Për tregjet në zhvillim, një Rezervë Federale më e frikësuar është më pak e rrezikshme. Kur tregjet e aksioneve të Amerikës lëkunden, politikëbërësit kinezë marrin frymë lirisht
Kur ekonomia amerikane ngadalësohet, tregjet në zhvillim ndajnë po të njëjtën dhimbje me të, sepse Amerika është një treg i domosdoshëm për mallrat e tyre, shkruan The Economist.
Por edhe kur ekonomia amerikane është në momentin e saj më të mirë, tregjet në zhvillim vuajnë sërish, sepse Rezerva Federale do të rrisë normat e interesit, duke ulur kërkesën për asetet e tregjeve në zhvillim.
Situata e ndërlikuar dhe e vështirë u ilustrua edhe në 2018. Ekonomia e Amerikës u zgjerua fuqishëm. Por nxitja ndaj kërkesës globale u përkeqësua nga reagimi i Rezervës Federale ndaj saj: një normë rritje prej 4% që kërcënoi monedhat e mbivlerësuara dhe ekonomitë e mbingarkuara në botën në zhvillim. Një prej indekseve të aksioneve të tregjeve në zhvillim, MSCI, pësoi rënie me gati 17% gjatë gjithë 2018.
Tregjet në zhvillim u lehtësuan nga siguria e ofruar nga Jerome Powell, kryetari i Rezervës Federale, në fillim të këtij muaji. Ai theksoi se inflacioni amerikan do të jetë i “qetë” dhe se Rezerva Federale do të jetë “e durueshme” dhe se do të dëgjojë “me një interes të lartë” tregjet financiare në zhvillim, të cilat nuk kanë qenë aspak të qeta së fundmi. Ai nuk harroi pa përmendur edhe mënyrën me të cilën veproi Rezerva Federale ndaj tregjeve në zhvillim në vitin 2016.
Gjatë atij viti, Rezerva Federale tha se do t’i rriste normat katër herë, por në fund të dhjetorit, ajo i rriti ato edhe një herë tjetër.
Një efekt anësor i dukshëm ishte se aksionet e tregjeve në zhvillim e mbyllën atë vit 9% më të larta se sa kishin qenë në fillim të tij. A mundet që situata të përsëritet edhe këtë vit, a do të jetë 2019 një rikthim i ngjashëm? Një arsye e cila na bën që të shpresojmë për më të mirën është se më e keqja ka ndodhur tashmë. Disa prej monedhave më të mbivlerësuara një vit më parë kanë rënë ndjeshëm. Hendeqet më të mëdha tregtare janë ngushtuar. Në fillim të një viti më parë, lira turke ishte në nivele më të larta sesa pritej (sipas Institutit të Financave Ndërkombëtare (IIF-së) ajo u vlerësua me 5.5 ndaj dollarit amerikan). Por më pas, në gusht, ajo ra në nivele shumë të ulëta, ndërsa tani e ka marrë sërish veten.
Importet e dobëta dhe eksportet më konkurruese tregojnë se Turqia ka shënuar një suficit të llogarisë rrjedhëse për tre muaj me radhë.
Inkurajuese janë edhe shenjat e progresit të bisedimeve mbi tregtinë ndërmjet Amerikës dhe Kinës. Në një postim të fundit në rrjetin social Twitter, Presidenti Donald Trump, shkroi se bisedimet ndërmjet tyre ishin duke shkuar “më së miri”. Luhatshmëria në tregun e aksioneve të Amerikës mund të ketë alarmuar Shtëpinë e Bardhë mbi rreziqet e një rritjeje të mëtejshme të tarifave ndaj mallrave kineze. Kur tregjet e aksioneve të Amerikës janë të paqëndrueshme, politikëbërësit kinezë marrin frymë lirisht. Por kjo nuk do të thotë se kërcënimet janë shuar plotësisht.
Një prej tyre lidhet pikërisht me reagimin e tepruar të komenteve të z. Powell. Për muaj me radhë, tregjet financiare kanë pritur që Rezerva Federale të qetësohet dhe të mos i rrisë më normat e interesit. Tani që z. Powell duket optimist ndaj idesë, tregjet kanë dalë në përfundimin se ai do të ndalojë rritjen e të gjithave së bashku, thekson Robin Brooks nga IIF-ja. Sipas tregjeve të së ardhmes ka rreth 86% mundësi që norma e fondeve federale ta mbyllë këtë vit në nivele jo më të larta në krahasim me ato që janë sot.
Rreziku i dytë lidhet me situatën e vështirë dhe të komplikuar të tregjeve në zhvillim. Kur Rezerva Federale ndërmerr masa të ashpra, ajo i lëndon tregjet në zhvillim. Por edhe kur ajo tregohet më paqësore, zakonisht për shkak se rritja është e paqëndrueshme, tregjet në zhvillim lëndohen sërish. Indeksi mujor i Institutit të Menaxhimit të Furnizimit të prodhimit amerikan, i cili bazohet në anketat e menaxherëve të blerjeve, ra me 5.2% në dhjetor.
Edhe dy indekse të ngjashme të menaxherëve të blerjes në Kinë ranë poshtë nivelit 50, që është edhe niveli që ndan zgjerimin nga tkurrja.
Kjo ka rritur edhe frikën e një stanjacioni ekonomik global të sinkronizuar, si zgjerimi i vitit 2017. Por për momentin, frika duket e ekzagjeruar.
Sipas J.P. Morgan dhe IHS Markit, prodhimi është ende në zgjerim, megjithëse me ritme më të ngadalta se në fillim të vitit 2018.
Sipas Capital Economics, prodhimi i tregjeve në zhvillim pritet të bjerë nën 48, përpara se prodhimi industrial të tkurret, vit pas viti.
Rritje me dy yje
Mbajtja e vijueshmërisë së rritjes së tregjeve në zhvillim nuk është aspak e lehtë. Shumë vende i raportojnë shifrat tremujore të PBB-së me një vonesë shumë të gjatë, ndërsa disa të tjera nuk i raportojnë fare. Indikatorë të ndryshëm, si edhe ai i PMI-së, shpeshherë po dalin me mangësi. Shumë prej tyre janë të vjetra dhe të papërditësuara, gjë që i bën jo fort të besueshëm për vlerësimin e rritjes.
Arend Kapteyn dhe Pierre Lafourcade nga banka UBS, janë përpjekur që të minimizojnë boshllëqet në këtë drejtim, duke përdorur disa prej teknikave statistikore që i ndihmuan të fitonin çmimin Netflix të vitit 2009. Këtë çmimi kompania e dha për këdo që mund ta ndihmonte të parashikonte se cilët ishin filmat më të pëlqyer nga shikuesit, bazuar vetëm në vlerësimet me yje të ndryshme për filma në të kaluarën.
Duke u mbështetur në modelin e bankës UBS, tregjet në zhvillim u rritën me një normë vjetore prej më pak se 4% në tremujorin e fundit të vitit 2018, krahasuar me një normë prej 5.7% në gjysmën e parë të vitit. Niveli i rritjes është po aq i ulët sa në fund të vitit 2015, dhe rënia e rritjes është e krahasueshme me uljen që ndodhi në vitin 2012.
Sipas dy ekonomistëve të mësipërm, ngadalësimi i atribuohet kryesisht tregtisë, por jo domosdoshmërisht luftës tregtare. Eksportet dhe faktorë të tjerë të “jashtëm” që patën ndikim në rritje u përkeqësuan në fillim të marsit të vitit 2018, përpara se Amerika të vendoste tarifat ndëshkuese ndaj Kinës për shkak të cenimit të pronës së saj intelektuale. Por supozimi sado ngushëllues që të jetë nuk do të thotë se lufta tregtare nuk mund të ndizet sërish.
Pavarësisht pakënaqësive dhe ankesave ekonomike të Amerikës kundër Kinës, përshkallëzimi i luftës midis tyre do të dëmtonte mundësitë e rritjes globale. Ashtu siç shprehet edhe Yossarian, personazh i novelës së famshme “Catch-22”, për dikë që ka vdekur nuk ka aspak rëndësi se kush e fiton luftën.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.