Mes interesit shqiptar për të tërhequr investime të huaja dhe investitorëve kinezë që po shpenzojnë shumë në investime, së fundi qëndron një problem që mund të humbë shanset aktualisht.
Qeveria shqiptare, por edhe investitorët kinezë, kërkojnë projekte të gatshme
Me çantat në dorë, investitorët kinezë kanë nisur fluturimet për të studiuar tregjet dhe për të investuar.
Një portë që rri hapur dhe po pret, është edhe Shqipëria. Por çfarë nuk e bën të mundur lidhjen e interesave të përbashkëta të dy tregjeve ekstremisht të ndryshme për nga madhësia,
që gjithsesi kanë pasur përvojë të mëparshme në bashkëpunim?! Disa vepra të mëdha publike, si hidrocentrali i Fierzës janë bërë bashkë me inxhinierë kinezë e me pajisje të ardhura nga Kina,
mbi 30 vite më parë. Historia përsëritet, por sigurisht që me kushte të tjera. Shqipëria kërkon të investojë në hidroenergjetikë dhe kinezët janë të interesuar për këto investime.
Por, deri më tani, asnjë nga projektet private shqiptare nuk ka arritur të tërheqë kapital aziatik. Problemi i krijimit të lidhjeve të suksesshme është te qëndrimi i ndryshëm i dy palëve kur flasim për investime.
Institucionet shqiptare mirëpresin investimet e huaja, bashkë me projektet. Ndërsa sipërmarrësit kinezë do të donin në tavolinë një projekt konkret me parametrat dhe kostot e përafërta të investimit.
Për këshilltarin ekonomik të Ambasadës Kineze në Tiranë, He Binghua, “nuk është e qartë se ku mund të investojmë.
Zakonisht nga bisedat me palën shqiptare vërejmë se qeveria shqiptare mirëpret investimet e huaja dhe na ka treguar se është e hapur për investimet në të gjitha fushat.
Por nga ana jonë, nuk e kemi shumë të qartë, çfarë mund të bëjmë në fushën e turizmit, infrastrukturës apo ndonjë fushë tjetër”.
Ndërsa në botë, sipërmarrësit kinezë po blejnë kompani të ngritura e me emër të krijuar tashmë, vështirë të mendohet që të vijnë të bëjnë një studim në vendin tonë dhe të propozojnë projekte e investime.
“Kina është e largët nga Shqipëria, ndaj ndërmarrjet kineze para se të vijnë këtu, duan të mendojnë se çfarë mund të investojnë. Ata do të donin nga pala shqiptare projekte sa më konkrete.
Ne mund t’i propozojmë këto projekte në Kinë”, propozon z. Binghua.
Sipërmarrjet kineze në rajon nuk mungojnë. Në Serbi, një prej tyre po ndërton “unazën” e Beogradit, pasi fitoi të drejtën e zbatimit të projektit të bërë nga vetë Beogradi.
Për Shqipërinë, interesi i sipërmarrësve aziatikë është në fushën energjetike, në ndërtimin e rrugëve, apo të portit. Por, kushti është pasja e një projekti.
“Nëse këtu ka projekte konkrete dhe kërkohet bashkëpunim me kompani të huaja, ne duhet të dimë afërsisht vlerën e këtij investimi,
cilat janë kushtet e realizimit, nëse kërkohet financim, apo thjesht zbatimi praktik, ndërtimi i veprës”, thotë këshilltari Binghua.
Për të kuptuar interesin, mjafton të vërejmë vizitat e shtuara që ambasadori kinez ka bërë së fundi në Tiranë e Durrës.
Vitin e kaluar, një kompani kineze shprehu interes të ndërtonte terminalin e Portit të Durrësit, por rruga e largët, apo nxitimi shqiptar i solli ata me vonesë.
Interesi i tyre nuk është shuar për investime të tjera në porte, pasi siç shpjegon përfaqësuesi i ambasadës, “do të kishim shumë dëshirë që nëse autoritetet portuale të Durrësit apo porte të tjera,
kanë një projekt dhe kërkojnë investime të huaja, të bëjnë prezantim të projekteve me një përshkrim, në mënyrë që të mund t’ua prezantojmë kompanive të duhura”.
Ai është i sigurt se, nëse ka mundësi bashkëpunimi me kompani kineze, patjetër që ka interes nga sipërmarrësit kinezë.
Vitin që shkoi, një kompani shprehu interes dhe u angazhua të merrte pjesë në tenderin për ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan dhe tunelit të Kërrabës.
Por, edhe në këtë rast, ajo nuk arriti të bëhet pjesë e tenderit, pasi nuk pati kohë të mjaftueshme të plotësojë dokumentet.
Mos duhet të jemi më të hapur e më pak të nxituar me “miqtë e largët” e njëkohësisht investitorin më të fuqishëm sot në Botë?!
Siç shpjegojnë edhe përfaqësues të ekonomisë në vend, sipërmarrësit kinezë do të duhej t’i shohim me të njëjtin sy që po i sheh bota e zhvilluar, mbase duke filluar që me pritjen e tyre në aeroport.
Me shumë kujdes e mirësjellje z.Binghua tregon disa përvoja jo shumë të këndshme të vetë atij dhe një numri të vogël biznesmenësh, kur u është dashur të presin të fundit për të bërë “chek out”.
Kina, partneri i tretë tregtar
Prej disa vitesh, partneriteti i tregtisë së jashtme shqiptare me Kinën renditet në vendin e tretë, pas Italisë e Greqisë.
Me një vëllim të shkëmbimeve tregtare prej rreth 39.4 miliardë lekësh, tregtia e jashtme me Kinën ishte mbi 2 miliardë lekë më e lartë se ajo e zhvilluar me Gjermaninë.
Megjithatë, krahasuar me këtë të fundit, tregtia me Kinën karakterizohet nga një deficit tregtar më i thellë.
Sipas të dhënave të Institutit Shqiptar të Statistikave (INSTAT), eksportet drejt tregut të largët aziatik gjatë vitit 2011 u rritën rreth 44% krahasuar me një vit më parë, duke arritur në 12.8 miliardë lekë.
Në të njëjtën kohë vlera e importeve u rrit 13%. Por vlera e tyre gati tri herë më e lartë se ajo e eksporteve, bën që deficiti tregtar të mbetet i lartë. Vitin e kaluar, deficiti u përkeqësua 0.5%.
Importet kineze furnizojnë një pjesë të rëndësishme të tregut shqiptar të veshjeve, elektronikës dhe produkteve plastike. Tregtarë shqiptarë kanë krijuar lidhjet direkte, duke marrë rrugëtimet e largëta.
Por importet më të mëdha vlerësohet të realizohen nga vetë tregtarët kinezë. Sipas përfaqësuesve të ambasadës kineze në Tiranë, nunërohen rreth 30 sipërmarrje të tregtisë me shumicë,
të drejtuara nga ata që kanë bërë profesion tregtinë, vetë kinezët.
Në eksporte, oferta shqiptare ishte shumë e kufizuar vetëm në disa lëndë të marra minerare, derisa çmimi i tyre u rrit ndjeshëm në vitin 2010.
Çmimi i mineralit të bakrit arriti nivelet e tij më të larta vitin e kaluar, duke shënuar 1600 dollarë/ton. Sipas të dhënave të tregtisë së jashtme,
mbi 90% e eksporteve shqiptare përbëhet nga mineralet e bakrit e kromit. Gjatë këtij viti, tendenca e çmimeve të mineraleve është në rënie,
por përfaqësuesit e kompanive tregtare thonë se një rënie e mundshme e çmimit nuk do të ndikojë në ndonjë ulje të theksuar të eksporteve të mineraleve.
Periudha e “artë” e çmimeve të larta i nxiti sipërmarrjet nxjerrëse të investojnë në nxjerrjen e pasurimin e mineralit.
Një treg i etur për lëndë të parë ka krijuar mundësi rritje edhe për industrinë e riciklimit në vend.
Prodhuesit e fabrikës së përpunimit të shisheve “Pet”, “General Polymere Reciclyng Albania” tregojnë se eksportojnë më shumë 60% të shisheve të përpunuara në tregun kinez.
Fatmir Sula, sipërmarrës i kësaj fabrike, thotë se, “kemi krijuar lidhje direkte me fabrikat kineze dhe mundësitë e shitjeve janë të mëdha.
Kufizimin e kemi te sigurimi i pakët i lëndës së parë, pasi me materialin e grumbulluar vetëm në vend nuk shfrytëzojmë as 20% të kapacitetit përpunues”.
Kina del për “shopping”
Kina po rritet me ritme të larta, ndërsa tregjet e tjera po përpiqen t’i shpëtojnë një tjetër recesioni të mundshëm këtë vit.
Dobësitë e kontinentit të vjetër, por edhe kontinentit të ri të SHBA-ve, kanë nxjerrë në pah forcën e një vendi të madh “punëtor” si Kina.
Pasi punuan për dhjetëra vite për llogari të kompanive të njohura ndërkombëtare, të cilat u vendosën në Kinë për shkak të kostove të ulëta të punës,
tani janë pikërisht qeveria kineze e sipërmarrësit e mëdhenj të tregut më të madh aziatik që po luajnë kartat e tyre.
Vetëm blerja e borxhit amerikan, do të përkthehej në një investim prej 200 dollarësh për person në Kinë.
Takimet e fundit të zhvilluara mes Kryeministrit kinez e drejtuesve të Bashkimit Europian lënë mundësinë për të menduar për një tjetër blerje borxhi publik.
Politika e investimeve të qeverisë kineze jashtë tregut të saj po ecën paralelisht edhe te kompanitë e mëdha sipërmarrëse kineze.
Vetëm pak muaj më parë, grupi kinez “Shig-Weichai” mori kontrollin e prodhuesit më të madh botëror të jahteve të luksit “Ferretti”.
Kompania italiane bëri të ditur se prodhuesi kinez i makinerive “Shandong Heavy Industry Group” (Shig), për një vlerë prej 374 milionë eurosh (178 milionë euro investime e 196 milionë për financimin e borxhit të grupit), mori 75% të shoqërisë.
Periudha që fillon me shfaqjen e krizës së pasurive të paluajtshme në SHBA dhe që vazhdon edhe këtë vit, po rezulton si një sezon uljesh për investitorët kinezë.
Një kompani e vogël por ambicioze kineze “Geely”, bleu “Volvo”-n me vlerë gati 4 herë më të ulët se vlera që “Ford” pagoi për blerjen e “Volvo”-s në vitin 1999.
Pekini po nxit ndërmarrjet shtetërore të zgjerojnë investimet përtej kufijve, ndaj investimet kineze jashtë pritet të rriten edhe në vitet e ardhshme.
Sipas të dhënave të qeverisë kineze, stoku global i investimeve direkte kineze në botë ka arritur 330 miliardë dollarë në mes të vitit të kaluar. Në vitin 2002, ky investim ishte 30 miliardë dollarë.
Duke parë ambiciet e Pekinit dhe përmasat e ekonomisë kineze, grupi i studimeve “Rhodium Group” vlerëson se kompanitë kineze mund të investojnë 1 mijë miliard dollarë në tregjet e huaja prej tani deri në 2020-n,
ku pjesa më e madhe e këtyre investimeve do të shkojnë drejt vendeve të zhvilluara. “Interesat e investimeve kineze po zhvendosen nga burimet natyrore drejt aseteve të shumë ekonomive,
të tilla si marka, teknologji e rrjete tregtie, ndaj tregje si Europa do të marrin një pjesë të mirë të investimit prej 1,000 miliardë dollarësh”, tha Thilo Hanemann, drejtor i kërkimeve i “Rhodium Group”.
Europa u bë shpejt tregu kryesor i shkrirjeve dhe blerjeve nga sipërmarrje kineze. Nga një vëzhgim i bërë mes 3 mijë kompanive të mëdha kineze, rezulton se një e treta e tyre (1000) kanë investuar në vendet e BE-së,
krahasuar me 28% të atyre që përmendën Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për pjesën më të madhe, investimet kineze janë mirëpritur në Europë si burim kapitali, por në disa vende,
kjo ka krijuar edhe tensione. Komisioneri i industrisë për BE-në, Antonio Tajani, ashtu si dhe disa zyrtarë të tjerë të vendeve të Bashkimit Europian në Spanjë, Itali dhe Francë,
tregojnë se janë të shqetësuar që kompanitë kineze po blejnë sipërmarrjet europiane, duke ua nënshtruar ato teknologjive të tyre.
Ndryshe nga qëndrimi i dyfishtë për “mirëpritjen” e investimeve direkte kineze, si vendet më të zhvilluara europiane, edhe ato amerikane po e shohin Kinën si partneri që do t’i shpëtojë nga telashet e shitjeve.
Ndryshe nga vetëm pak vite më parë, kur u drejtoheshin për të shfrytëzuar krahun e lirë të punës, me qëllimin përfundimtar për të shitur prodhimet e tyre në tregjet e shtrenjta, tani vetë Kina po shihet si një treg shumë i mirë për prodhime cilësore.
Në planet e saj të rritjes këtë vit, Gjermania ka parashikuar të ketë Kinën si një destinacion të rëndësishëm të prodhimeve “Made in Germany”.
Një prej rrjeteve më të mëdha të tregtisë në botë është angazhuar në zgjerimin e tregtisë elektronike në tregun që po rritet me ritmet më të shpejta.
Në një njoftim të bërë publik javës së kaluar Wal-Mart tregon se do të marrë në kontroll 51% të Yihaodian. Kohët e fundit, edhe prodhuesit më të shtrenjtë të elektronikës e veshjeve kanë hapur rrjete dyqanesh në tregun prej rreth 1.3 miliardë banorësh.
Interesat e investimeve kineze po zhvendosen nga burimet natyrore drejt aseteve të shumë ekonomive, të tilla si marka, teknologji e rrjete tregtie
Investimet direkte kineze në botë
330 mld USD – në vitin 2011
30- mld USD – në vitin 2002
1000 mld USD – pritshmëritë 2020
Burimi: Të dhënat zyrtare të qeverisë kineze dhe agjencia “Rhodium Group”
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.