Komisioni i Konkurrencës i ka dhënë disa rekomandime Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për nxitjen e konkurrencës në tregun e sigurimit të detyrueshëm të mjeteve motorrike për përgjegjësitë ndaj palëve të treta. Rekomandimet synojnë marrjen e masave rregullatore për ta bërë tregun e sigurimeve efecient; miratimin e tabelave të individualizuara të primit të riskut; informimi mbi vënien në funksionim të projektit Bonus-Malus; publikimin e të dhënave financiare të shoqërive të sigurimit, etj.
Rekomandimet janë dhënë pas shqyrtimit të Raportit të Hetimit të Thelluar në tregun sigurimit të detyrueshëm të mjeteve motorrike për përgjegjësitë ndaj palëve të treta, qëndrimit zyrtar të AMF-së, pretendimeve të palëve dhe kundërpretendimeve të Grupit të Punës. Pak dite me pare Autoriteti publikoi informacionin mbi raportin e hetimit të thelluar në tregun sigurimit të detyrueshëm të mjeteve motorike për përgjegjësitë ndaj palëve të treta” dhe pretendimet e ndërmarrjeve që operojnë në tregun e sigurimeve qe ndër të tjera i detyronte kompanitë të vënë në funksionim programin Bonus-Malus për sistemin e individualizuar të sigurimit të detyrueshëm bazuar në të dhënat e të siguruarit, mjetit, historikut të dëmeve të shkaktuara dhe vendndodhjes. http://www.monitor.al/kompanite-e-sigurimit-shkelin-konkurrencen-fiksojne-tarifat-konkurrenca-nderhyn-me-kushte-dhe-detyrime/
Procedura e ndjekur
Komisioni i Konkurrencës me anë të Vendimit Nr. 297, datë 18.11.2013 të Komisionit të Konkurrencës dhe Vendimit Nr. 300, datë 06.12.2013 vendosi të miratojë Hapjen e Hetimit Paraprak në Tregun e Sigurimit të Detyrueshëm Motorik Ndaj Palëve të Treta, për të parë nëse ka, ose jo, shenja të kufizimit, shtrembërimit apo pengimit të konkurrencës.
Komisioni i Konkurrencës, me propozim të Sekretariatit, me anë të Vendimit Nr. 310, datë 31.03.2014 vendosi , “Për Hapjen e Procedurës së Hetimit të Thelluar në Tregun e Sigurimit të Detyrueshëm të Mjeteve Motorike për Përgjegjësitë Ndaj Palëve të Treta”, ndaj 9 (nëntë) ndërmarrjet vijuese, që ushtrojnë veprimtarinë në këtë treg: SIGAL UNIQA Group AUSTRIA SHA, SIGMA VIENNA INSURANCE GROUP SHA, ATLANTIK SHA, INTERSIG VIENNA INSURANCE GROUP, INTERALBANIAN VIG SHA, ALB – SIGURACION SH, INSTITUTI I SIGURIMEVE SHA, EUROSIG SHA, “ANSIG” Sh.a,.
Pas përfundimit të hetimit paraprak pranë Autoritetit të Konkurrencës kanë depozituar këndvështrimet dhe angazhimet e tyre me shkrim ndërmarrjet: SIGAL SHA, ATLANTIK SHA dhe INSIG SHA ndërkohë që në seancat dëgjimore u paraqitën vetëm drejtuesit e shoqërive Sigal SHA dhe Atlantik SHA.
Pas administrimit të fakteve dhe provave dhe informacioneve të nevojshme për kyerjen e një hetimit të plotë mbi sjelljen e ndërmarrjeve në treg është hartuar raporti i hetimit të thelluar i cili i është dërguar ndërmarrjeve nën hetim me anë të shkresës së Autoritetit të Konkurrencës nr. 289, datë 20.06.2014.
Në bazë të nenit 39 të Ligjit, shoqëritë e sigurimit : Ansig, Interalbanian, Atlantik, Intersig, Sigal, Albsig, Eurosig, dhe Insig paraqitën pretendimet e tyre me shkrim, ndërsa shoqëritë Sigal, Albsig, Eurosig, dhe Insig u paraqitën edhe në seancat dëgjimore të datave 22 dhe 23 Korrik 2014.
Raporti i është dërguar për mendim dhe për organizimin e një seancë konsultatitve me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare (AMF). AMF i ka shprehur qëndrimet e saj lidhur me raportin vetëm me shkresën 1494/1 prot të datës 17.7.2014.
RREGULLIMI I TREGUT
Sipas raportit të Autoritetit, tregu i Sigurimit të detyrueshëm motorik është i rregulluar në bazë të ligjit Nr. 10076 datë 12.02.2009 “Për sigurimin në sektorin e transportit” i ndryshuar, dhe enti rregullator përkatës është Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF).
Një nga sektorët e paktë që përfitojnë përjashtime në bllok për shkak të specifikave të tregut është sektori i Sigurimeve. Komisioni i Konkurrencës ka miratuar Rregulloren për zbatimin e nenit 6 të LPMK ndaj disa kategorive të marrëveshjeve vendimeve dhe praktikave në sektorin e sigurimeve, ku parashikon përjashtimin nga ndalimi të disa kategorive të marrëveshjeve, vendimeve dhe praktikave të bashkërenduara në sektorin e sigurimeve të cilat kanë për objekt bashkëpunimin në lidhje me: vendosjen e tarifave të primeve të rrezikut të zakonshëm bazuar në statistika të konstatuara kolektivisht ose në numrin e pretendimeve; vendosjen e kushteve të policave standarde të përbashkëta; mbulimi i zakonshëm për disa lloje të caktuara rreziqesh, shlyerja e dëmeve; rregullorja ka për synim të sigurojë një mbrojtje efektive të konkurrencës, ndërsa ofron përfitime për konsumatorët dhe siguri ligjore të përshtatshme për ndërmarrjet.
AMF në zbatim të nenit 10 të Ligjit nr. 10 076, datë 12.02.2009 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit” të ndryshuar dhe pikës 3 të nenit 14, të Ligjit nr. 9572, datë 03.07.2006 “Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare”, me vendimin nr. 44, datë 24.04.2013, “Për miratimin e tabelës së primit të rrezikut për përllogaritjen e provigjoneve teknike për sigurimin e detyrueshëm të përgjegjësisë së pronarit të mjetit motorik për dëmet që u shkaktohen palëve të treta nga përdorimi i këtij mjeti” miraton tabelën e primit të rrezikut për llogaritjen e nivelit të provigjoneve të sigurimit të detyrueshëm të përgjegjësisë së pronarit të mjetit motorik për dëmet që u shkaktohen palëve të treta nga përdorimi i këtij mjeti.
Pas aplikimit të shoqërive të sigurimit gjatë periudhës mars 2014 AMF ka miratuar me vendimin nr.34 datë 25.03.2014 “Për miratimin e tabelave te primit te rrezikut për përllogaritjen e provigjoneve teknike për sigurimin e detyrueshëm te përgjegjësisë se pronarit te mjetit motorik për dëmet që u shkaktohen palëve te treta nga përdorimi i këtij mjeti”, tarifat e primit të rrezikut. Nga ana tjetër, bazuar në ligjin nr. 10076 datë 12.02.2012 “Për sigurimin në sektorin e transportit”, i ndryshuar, shoqëritë përcaktojnë vetë tarifat e primit të sigurimit të detyrueshëm (primin e shitjes) sipas kushteve të tregut.
Primet e shitjes merren nga primi i rrezikut duke shtuar edhe shpenzimet dhe fitimin që kompania pret të realizojë nga produkti. Si shpenzime dhe fitim merren parasysh sa më poshtë (përqindja e këtyre shërbime caktohet nga vetë kompania e sigurimeve): Komisioni i agjentit, brokerit; fitimi i shoqërisë; shpenzimet administrative, pasi shtohen edhe shpenzimet e mësipërme primit të rrezikut, mbi këtë vlerë aplikohet TVSH (20%).
Në vijim të shkresës së Autoritetit nr. 68 datë 13.02.2014 drejtuar AMF “Mbi zhvillimet e fundit të tregut të sigurimit të detyrueshëm” AMF me shkresën nr. 68/1 date 14.02.2014 na bën me dije se “lidhur me çmimet që shoqëritë e sigurimit kanë zbatuar së fundmi, bazuar në ecurinë dhe rezultatet e vitit 2013, në përllogaritjen e tarifave të primit të sigurimit të detyrueshëm motorik, janë shtuar edhe dy faktorë të tjerë përcaktues, që janë data e prodhimit të automjeteve që sigurohen dhe kohëzgjatja e patentës së përdoruesve të këtyre automjeteve. Shtimi i këtyre dy faktorëve të riskut ka ndikuar në ndryshimet që kanë pësuar tarifat aktuale”.
Autoriteti i Konkurrencës gjykon se këto dy faktorë prime të diferencuara duhet të sillnin ndryshime në tarifat që do të aplikoheshin për klientin fundor. Nga inspektimet e kryera dhe të dhënat e vëna në dispozicion nga ndërmarrjet rezulton se dy faktorët e përmendura nga AMF në shkresën nr. 68/1 date 14.02.2014 nuk janë aplikuar në përcaktimin e primeve të shitjes.
AMF, pas rritjes së primeve të shitjes së produktit MTPL, në datë 12.02.2014 ka publikuar në faqen e saj të internetit njoftimin “Mbi luhatjet e tarifave të sigurimit të detyrueshëm motorik në tregun e sigurimeve në vend”, ku midis të tjerave paraqet:
a. Rregullimin Ligjor të produktit MTPL sipas ligjit Nr. 10455, datë 21.07.2011 “Për disa ndryshime në ligjin Nr. 10076, datë 12.02.2009 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”. Në nenin 10 të këtij ligji parashikohet që, “… shoqëria e sigurimit përcakton vetë tarifat e primit të sigurimit, sipas kushteve të tregut …” Pra, tarifat e sigurimit të detyrueshëm janë të liberalizuara, duke i dhënë të drejtën shoqërive të sigurimit t’i përcaktojnë vetë ato, sipas kushteve të tregut….
b. Nga ana tjetër AMF thotë se nga përllogaritjet e AMF, një çmim orientues në nivel tregu, nisur nga situata në treg, do të luhatej në nivelet prej të paktën 14.4 mijë lekë dhe 21 mijë lekë përkatësisht për kategoritë me B1/1 (kubikazhi nën 1,600 cc) dhe B1/2 (kubikazhi mbi 1,600 cc) për automjetet private, që shoqëritë e sigurimit të jenë në gjendje të ruajnë ekuilibrat ekonomikë. Këto nivele çmimesh bazohen në primin orientues për rrezikun dhe janë të mjaftueshme vetëm për mbulimin e pagesës së dëmeve dhe shpenzimeve operative. Nëse do të futej dhe marzhi i fitimit apo elementet fiskalë, si për shembull TVSH, është e qartë që çmimi minimal që do të duhej të paguante konsumatori do të ishte edhe më i lartë.
c. Sipas AMF, në nenin 99 të Ligjit Nr. 9267, date 29.07.2004, “Për veprimtarinë e sigurimit, të risigurimit dhe ndërmjetësimit në sigurime dhe risigurime, i ndryshuar”, sanksionohen qartë elementet që duhet të përmbajë primi i sigurimit, të përmendura më sipër. Për AMF si autoritet mbikëqyrës e rregullator, situatë e rrezikshme do të konsiderohej nëse çmimi do të binte nën këtë nivel.
GJETJET E RAPORTIT PËR RREGULLIMIN E TREGUT
Sipas Autorietit, tregu i sigurimeve paraqet specifika të veçanta për arsye të riskut që e shoqëron këtë shërbim (transferimi i rriskut nga njëra kompani te tjetra, brenda dhe/ose jashtë Shqipërisë) dhe menaxhimi i këtij rrisku kërkon bashkëpunim mes kompanive të sigurimit të cilat njohin probabilitetin e ndodhjes së ngjarjeve dhe duhet të ndihmojnë konsumatorët duke ju përgjigjur në kohë, në cilësi dhe sasinë e përcaktuar të përfitimit pavarësisht se policën e cilës kompani sigurimi mban konsumatori klienti.
Komisioni i Konkurrencës me anë të Vendimit Nr. 247, Datë 09.10.2012 “Për disa rekomandime ndaj Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare në tregun e sigurimit të detyrueshëm motorik ndaj palëve të treta (MTPL)”, ndër të tjera i ka rekomanduar AMF-së në pikën I.2 të vendimit: “Implementimin në një kohë sa më të afërt të sistemit bonus malus, i cili do të krijonte mundësi për një diversitet dhe aplikim të primeve të ndryshme për çdo policë sigurimi të detyrueshëm motorik, duke rritur në këtë mënyrë konkurrencën midis kompanive që operojnë në këtë treg.” Deri në përfundimin e procedurave hetimore ky rekomandim i Autoritetit të Konkurrencës, për të vënë në zbatim sistemin Bonus Malus, nuk ishte zbatuar.
Për sa i përket karakteristikave dhe cilësive të tjera të produktit MTPL e brendshme, një përdorues mjeti motorik, apo një tjetër individ që është përfshirë në një aksident ku është shkaktuar një dëm, është i lidhur me karakteristikat (kompaninë, cilësinë e shërbimit që ajo ofron, shpejtësinë dhe masën, mënyrën e vlerësimit të dëmit, etj.) e produktit të sigurimit të detyrueshëm për mjetin që është shkaktar i dëmit dhe jo për cilësitë/karakteristikat e MTPL-së brendshme që ai zotëron për mjetin që ai ka në pronësi apo përdorim. Pra, çmimi i policës së sigurimit mbetet faktori përcaktues për zëvendësueshmërinë nga ana e kërkesës në rastin e produktit MTPL, produkt i cili është i detyrueshëm për përdoruesit e mjeteve motorike.
Referuar nenit 11 të Ligjit Nr. 10 076, datë 12.02.2009 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, i ndryshuar, pala e dëmtuar, bazuar në sigurimin, sipas pikës 1 të nenit 2 të këtij ligji, ka të drejtë të paraqesë kërkesën për dëmshpërblim te siguruesi, përgjegjës i pronarit të mjetit, me të cilin është shkaktuar aksidenti. Gjithashtu, referuar pikave 3 dhe 4 të këtij neni, shoqëritë e sigurimit mund të lidhin marrëveshje ndërmjet tyre, sipas të cilave kërkesa për dëmshpërblim, që lidhet me dëmin e shkaktuar nga përdorimi i një mjeti motorik ndaj një mjeti tjetër motorik, mund të trajtohet nga siguruesi i drejtpërdrejtë i pronarit të mjetit motorik të dëmtuar. Siguruesi i drejtpërdrejtë ka të drejtën e rimbursimit nga siguruesi, përgjegjës i pagesave, që lidhen me dëmshpërblimin e kryer, sipas kushteve, limiteve dhe afateve të përcaktuara në marrëveshjen ndërmjet tyre.
Në rast se midis ndërmarrjeve do të lidhen marrëveshje ashtu si parashikon nenin 11 pika 3 dhe 4 e Ligjit Nr. 10 076, datë 12.02.2009 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, atëherë çmimi i policës së sigurimit nuk do të mbetej i vetmi faktor përcaktues për zëvendësueshmërinë nga ana e kërkesës në rastin e produktit MTPL, por do të shtoheshin edhe faktorë të tjerë si cilësinë e shërbimit, shpejtësia dhe masa e dëmshpërblimit, mënyra e vlerësimit të dëmit, etj.
AMF ka miratuar çdo vit prime rreziku për sigurimin e detyrueshëm motorrik në nivel tregu pavarësisht propozimeve të herëpahershme të Autoritetit të Konkurrencës për të individualizuar primet e rrezikut sipas karakteristikave të shoqërive të sigurimit, raportit dëme-prime, etj.
KËNDVSHTRIMET E SHOQËRIVE TË SIGURIMIT PËR RREGULLIMIN E TREGUT
Autoriteti bën të ditur në raportin e tij se pas njohjes me raportin përfundimtar të hetimit të thelluar, bazuar në nenin 39 të Ligjit, në seancat dëgjimore të datave 22 dhe 23 korrik 2014 shoqëritë e sigurimit paraqitën pretendimet dhe angazhimet e tyre lidhur me raportin e hetimit të thelluar.
Në pretendimet e paraqitura me shkrim dhe gjatë seancave dëgjimore të gjitha shoqëritë e sigurimit kanë shprehur angazhimet e tyre për të zbatuar rregullimet e paraqitura në raportin e hetimit të thelluar.
Në përgjithësi shoqëritë e sigurimit shprehen mbi realizimin e pagesës së dëmeve sipas shoqërive ku është siguruar mjeti motorrik.
Nga ana e të gjitha ndërmarrjeve është konfirmuar se ka filluar testimi i sistemit të individualizuar të sigurimit të detyrueshëm Bonus Malus dhe ky testim do të përfundojë në 22 gusht 2014 për tu kthyer në funskional për tregun.
Në seancën dëgjimore të datës 23 korrik 2014 dhe në vijim me shkresën 289/7 prot, dt 24.7.2014, INSIG Sh.A shprehet se në periudhën Maj-Korrik 2013 kompania Insig ka kaluar një moment te vështirë pasi me shkresën e AMF nr. 852/ 1 dt. 24.04.2013 janë caktuar tarifa minimale dhe maksimale duke bllokuar sistemin e shitjeve, ne rast se tentohej te shitej jashte këtyre tarifave.
Nga të dhënat e depozituara në Autoritetin e Konkurrencës rezulton se ndërmarrja me peshën specifike më të vogël të të ardhurave bruto (me prime të shkruara bruto-sa 1/20 e tregut) -përveç ndërmarrjes që ka hyrë e re) ka dukshëm nivelim më të lartë të fitimit.
QËNDRIMI I AMF-së PËR PROPOZIMET E AUTORITETIT PËR RREGULLIMIN E TREGUT
AMF me anë të shkresës nr. 1494/1 të datës 17.07.2014 pasi ka shqyrtuar raportin e depozituar nga Autoriteti i Konkurrencës me shkresën nr. 304 prot të datës 08.07.2014 dhe është shprehur si vijon:
I. Lidhur me rekomandimin për trajtimin e drejtëpdrejtë të dëmit nga shoqëria e sigurimit, AMF duke ju referuar dispozitave të ligjit 10076, date 12.02.2009, “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, kanë përcaktuar se: “siguruesit mund të lidhin marrëveshje ndërmjet tyre, sipas të cilave kërkesa për dëmshpërblim, që lidhet me dëmin e shkaktuar nga përdorimi i një mjeti motorik ndaj një mjeti tjetër motorik, mund të trajtohet nga siguruesi i drejtëpërdrejtë i pronarit të mjetit motorik të dëmtuar “, shprehet se trajtimi nga siguruesi i drejtpërdrejtë nuk është detyrues për shoqëritë e sigurimit por është opsional.
II. Lidhur me primin e njësuar për të gjithë tregun, AMF shprehet se në bazë të kërkesave ligjore dhe rregullatore në fuqi, mbi bazën e të dhënave të shoqërive të sigurimit, llogarit primin e rrezikut në nivel tregu për produktet e sigurimit të detyrueshëm motorik. Ky prim do të jetë orientues për tregun e sigurimit lidhur me vlerësimin e primit të rrezikut që do të kryejnë vetë shoqëritë e sigurimit. Gjithashtu, vlerat e primeve të rrezikut të llogaritura nga Autoriteti vihen vetëm në funksion të vlerësimit të provigjonit teknik të primit të pafituar për kontratat e sigurimit të detyrueshëm motorik dhe sipas përcaktimeve në Rregullore, shoqëria e sigurimit përllogarit nivelin e provigjonit teknik të primit të pafituar të sigurimit të detyrueshëm motorik, minimalisht me vlerat e primit të rrezikut të llogaritura nga Autoriteti.
Nga ana tjetër AMF shprehet se cilësimi se shoqëria e sigurimit i përcakton vetë tarifat e primit të sigurimit, sipas kushteve të tregut, është i mbështetur në pikën 2 të Nenit 10 të Ligjit 10076, datë 12.02.2009 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, i ndryshuar.
Në raportin vjetor për vitin 2013, fq. 18, AMF shprehet se “AMF e ka konsideruar të parakohshëm liberalizimin e sigurimit e detyrueshëm motorik dhe se liberalizimi do të kryhej me bashkëpunimin dhe asistencën e BB-së dhe pasi të ishte ngritur infrastruktura e duhur për këtë qëllim”.
III. Lidhur me rekomandimin për vendosjen e sistemit Bonus – Malus, AMF njofton se janë përfunduar aktivitetet vendimmarrëse në bashkëpunim me shoqëritë e sigurimit dhe është vendosur ndarja e klasave për kategorizimin e riskut si dhe në zbatim të rekomandimeve të Bankës Botërore janë kryer lidhjet e sistemeve me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor dhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile me qëllim marrjen e të dhënave të mjetit e të pronarit nga sistemi e në këtë mënyrë shmangien e abuzimeve gjatë hedhjes së të dhënave. Gjithashtu, janë kryer zhvillimet përkatëse në regjistrat elektronik të qendrës së sigurimit te detyrueshëm motorik dhe aktualisht po testohen e po kryen zhvillimet përkatëse të sistemeve nga shoqëritë e sigurimit. Ky sistem pritet të dali në produksion në një fazë opsionale në datën 21/07/2014 me qëllim trajnimin e agjentëve e më pas në datë 20/08/2014 do të bëhet i detyrueshëm për të gjitha shoqëritë e sigurimit.
KONKLUZIONE
Mbi sistemin e individualizuar të primit
Komisioni i Konkurrencës në mënyrë të vazhdueshme ka dhënë rekomandime për AMF-në (vendimet nr. 28 dt 23.12.2005, nr. 49 dt 21.3.2007, nr. 247, Datë 09.10.2012 “Për disa rekomandime ndaj Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare në tregun e sigurimit të detyrueshëm motorik ndaj palëve të treta (MTPL)”) me qëllim rregullimin e tregut sipas parimeve të konkurrencës së lirë dhe efektive në treg. Por deri në përfundimin e hetimit nuk është mundësuar funksionimi i sistemit Bonus-Malus
Nga ana e të gjitha ndërmarrjeve është konfirmuar se ka filluar testimi i sistemit të individualizuar të sigurimit të detyrueshëm Bonus Malus dhe ky testim do të përfundojë në 22 gusht 2014 për tu kthyer në funskional për tregun. Edhe nga shkresa e AMF nr. 1494/1 prot të datës 17.7.2014 bëhet me dije se janë ndërmarrë të gjitha veprimet me shoqëritë e sigurimit, Drejtoritë e Transportit rrugor, Drejtoritë e Gjendjes Civile dhe janë kryer azhornimet në qëndrën e sigurimit të detyrueshëm motorrik për zbatimin e këtij projekti. Testi për agjentët u zhvillua me datë 21.7.2014 dhe sistemi Bonus –Malus do të jetë i detyrueshëm për shoqëritë e sigurimit me datë 20.8.2014.
Mbi pagesën e drejtëpëdrejtë të dëmeve
Në kushtet aktuale, parashikimi i pagesës së dëmit të drejtëpërdrejtë është një nga opsionet që përmban ligji por që të bëhet i zbatueshëm kërkon miratimin e akteve nënligjore (rregullore apo udhëzim nga AMF apo Byroja shqiptare e Sigurimit) si dhe marrëveshje mes gjitha shoqërive të sigurimit. Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri “Për sigurimet dhe risigurimet” AMF duhet të nxjerrë aktet nënligjore të cilat të mundësojnë zbatimin e kësaj pike detyruese të pagesës së drejtëpëdrejtë të dëmit nga shoqëria e sigurimit. Edhe shoqëritë e sigurimit janë shprehur se duhet mbajtur në konsideratë fakti se plotësimi i këtyre kushteve dhe detyrimeve nuk mund të përmbushen vetëm nga shoqëritë e sigurimit por kërkohet edhe plotësimi i akteve nënligjore nga veprimtaria e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.
Në opinionin e saj dërguar me shkresë pranë Autoritetit të Konkurrencës AMF përsa i përket rekomandimit për trajtimin e dëmit nga siguruesi i drejtëpërdrejtë shprehet se dispozitat e ligjit 10076, datë 12.02.2009, “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, kanë përcaktuar se: “Siguruesit mund të lidhin marrëveshje ndërmjet tyre, sipas të cilave kërkesa për dëmshpërblim, që lidhet me dëmin e shkaktuar nga përdorimi i një mjeti motorik ndaj një mjeti tjetër motorik, mund të trajtohet nga siguruesi i drejtpërdrejtë pronarit të mjetit motorik të dëmtuar “. Sipas kësaj dispozite trajtimi nga siguruesi i drejtpërdrejtë nuk është detyrues për shoqeritë e sigurimit por është opsional.
Sa më lart Autoriteti i Konkurrencës konkludon se për shkak të karakteristikave të produktit “policë sigurimi për mjetet motorrike”, si policë e deyrueshme, aktualisht konkurrenca zhvillohet vetëm në çmimin më të ulët gjë që i ka çuar shoqëritë e sigurimit disa herë në tarifa nën primet e rrezikut duke rrezikuar stabilitetin e sistemit financiar, evidentuar kjo edhe nga FMN dhe banka Botërore të cilat po asistojnë rregullimin e tregut të sigurimeve. Trajtimi i drejtëpdrejtë i dëmit nga shoqëria e sigurimit do ta zhvillonte konkurrencën mes shoqërive për produktet e tyre duke nxitur konkurencën jo vetëm te tarifa e ofruar por edhe mbi bazën e gjendjes financiare të shoqërisë për pagesën e dëmeve për produktin e siguruar që është dhe qëllimi kryesor i çdo blerje të riskut nga shoqëria e sigurimit te i siguruari.
VI.3. Mbi unifikimin e primit të rrezikut në nivel tregu
Pavarësisht aplikimeve të individualizuara të shoqërive të sigurimit për primin e rrezikut gjatë periudhës mars 2014, AMF ka miratuar me vendimin nr. 34 datë 25.03.2014 “Për miratimin e tabelave te primit te rrezikut për përllogaritjen e provigjoneve teknike për sigurimin e detyrueshëm te përgjegjësisë se pronarit te mjetit motorik për demet qe u shkaktohen palëve te treta nga përdorimi i këtij mjeti” tarifat e primit të rrezikut për të gjitha shoqëritë e sigurimit.
Gjithashtu në seancën dëgjimore të datës 23 korrik 2014 dhe në vijim me shkresën 289/7 prot, dt 24.7.2014, Insig Sh.A shprehet se në periudhën Maj-Korrik 2013 kompania Insig ka kaluar një moment te vështirë pasi me shkresën e AMF nr. 852/ 1 dt. 24.04.2013 janë caktuar tarifa minimale dhe maksimale duke bllokuar sistemin e shitjeve, ne rast se tentohej te shitej jashte këtyre tarifave.
REKOMANDIMET
Autoriteti i Konkurrencës vlerëson se shoqëri të ndryshme sigurimesh kanë nivel të ndryshëm të primit të rrezikut për produktet e tyre të sigurimit të detyrueshëm të mjeteve motorrike. Si rrjedhojë ai vendosi:
1. T’i rekomandojë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare marrjen e masave rregullatore për vendosjen e tregut të sigurimit të detyrueshëm të mjeteve motorrike për përgjegjësitë ndaj palëve të treta në kushtet e funksionimit efiçent duke siguruar konkurrencën mes shoqërive të sigurimit nëpërmjet marrjes së masave si vijon:
1.1. Të bëjë të zbatueshëm parashikimin ligjor për trajtimin e dëmit nga siguruesi i drejtëpërdrejtë sipas parashikimeve të ligjit nr.10076, datë 12.02.2009, “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”;
1.2. Të miratojë tabela të individualizuara të primit të riskut mbështetur në analizën e riskut sipas portofolit të shoqërive të sigurimit, karakteristikave të produkteve dhe strukturës së sigurimeve për çdo shoqëri sigurimi;
1.3. Të informojë Autoritetin e Konkurrencës në mënyrë periodike mbi vënien në funksionim të projektit Bonus-Malus deri në realizimin e plotë të projektit për individualizimin e primit të riskut sipas historikut të dëmeve të të siguruiarit, moshës së drejtuesit te automjeteve, vendbanimi dhe fuqia motorike e automjetit etj.
1.4. Të bashkëpunojë me Autoritetin e Konkurrencës në kuadër të projektit të asistencës me Bankën Botërore për rishikimin e kuadrit rregullator për produktet e sigurimit MTPL me theks të veçantë mbi teknikat e përllogaritjes së provigjoneve të dëmeve nga produktet e sigurimit MTPL.
1.5 Të publikojë raportin dhe të dhënat financiare të shoqërive të sigurimit për të mundësuar konkurrencën e ndershme në tregun e sigurimeve mbështetur në Udhëzimin “Mbi rregullat e publikimit të të dhënave të shoqërive të sigurimit, shoqërive të brokerimit në kuadrin e transparencës ndaj publikut dhe mbrojtjen konsumatorë”, me vendimin e Bordit të Autoritetit të Mbikqyrës Financiare nr. 11, datë 08.02.2007, dhe të sigurojë që “Shoqëria e sigurimit publikon raportin vjetor i cili përfshin raportin vjetor financiar dhe të dhëna të tjera të përfshira në këtë Udhëzim. Ky raport publikohet, jo më vonë se gjashtë muaj nga përfundimi i vitit kalendarik”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.