Komiteti i Lehtësimit të Tregtisë i mbledhur pak ditë më parë duket se është ndalur në katër problematika kryesore të cilat i bëri publike kete te premte në një version të përmbledhur Ministria Mbrojtjen e Sipërmarrjes. Në një komunikatë të këtij institucioni zbardhen të paktën katër prej temave që lidhen kryesisht me eksportet shqiptare të perimeve, produkteve joshtazore, qumështit dhe prodhimeve peshkore. Kjo nuk është hera e parë që ky Komitet bën pjesë të axhendës këto tematika ndërkohe që edhe më herët shteti që duket se kemi pasur edhe një lloj ngërçi është Maqedonia.
Përmbledhja e plotë e Ministrisë
“Informacione mbi çështjet që u ngritën gjatë diskutimeve të Komitetit Kombëtar për Lehtësimin e Tregtisë.
Në lidhje me Maqedoninë dhe barrierat për eksportin e prodhimeve shqiptare bujqësore dhe të qumështit: Është zgjidhur problemi i marrjes së mostrave për çdo ngarkesë me perime në pikat e inspektimit kufitar Maqedonas dhe pritjes për 48 orë të përgjigjes së analizave. U dakortësua që frekuenca e marrjes së mostrave do jetë çdo (pesë) ngarkesa ose vetëm 20% e ngarkesave do te mostrohen dhe koha e pritjes se rezultatit te analizave do jetë me pak se 24 orë. Në bazë të rezultateve kjo frekuencë mostrimi mund të reduktohet akoma më shumë.
Është zgjidhur problemi i ndalimit të ngarkesave me produkte jo shtazore për pajisje me një dokument të lëshuar nga AKU. Pala Maqedonase pranoi ekzistencën e gabimeve nga inspektorë të veçantë dhe përpiluam bashkërisht formën e këtij dokumenti, i cili pas miratimit i është dërguar për zbatim AKU-së. Për këtë kategori produktesh është sqaruar edhe problemi i ri-eksporteve.
Për eksportin e qumështit UHT dhe produkteve me bazë qumështi. Për produktet me bazë qumështi që plotësojnë disa kushte të veçanta dhe për të cilat Shqipëria është listuar në listën e vendeve të treta që mund të eksportojnë në BE, por për shkak se nuk ka asnjë stabiliment Shqiptar të miratuar nga BE për kryerjen e këtyre eksporteve, në përputhje me legjislacionin kombëtar Maqedonas, aprovimi i stabilimenteve shqiptare që duan të eksportojnë në Maqedoni do të bëhet nga një komision i krijuar me urdhër të drejtorit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Maqedonisë.
– Në lidhje me eksportet e prodhimeve peshkore në drejtim të BE bëjmë këtë saktësim: Bazuar në Aneksin III te MSA, Shqipëria ka kuota eksporti pa doganë ose me doganë të reduktuar. Tarifat doganore shkojnë nga 8 -9 % deri 12% për troftën, 8% për krapin, 15% për Dentalin (dentex dentex) dhe gjelat (Pagellus spp), 15 për levrekun, 12.5 % për sardelen e përpunuar (mbi sasinë 100 ton e cila e ka 6%) dhe 25% mbi sasinë 1600 ton të acugeve. Gjithashtu të gjitha produktet 1604 të peshkimit kanë tarifa që shkojnë nga 12.5 – 25 % (të cilat janë reduktuar tashme me 50%).
Për të gjitha këto produkte nevojitet të negociohet që tarifat të bëhen 0%. Trofta, krapi janë edhe produkte të akuakulturës dhe tarifat doganore përfshijnë si peshkun e gjallë deri te mielli i peshkut, pra në çdo formë që prezantohet. Kjo ka penguar intensifikimin e akuakulturës për këto produkte ku Shqipëria ka dhe ka patur një traditë të rëndësishme në akuakulturë.
Në lidhje me acuget dhe sardelet janë dhënë argumente pa fund dhe gjithsecili e di rëndësinë e liberalizimit të kuotave në drejtim të shfrytëzimit të kapaciteteve prodhuese ekzistuese si dhe rritjen e punësimit në përpunimin e peshkut.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.