në treg
dhe në interes të vetë konsumatorit. Referuar kontratës mes AKEP-it dhe kompanisë private, futja në zbatim i portabilitetit të numrit celular do të arrihet brenda katër muajve nga dita e lidhjes së marrëveshjes,
e cila korrespondon me mesin e muajit prill të 2011-s.
Pollo: Avantazhet
Për ministrin Genc Pollo, arritja e marrëveshjes ishte objektiv i synuar prej tij që kur mori detyrën për të drejtuar fushën e telekomunikacioneve në vend.
“Falë nismave, vendimeve dhe bashkëpunimit të ngushtë me AKEP-in, arritëm që t’i gjejmë zgjidhjet, kontraktorët dhe çka është më e rëndësishme,
që në pranverë të 2011-s çdo shqiptar me celular mund të ruajë numrin e vet, por të ndryshojë operatorin sipas dëshirës”, tha ministri pas marrëveshjes.
Sipas tij, portabiliteti i numrit do të thotë më shumë zgjedhje për përdoruesit, më shumë konkurrencë për operatorët, shërbim më të mirë dhe çmime më të lira në tregun shqiptar,
“pra e përmbledhur, avantazhe më të mëdha për konsumatorët”, shtoi ai.
Tashmë me marrëveshjen e arritur, 4.2 milionë përdorues të celularit mund ta zgjedhin sipas dëshirës shërbimin që duan të marrin, pa ndryshuar numrin.
Me futjen në treg të operatorit të katërt, PLUS, dhe me realizimin e portabilitetit të numrit, konkurrenca pritet të jetë më e fortë dhe ku fitues do të jenë përdoruesit.
Në tërësi kompanitë janë shprehur pro këtij projekti, madje në disa raste kanë kërkuar që të mos vonoheshin procedurat.
Ndërrim pa kosto
Sipas Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, portabiliteti ose bartshmëria e numrit personal të celularit do të thotë që një klient i një operatori celular,
(PLUS, Vodafone, AMC apo Eagle) nëse i pëlqen shërbimi i një operatori tjetër, mund të ndërrojë operatorin, por duke e ruajtur numrin. Pra, me portabilitetin, numri nuk do të jetë më pronë e një operatori.
“Në momentin kur shërbimi i portabilitetit të jetë 100 për qind funksional në vendin tonë, kalimi nga një operator në tjetrin do të kryhet brenda dy ditësh, pa shpenzime për përdoruesin”, sqarojnë drejtues të AKEP-it.
Nismat e fundit të qeverisë si portabiliteti i numrit, teknologjia 3G, si dhe masa të tjera që do të ndërmerren, bëjnë të mundur rritjen e konkurrencës në treg, që do të thotë çmime më të lira dhe shërbime më të mira.
Palët
Xhixho
Marrëveshja është shumë e rëndësishme pasi lehtëson konkurrencën për operatorët e rinj dhe nxit tregun për më shumë oferta për konsumatorët
Joti
Është projekt tepër kompleks, por ne si kompani na vjen mirë që u përzgjodhëm nga AKEP-i, duke shmangur paragjykimet “për kompani shqiptare”
Kompanitë celulare: Si e presim portabilitetin e numrit [1]
Haris Broumidis, CEO i “Vodafone Albania”
Shërbim që rrit konkurrencën
Portabiliteti i numrit është një shërbim i rëndësishëm në rritjen e mëtejshme të konkurrencës në telekomunikacione.
Ky shërbim është zbatuar me sukses në shumë tregje dhe natyrisht u mundëson konsumatorëve më shumë liri dhe fleksibilitet për të zgjedhur operatorin e tyre në bazë të perceptimit
që ata kanë për vlerën e ofertës të secilit operator telekomunikacioni, pa pasur pengesën e ndryshimit të numrit. “Vodafone” mbështet fuqimisht zbatimin e portabilitetit të numrit në Shqipëri,
pasi e shikon këtë gjë si një mundësi për të ngritur në një shkallë më të lartë pozicionin e saj si lider i tregut. Konsiderata jonë e vetme dhe shumë e rëndësishme
është që portabiliteti i numrit duhet të zbatohet nën një sistem procesesh që është i strukturuar, efikas dhe i lehtë për përdoruesin dhe që nuk vë në rrezik eksperiencën e përdoruesit përmes gabimesh dhe vonesash.
Ish-drejtori ekzekutiv i AMC-së, Stefanos Octapodas
Sfidë pozitive dhe mundësi të reja
Bartja e numrit u jep mundësi abonentëve të bëjnë zgjedhjen e tyre, pavarësisht nga numri i celularit që kanë. Kjo është sfidë pozitive për ne.
AMC është pjesë e Grupit COSMOTE, grupi me praninë më të madhe në Europën Juglindore dhe pjesë e “Deutsche Telekom”, gjiganti botëror i telekomunikacionit.
Pra kemi përparësinë që pjesëtarë të tjerë të grupit e kanë realizuar ndërkaq bartjen e numrit në shtetet përkatëse, ndaj kemi besim se mund të përfitojmë nga përvoja e tyre.
AMC po merr hapat e duhur për zbatimin e këtij ligji, i cili do t’u ofrojë mundësi të reja abonentëve. AMC beson se, në sajë të shërbimeve tona inovative,
produkteve dhe tarifave të leverdisshme, do të vazhdojmë të jemi zgjedhja e natyrshme e abonentëve. Këtë e vërteton roli aktiv që kemi luajtur në këtë proces,
duke filluar nga komentet dhe vërejtjet teknike e komerciale në lidhje me dokumentet e AKEP-it.
Drejtori i Përgjithshëm i “Eagle Mobile”, Ali Taskin
Jemi gati ta ofrojmë shërbimin
Pres shumë nga shërbimi i mbartjes së numrit. Dhe nga kjo nuk pret vetëm “Eagle Mobile”, por e gjithë Shqipëria.
Me këtë shërbim konkurrenca do të zhvillohet në një nivel tjetër, qëllimi do të jetë moshumbja e përdoruesve dhe marrja e të rinjve, që duhet të tërhiqen me shumëllojshmëri shërbimesh.
Do të vijë një ambient konkurrues. Padyshim që i fituari në këtë mes do të dalë përdoruesi. Aktualisht qytetarët mund të hezitojnë të ndërrojnë numrat, pasi kanë vite që i përdorin dhe janë lidhur me ta.
Por pas kësaj mundësie, përdoruesi do të marrë shërbime nga operatori që dëshiron dhe që shikon të arsyeshëm. Dhe ne jemi gati ta ofrojmë atë shërbim.
Moni Buchnik, CEO i “Plus Communication” Sha
Erë e re në telekomunikacione
Besoj se zbatimi i Numrit Portabël do të sjellë një erë të re në tregun e telekomunikacionit, duke u dhënë klientëve lirinë e duhur të zgjedhin operatorin,
duke mbajtur të njëjtin numër celular. Portabiliteti i numrit do të rrisë konkurrencën, padyshim dhe do të mundësojë që operatorët e telefonisë celulare të rrisin edhe më shumë përpjekjet e tyre tregtare,
për të fituar/mbajtur klientelën. Pra, sa më shumë konkurrencë të ketë, klientët do të jenë ata që do të përfitojnë. Duhet falënderuar AKEP për përshpejtimin e procesit
dhe për një punë shumë profesionale, e cila ka si qëllim të lëshojë një shërbim të konsoliduar dhe të mirë, i parashikuar për të dyja palët, operatorët dhe klientët.
[1] Marrë nga cikli i intervistave që Monitor realizoi pak kohë më parë me drejtuesit e katër kompanive celulare
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.