Të ardhura nga shitja e hapësirave publicitare (tregu i Google), nga transferimi i të dhënave (fusha e Facebook) dhe fitimet prej abonimeve në shërbimet dixhitale (tarifat për të dëgjuar muzikë me Spotify apo për të bërë një xhiro me Uber).
Komisioni Europian prezantoi idenë e tij për ‘web tax’. Nëpërmjet këtij ligji, qeveritë mund të fitojnë rreth 5 miliardë euro në vit. Kjo ‘web tax’ do të aplikohet te gjigantët e teknologjisë.
Për të është i nevojshëm miratimi nga gjithë 28 vendet, përfshirë edhe Irlandën dhe Luksemburgun, që e kanë bazuar një pjesë të ekonomisë së tyre në krijimin e “parajsave fiskale”, ku kolosët e teknologjisë (e jo vetëm) kanë paguar për vite të tëra taksa shumë të ulëta.
Çfarë parashikon projektligji dhe kujt i drejtohet
‘Web tax’ europiane parashikon një taksim prej 3% të qarkullimit që shoqëritë të cilat veprojnë në fushën e teknologjisë fitojnë në çdo vend. Sipas përllogaritjeve të Komisionit Europian, kjo do të sillte në arkat e shteteve rreth 4,8 miliardë euro në vit. ‘Web tax’ nuk i përfshin gjithë shoqëritë që ofrojnë shërbime online – “kompanitë e vogla dhe startup nuk do të preken”, por vetëm “aktorët e mëdhenj” – ose ndryshe kompanitë, xhiro vjetore globale e të cilave shkon më shumë se 750 milionë euro, dhe një tatim në Bashkimin Europian të paktën 50 milionë euro. Pra kompanitë që kanë “një pozitë të fortë në treg”.
Tatimi do të zbatohet në të ardhurat që Google fiton nga reklamat online; te të ardhurat që kompani si Apple apo Spotify përfitojnë nga shitja e abonimeve ndaj shërbimeve të tyre; apo te biznesi që lidhet me shitjen e të dhënave palëve të treta, fusha e Facebook apo rrjeteve të tjera sociale. Përjashtohen kompani si Amazon që shesin të mira “fizike” nëpërmjet e-commerce.
Sidoqoftë bëhet fjalë për një ligj “të përkohshëm”, për të ndalur hapësirën legjislative, në pritje të krijimit të një plani, në nivel ndërkombëtar me G20, se si të trajtohen këto “kompani dixhitale”.
Taksa “siguron që aktivitetet që sot nuk tatohen, të fillojnë të gjenerojnë të ardhura të menjëhershme për shtetet anëtare”. Po ashtu, ndihmon “të shmangen veprimet e njëanshme”, që do të krijonin një sistem “përgjigjesh kombëtare që do të dëmtonin tregun tonë unik” – shpjegon Komisioni Europian. Por kjo nuk është zgjidhja.
Ndërkohë është duke u menduar për hapin a ardhshëm, një propozim në afat të gjatë, që do t’u lejonte shteteve anëtare të “taksonin fitimet aty ku gjenerohen, edhe nëse kompanitë nuk kanë një prezencë fizike në territorin e tyre”. Sipas Brukselit, tre janë rrugët e mundshme për të gjykuar kur një prej këtyre kolosëve të biznesit “virtual” është aktiv brenda kufijve kombëtarë: të paktën 7 milionë euro të ardhura në vit gjenerohen në atë shet; më shumë se 100 mijë qytetarë të regjistruar në atë platformë dhe një numër më i madh se 3000 kontratash për shërbimet dixhitale për përdoruesit e biznesit.
Burimi: Corriere della Sera