Nëse është luftë, jemi gati të luftojmë. Lufta e ftohtë SHBA – Kinë mund të ketë pasoja në të gjithë industrinë. Por tani, po ndodh kundërpërgjigjja kineze…
Sipas Global Times, gazeta kineze që kontrollohet nga e përditshmja zyrtare e Partisë Komuniste (People’s Daily), Huawei është gati të sjellë në treg një sistem operativ të tijin, që quhet Hongmeng. Por jo vetëm, kompanitë kineze më të rëndësishme, si Vivo, Tencent, Xiaomi dhe Oppo, janë ftuar që ta testojnë. Kjo lëvizje, nëse ndarja SHBA – Kinë bëhet e pashërueshme, mund të zhvendosë 1 miliard përdorues, duke hapur një konkurrencë të re në botë, që ka në qendër sistemet operative të smartphone-ve.
Kërcënimi kinez
Ky lajm, është e drejtë ta theksojmë, për momentin nuk ka konfirmime zyrtare. Por burime të ndryshme, tregojnë një gjë të qartë: qeveria kineze kërkon të ushtrojë presion tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe këtë e bën duke përcjellë një mesazh që tingëllon pak a shumë kështu: në këto anë kemi gati një sistem operativ, për të cilin po punojmë prej muajsh dhe që janë duke e testuar prodhuesit tanë më të rëndësishëm të smartphone-ve. Ky është një alarm, veçanërisht për Google, që pikërisht falë prodhuesve kinezë ka fituar një leadership – atë të Android – pa rivalë. Gjithnjë sipas Global Times, prezantimi i Hongmeng mund të përkojë me daljen në treg të Huawei P40, i parashikuar në pranverë të vitit 2020.
Për çfarë bëhet fjalë
Është objektivisht e vështirë sot të ngresh hipoteza se si mund të jetë ky sistem i ri operativ i Huawei. Dhe se sa do të jetë në gjendje të konkurrojë sistemin operativ Android. Sigurisht, imponimi i mundshëm i qeverisë kineze ndaj kompanive kineze për të shmangur marrëdhëniet tregtare me Google (pak a shumë ajo që bëri Trump me Huawei) do të ndryshonte letrat në tavolinë në pak javë. Por nga pikëpamja teknologjike mbeten dyshime të mëdha, që vetëm prezantimi zyrtar i Hongmeng mund t’i zhdukë. Një sistem i ri operativ në pronësi, sigurisht, që do të duhej të vlerësohej. Në mes të luftës së ftohtë mes dy shteteve, ato që kanë rëndësi janë shifrat, ndalimet, detyrimet tregtare. Dhe në këtë rast, cilësia e një produkti kalon në plan të dytë.
Dy botë autonome
Nëse Kina është gati të përballet me Trump, perspektiva është një realitet teknologjik mjaft i ndryshëm nga ai aktual. Deri më sot, marrëdhëniet Kinë-SHBA kanë funksionuar mjaft mirë: nga një anë prodhimi i hardware-ve me kosto të ulët, nga ana tjetër projektimi dhe dizenjimi i software-ve. Tani, dy vendet rrezikojnë ta gjejnë veten në pozita konflikti dhe industria teknologjike mund ta shohë veten tek punon në dy botë të ndara. Kompani amerikane si Apple, mund (dhe pjesërisht po e bëjnë këtë) ta zhvendosin prodhimin në Indi. Nga ana tjetër, kompanitë kineze nuk do të kenë më sistemin operativ Android, por një të tyrin. Muajt e ardhshëm do të jenë të ndërlikuar.
Rënia e Huawei
Ndërkohë, presionet e qeverisë amerikane duket se peshojnë tek shitjet e Huawei, që shtyn objektivin për t’u bërë prodhuesi i parë në botë për smartphone. Kalimi i Samsung pritej në fund të këtij viti, por rrethanat e “papritura” ndryshuan letrat në tavolinë dhe tani, për të fituar “medaljen e artë”, do të “duhet pak më shumë kohë”, tha shefi i strategjisë së Huawei, Shao Yang.
“Nëse nuk do të ishim përballur me këto të papritura, do të ishim bërë prodhuesi numër një në botë brenda tremujorit të katërt të këtij viti” – tha Shao. “Por tani duhet të presim edhe pak për të arritur këtë objektiv” – shtoi ai, duke mos iu referuar drejtpërdrejt Presidentit amerikan, Donald Trump dhe as luftës së ftohtë që po zhvillohet. Sipas analistëve të Gartner, në tremujorin e parë 2019, Samsung ka shitur 71,6 milionë smartphone, Huawei 58,4 milionë dhe Apple 44,56 milionë njësi.
Burimi: Il Sole 24 Ore