Edhe pse rënia e çmimeve të produkteve të bulmetit ka përmirësuar kërkesën për blerje nga konsumatorët në raport me vitin e kaluar, sipas përfaqësuesve të fabrikave të përpunimit të qumështit, konsumi vijon të mbetet larg niveleve para krizës së çmimeve në 2022.
Luis Ndreka, përfaqësues i kompanisë ADG (ish-Lufra) pohon se krahasuar me vjet, kërkesa ka shënuar rritje të lehtë, por ende nuk ka kapur nivelet para 2022.
Ndërsa në muajt e dimrit, sipas tij, nuk ka pasur rritje të shitjeve.
Rritja e çmimeve të mallrave të bulmetit nisi nga marsi 2022 dhe vijoi gradualisht deri në gusht të 2023, muaj në të cilin arritën pikun.
Çmimet e asaj periudhe ishin 40% më të larta se para periudhës së krizës së çmimeve që erdhi nga lufta në Ukrainë.
Rritja e çmimeve solli edhe pakësim të konsumit, veçanërisht për produktet e qumështit të deles ku u shënua shtrenjtimi më i lartë i çmimeve.
Luis Ndreka, më herët pohoi për “Monitor” se kjo solli rënie të kërkesës 10 – 15% në 6-mujorin e parë të 2023, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022.
Çmimet, sipas tij, kanë tendencë rënëse për shkak të konkurrencës nga produktet e importit, por edhe nga ulja e çmimit të qumështit vendas, pasi është shtuar prodhimi.
Importet e qumështit vijojnë të shënojnë rritje. Sipas të dhënave të Doganave në periudhën janar-mars janë importuar 4,6 milionë litra qumësht, sasia më e lartë që nga viti 2016. Importet e periudhës krahasuar me vjet janë rritur rreth 33%.
Rritja e importeve po nxitet edhe nga problematikat e shitjes së prodhimit vendas. Brenda një viti, çmimi i shitjes së qumështit të lopës për fermerët është ulur me 25%, nga 80 lekë pa TVSH që ishte në muajin prill të vitit të kaluar, aktualisht po kërkohet me 60 lekë pa TVSH.
Në harkun e një viti, çmimi i shitjes së qumështit është ulur disa herë me 2 deri në 3 lekë.
Ulja e fundit u shënua më 1 prill 2024 edhe me 10 lekë të tjera. Çmimi i shitjes së qumështit, nga 70 lekë pa TVSH, arriti në 60 lekë pa TVSH.
Ervin Resuli, drejtues i një ferme të mesme në Fier, tha se nga fabrikat e përpunimit të qumështit nuk po blihet qumësht i prodhuar nga fermat e mëdha dhe të mesme, për shkak konfliktit me çmimet.
Të vetmit që po shesin qumështin me çmim 60 lekë, nën koston e prodhimit janë fermat e vogla.
Z. Resuli tha se situata është krijuar pas rënies drastike të çmimit të shitjes që rrezikon falimentimin e fermave. Sipas tij, nga muaji prill 2023, kur qumështi tregtohej me çmim 80 lekë pa TVSH deri tani, çmimi i shitjes ka rënë 20 lekë për litër.
Ulja e çmimit të shitjes detyroi blegtorët të dalin për herë të dytë në protestë në mbrojtje të prodhimit tyre, duke kërkuar më tepër subvencione nga shteti shqiptar.
Luis Ndreka, nga kompania “Lufra”, pohon se çmimi i qumështit si lëndë e parë ka qenë më i larti në Europë e ndoshta edhe në botë, deri afër fundit të vitit 2023.
Sipas tij, çmimi mbetet ende i lartë krahasuar me vendet europiane edhe me uljen e fundit të datës 1 prill 2024, për shkak subvencioneve që jepen ndaj fermerëve të huaj, duke iu garantuar rënia e kostove.
“Çmimi i qumështit që vjen nga fermat e importit është më i lirë. Javën që shkoi arriti minimumin prej 38 cent në derën e fermës në Hungari.
Bashkë me transport (që i shton rreth 20% kosto) dhe taksën mbrojtëse të prodhimit vendas 10%, ai vjen këtu në pikat e grumbullimit me kosto rreth 59-61 lekë pa TVSH, përsëri më lirë sesa çmimi i ofruar te fermerët vendas.
Fermat e shteteve të BE-së, siç është Hungaria apo dhe shtete të tjera janë mbështetur shumë nga politika dhe subvencione dhe vazhdojnë të subvencionohen, gjë që ia ul shumë koston e prodhimit”, pohon z. Ndreka.
Lexoni edhe:
Pse turistët nuk po e rrisin konsumin në vend?!
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Ajo qe duhet kuptuar ne keta tregues te shitjes se bulmetit ne vendin tone , kryesisht te prodhimit te qumeshtit ” dore e pare “ ; siç duket eshte ajo qe prej shume vitesh ” luften tregtare ” ne tregun shqiptar e kane fituar grumbulluesit dhe importuesit ndaj fermereve vendas . Kjo tregon se ketyre te fundit,pas vitit – 2013, i ka munguar mbeshtetja efektive financiare e qeverise me politika pozitive ndaj prodhimit vendas te qumeshtit . Sa per kuriozitet ne vitin – 2005 , çmimi mesatar i shitjes se qumeshtit direkt ne ferme ne shkalle kombetare ishte 30 –… Read more »