Korça është një nga shembujt më domethënës të qyteteve shqiptare që shfrytëzojnë turizmin vjetor, kryesisht atë malor dhe kulturor.
Me kapacitete të shtuara akomoduese dhe rritje të investimeve të brendshme, ky qytet po tenton që të tërheqë edhe më shumë vëmendjen e vizitorëve të huaj.
Në një intervistë për “Monitor”, kryetari i Bashkisë së Korçës, z. Sotiraq Filo, thotë se në krahasim me një vit më parë, buxheti për investimet është rritur me rreth 31.4%
Si po i tërheqim turistët dhe investitorët e huaj
Flet Sotiraq Filo, kryetar i Bashkisë së Korçës
Edhe për këtë vit janë parashikuar rikonstruksionet dhe ndërtimet e shumë shesheve dhe hapësirave publike, si në qytetin e Korçës edhe në fshatrat e njësive administrative, pjesë e Bashkisë së madhe të Korçës.
Sa është parashikuar buxheti i bashkisë gjatë 2017-s?
Mirëmenaxhimi i buxhetit ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga pikat e forta të bashkisë sonë. Duke pasur vlera në rritje të të ardhurave edhe këtë vit, si dhe rritje të transfertës së pakushtëzuar, Buxheti i Bashkisë për vitin 2017 është në vlerën 1,478,900,234 lekë dhe e krahasuar me buxhetin e vitit 2016 ka një rritje prej 207,378,926 lekësh ose 16.3% më tepër. Kjo rritje ka ardhur, së pari, si rezultat i rritjes së transfertës së pakushtëzuar, e cila krahasuar me vitin 2016 ka një rritje prej 70,576,602 lekësh ose 21.7%. Mbështetja financiare në rritje e qeverisë për bashkitë si dhe fokusimi te zhvillimi urban duke filluar nga qendrat e banuara, pjesë e një programi të rëndësishëm të qeverisë shqiptare, ka krijuar mundësi mjaft të mira edhe për bashkitë, duke garantuar mbështetje të madhe financiare për shumë nga projektet tona të rëndësishme infrastrukturore, me ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e cilësisë së jetës për banorët e Korçës.
Një tjetër faktor i rëndësishëm për rritjen e buxhetit për vitin 2017 ka qenë edhe rritja e të ardhurave. Të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore për Bashkinë e Korçës, të krahasuara me vitin 2016 kanë një rritje prej 154,493,390 lekësh ose 24%.
Trendi i realizimit të të ardhurave ndër vite, sidomos nga taksat dhe tarifat lokale ka qenë në rritje nga viti në vit, duke pasqyruar një përmirësim të dukshëm në administrimin dhe mbledhjen e të ardhurave, rritjen e kapaciteteve, rritjen e transparencës, fuqizimin e nivelit të bashkëpunimit, si dhe monitorimin e performancës midis institucioneve.
Që nga viti 2015, Bashkia e Korçës nuk e ka ndryshuar nivelin e taksave dhe tarifave vendore, si për subjektet e biznesit, ashtu dhe për familjarët, por është përqendruar në miradministrimin e tyre, vjeljen e detyrimeve të pambledhura dhe zgjerimin e bazës së taksueshme. Me gjithë pandryshueshmërinë e nivelit të taksave dhe tarifave, arkëtimi i të ardhurave për vitin 2016 kundrejt vitit 2015, ka shënuar rritje në vlerë 157 359 367 lekë, fakt ky që dëshmon se Bashkia e Korçës ka një përmirësim të dukshëm në administrim dhe mbledhje të të ardhurave, rritje të kapaciteteve, rritje të transparencës dhe fuqizim të nivelit të bashkëpunimit dhe monitorimin të performancës midis institucioneve. Ky fakt ka sjellë dhe një nivel më të lartë planifikimi për vitin 2017.
Bashkia e Korçës gjithashtu është përpjekur të mbajë në të njëjtin nivel me vitin 2016 shpenzimet operative duke u fokusuar më tepër në rritjen e shërbimeve publike, projekteve social- kulturore, duke i lënë vendin më të rëndësishëm në shpenzimet e investimeve publike.
Këto investime gjatë vitit 2017 do të jenë në vlerën 256,348,347 lekë dhe krahasuar me vitin 2016 ka një rritje prej 61,302,359 lekësh, ose 31.4%.
Cilat janë investimet kryesore që parashikohen të realizohen gjatë këtij viti?
Edhe për këtë vit janë parashikuar rikonstruksionet dhe ndërtimet e shumë shesheve dhe hapësirave publike si në qytetin e Korçës edhe në fshatrat e njësive administrative, pjesë e Bashkisë së madhe të Korçës.
Kjo duke u mbështetur në gjendjen fizike të infrastrukturës ekzistuese, në plotësimin e nevojave në rritje për investime në infrastrukturë në territorin e ri të Bashkisë së Korçës, si dhe për të krijuar një mjedis sa më funksional, estetik dhe bashkëkohor brenda këtij territori,
Janë shumë projekte të rëndësishme që janë hartuar nga ne dhe janë miratuar nga Këshilli Bashkiak, si pjesë e prioriteteve të investimeve për periudhën 2017-2019.
Si më të afërtat për zbatim do të veçoja rikonstruksionin e disa prej akseve të rëndësishme në qytetin e Korçës dhe restaurimin e fasadave përgjatë tyre, siç është projekti për bulevard “Gjergj Kastriotin”, një nga nyjet më të rëndësishme në qytetin e Korçës.
Ndërtimin e Terminalit të Autobusëve, fazën e dytë të rikonstruksionit të Teatrit “A. Z. Çajupi”, rikonstruksionin e pishinës së qytetit dhe ndërtimin e Klubit Sportiv si pjesë e projektit të madh të Zonës Sportive në Korçë, zgjerimin e parkut “Rinia”, Parkun Japonez midis Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar dhe Muzeut Oriental “Bratko”, rikonstruksionin e parkut “Vangjush Mio”, muzeun “Gjon Mili” dhe Muzeun e Komunizmit “Tuneli i harruar”.
Do të realizojmë edhe rikonstruksionin e shumë rrugëve sekondare dhe blloqe banesash në lagjet 4, 10, 13, 5 etj., urbanizimin e disa zonave informale në qytet. Sistemimin dhe asfaltimin e shumë rrugëve të brendshme në pjesën më të madhe të fshatrave të 7 njësive tona administrative, si dhe rrugëve që lidhin këto fshatra me qytetin e Korçës, apo akse rrugësh që lidhin këto fshatra me njëri-tjetrin siç është rasti i projektit për sistemimin e unazës Korçë – Polenë – Voskopojë – Korçë. Duke qenë se nevojat për ndërhyrje në fshatrat e bashkisë është shumë e madhe, referuar gjendjes thuajse të braktisur prej investimeve që ne gjetëm në shumicën e tyre, kemi planifikuar të investojmë në shumë fshatra, në sistemimin e ujërave të zeza, sistemin e ndriçimit, ndërtimin e urave dhe rikonstruksionin e shumë institucioneve arsimore e shëndetësore.
Edhe në qytet do të kemi investime të rëndësishme për përmirësimin e infrastrukturës shkollore dhe shëndetësore ku do të veçoja ndërtimin e një shtesë për shkollën 9–vjeçare “Sotir Gurra”, ndërtimin e një çerdheje të re dhe rikonstruksionin e disa shkollave dhe kopshteve në qytet.
Rajoni i Korçës ka një turizëm të zhvilluar gjatë gjithë vitit i cili kulmon në sezonin e verës, gjatë Festës së Birrës, festa më e madhe verore në Shqipëri, me rreth 10 mijë pjesëmarrës nga brenda dhe jashtë vendit. Sipas të dhënave nga Zyra jonë e Informacionit Turistik, vizitorët e huaj janë kryesisht gjermanë, holandezë, grekë etj. Kapaciteti prej rreth 3,000 shtretërish, është maksimalisht i prenotuar gjatë muajit gusht, festës së Pashkëve Ortodokse dhe javës së fundit të dhjetorit si dhe gjatë fundjavave.
Kjo vlerësohet dhe me rritjen e numrit të hoteleve dhe bujtinave që funksionojnë në Korçë. Vetëm në qytet, një rritje prej pesë hotelesh dhe bujtinash të reja të hapura nga viti 2015 në vitin 2016.
Për Bashkinë e Korçës, turizmi mbetet një nga prioritetet tona zhvillimore, jo vetëm bazuar te resurset natyrore, trashëgimia e pasur kulturore dhe historike, por edhe te projektet tona të shumta në këtë drejtim, investime, festa dhe aktivitetet të larmishme gjatë gjithë vitit për të tërhequr sa më shumë vizitorë në qytetin e Korçës dhe fshatrat turistikë duke e parë këtë potencial si burim për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
Pa dyshim, edhe për këtë vit Dardha, Voskopoja, Vithkuqi dhe aktivitetet dhe festat e mëdha kombëtare e ndërkombëtare do të jenë magnet për turistët, por potenciali i veçantë turistik që Korça do t’iu ofrojë vizitorëve vendas dhe të huaj për vitin 2017 do të jetë Pazari i Vjetër i rikonstruktuar rishtazi, me mbështetjen financiare të Qeverisë shqiptare dhe Fondit Shqiptaro – Amerikan për Zhvillim (AADF). Pazari është një ofertë e shkëlqyer turistike për vizitorët me profilin e tij të veçantë të vlerave të trashëgimisë që mbart dhe llojin e aktiviteteve që bashkia po nxit dhe mbështet të organizohen aty.
A ka shfaqje interesi për investimet e huaja?
Bashkia e Korçës ka arritur marrëveshjen me kompaninë gjermane Nexans Autoelectric, e cila brenda këtij viti do të hapë fabrikën e saj në Korçë. Do të jetë një linjë prodhimi e kabllove elektrike për markat e njohura të automjeteve si Benz, Wolkswagen, Audi, General Motors etj., e cila në perspektivë do të arrijë në 1000 vende të reja pune në linjën e prodhimit të kabllove elektrike për automjetet. Bashkia, në mbështetje të këtij investimi të rëndësishëm, ka vënë në dispozicion një kapanon tek ish-Uzina Mekanike Bujqësore.
Ky projekt është mbështetur nga Agjencia e Investimeve të Huaja në Shqipëri (AIDA) dhe do të këtë ndikim të madh në rritjen e punësimit të banorëve të Korçës.
Shfaqje interesi ka pasur edhe nga një kompani koreane, e cila gjithashtu prodhon kabllo elektrike, si dhe nga një kompani izraelite e cila kërkon bashkëpunim për vënien në dispozicion të tokës bujqësore, për të investuar në ngritjen e pemishteve frutore.
Dua të veçoj si mbështetje të rëndësishme financiare edhe zbatimin e Projektit Ndërkufitar Infrastrukturor financuar me fonde të BE-së, me vlerë 1,3 milionë euro, falë të cilit po
rikonstruktojmë shëtitoren “Fan Noli”, si dhe po realizojmë ndriçimin modern dhe eficient të kësaj shëtitoreje dhe unazës së qytetit.
Me ndikim ka qenë për Korçën edhe mbështetja financiare e Fondit Shqiptaro – Amerikan për Zhvillim (AADF) që nga ndërtimi i Zonës Këmbësore e deri te projekti madhor i rikonstruksionit dhe rivitalizimit të Pazarit të Vjetër, krahas kontributit financiar të qeverisë shqiptare.
Përveç rëndësisë së madhe që projekti i gazsjellësit ka për Shqipërinë, duke e vendosur vendin tonë në hartën europiane të energjisë, duke rritur rëndësinë rajonale dhe gjeostrategjike të vendit, duke dhënë kontribut për integrimin tregtar dhe fizik të Shqipërisë në Europë dhe duke lehtësuar zhvillimin e infrastrukturës energjetike të vendit dhe tregun e brendshëm të energjisë, TAP ka një rëndësi të veçantë për Korçën.
Krijon vende të reja pune. Ka filluar aktualisht një procedurë punësimi për punëtorët e pakualifikuar nga kontraktorët e TAP në fshatrat e prekura, pjesë e Bashkisë së Korçës dhe jo vetëm.
Ky projekt madhor krijon mundësi të reja për zhvillimin ekonomik të zonës. Një shembull për t’u përmendur është restoranti i ri i hapur në fshatin e thellë malor Shtyllë.
Biznesi vendas po përfiton, duke u ofruar shërbime kontraktorëve të TAP (restorante, hotele, etj.).
Ka ndikim në përmirësimin e infrastrukturës rrugore të Korçës dhe po jep kontribut për sigurinë në rrugë (shembull është rruga Vithkuq – Shtyllë – Panarit, dhe disa rrugë të tjera që janë duke u rehabilituar).
Po përmirëson të dhënat kadastrale në zonat përgjatë gjurmës së gazsjellësit (regjistrimi fillestar i Vithkuqit dhe Mollaj).
Bashkia e Korçës është në diskutime me kompaninë mbi implementimin i investimeve sociale dhe mjedisore, që do të ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës për komunitet përgjatë gjurmës së TAP.
Ndihmat për të përballuar dimrin e vështirë të këtij viti, ishin fillesat e bashkëpunimit në këtë drejtim.
Janë në shqyrtim disa projekte konkrete të rëndësishme për fshatrat pranë gjurmës së gazsjellësit propozuar nga bashkia.
—————
Investimet
Bashkia e Korçës ka arritur marrëveshjen me kompaninë gjermane Nexans Autoelectric, e cila brenda këtij viti do të hapë fabrikën e saj në Korçë
Turizmi
Sipas të dhënave nga Zyra jonë e Informacionit Turistik, vizitorët e huaj janë kryesisht gjermanë, holandezë, grekë etj. Kapaciteti prej rreth 3,000 shtretërish, është maksimalisht i prenotuar gjatë muajit gusht, festës së Pashkëve Ortodokse dhe javës së fundit të dhjetorit, si dhe gjatë fundjavave.
——————-
Projektet e turizmit
Qeveria ka parashikuar rreth 36.2 lekë për planin vendor të rajonit të Korçës, i cili synon zhvillimin e territorit si qendër rajonale me rëndësi kombëtare, me një ekonomi konkurruese, sipërmarrje dinamike, bujqësi e turizëm të zhvilluar do të orientohet përmes pesë dimensione zhvillimi, të cilat kanë për synim udhëheqjen dhe monitorimin e përparimit të objektivave strategjike të zhvillimit, programeve dhe projekteve të zhvillimit në drejtimin: e formës urbane, duke përmirësuar proceset planifikuese dhe menaxhuese, Korça do të ketë një formë urbane, që u përshtatet objektivave ambicioze dhe mbështet zhvillimin në tërësi; infrastrukturës, me vizion në infrastrukturë publike që rrit mundësinë e zhvillimit të bizneseve dhe komuniteteve, duke u shoqëruar me rritjen e mobilitetit për qarkullimin e njerëzve dhe mallrave në mënyrë të “zgjuar” dhe eficiente; jetesës në komunitet, përmirësimi i cilësisë së jetës së banorëve përmes ofrimit të shërbimeve publike të nivelit të lartë, duke i dhënë prioritet arsimit cilësor dhe ekonomikisht të përballueshëm, për një komunitet kulturalisht të pasur dhe fuqi punëtore më të kualifikuar; (4) zhvillimit ekonomik dhe inovacionit, qendër rajonale me një ekonomi konkurruese, sipërmarrje dinamike, bujqësi të zhvilluar, turizëm shumëdimensional, e fokusuar tek inovacioni dhe duke u kujdesur në mënyrë të veçantë për mjedisin; (5) mjedisi natyror, duke zbatuar standardet teknike e ligjore për trajtimin e ekosistemeve dhe ruajtjen e biodiversitetit, duke siguruar kushtet e nevojshme për zhvillimin urban.
Një tjetër projekt është edhe ai i rivitalizimit të Pazarit të Vjetër, duke ofruar stimuj për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Për vitin 2017, fondi në dispozicion do të jetë 10 milionë lekë dhe zbatohet nga Agjencia e Zhvillimit të Investimeve.
Për të shtuar ofertën turistike të Korçës, vetëm pak kohë më parë u shpallën edhe projektet fituese të konkursit “Risi Albania”. Në total u prezantuan 10 projekte të ndryshme, të cilat përfshinin ide për eksplorimin e qytetit të Korçës dhe Pogradecit, ide për kulinarinë, artizanatin, etj. Projektet fituese ishin:
“Treni panoramik për turin e qytetit – një risi turistike për Rajonin e Korçës”: Një “tren” panoramik i cili do të ofrojë turin e qytetit, do të jetë jo vetëm një risi në produktet turistike, por njëkohësisht do t’u ofrojë turistëve mundësinë për të zbuluar të gjitha atraksionet në qytet, duke u dhënë atyre një eksperiencë cilësore. Ky produkt do të mundësojë rritjen e netëve të qëndrimit dhe shpenzimet e kryera nga vizitorët në Korçë (shqiptarë dhe të huaj). Gjithashtu do të hapë një mundësi tjetër për rritjen e njohurive tek nxënësit e shkollave dhe studentët mbi atraksionet e qytetit dhe vlerat që ato përçojnë).
“Transhumanca”: Është një nga ritualet më të vjetra që ka shoqëruar njerëzimin që kur ai iu nënshtrua jetës sedentare dhe iu largua gjuetisë, që prej prehistorisë. Bagëtitë çohen në zona malore gjatë stinëve të nxehta dhe zbriten në zonat e ngrohta gjatë dimrit.
Ky projekt synon ta bëjë këtë fenomen, i cili ekziston gjerësisht në Shqipëri, të aksesueshëm për turistin kulturor dhe atë të aventurës, gjë që do diversifikojë produktin e turizmit në vend, do krijojë premisa për diversifikimin e ekonomisë së zonave të thella malore deri tani të para si të pafavorizuara, dhe zhvillimin e tyre të qëndrueshëm.
Projekti synon zhvillimin pilot të itinerarit të shtegtimit të bagëtive nga zona e Sarandës në Malin e Gramozit, por ai ka premisë të zgjerohet edhe në itinerare të tjera (p.sh. nga Myzeqeja në drejtim të këtij mali, zonat e Kurveleshit në pllaja të Delvinës, etj.).
Ai do ofrojë ecjen bashkë me tufat e bagëtive dhe me barinjtë nga bregdeti në destinacion, një udhëtim dhjetëditor në maj dhe dhjetor, si dhe paketa qëndrimi të turistëve në stanet e Gramozit gjatë muajve të verës ose vjeshtës.
Synimi është që të arrihet një ‘shkrirje’ (imersion) e turistit në mënyrën e jetesës blegtorale, një aspekt kulturor që është prirje popullore e zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm dhe kulturor sot në botë
“Eksplorojmë Pogradecin me biçikleta”: Ky projekt synon zgjerimin e fushave të turizmit në këtë qytet, të cilat aktualisht përqendrohen vetëm në turizmin liqenor, kulturor dhe kulinar, duke ofruar me vetëdije edhe turizmin sportiv. Aktivitetet sportive, të cilat pritet të ofrohen
gjatë gjithë vitit në formën e itinerareve turistike, do të zhvillohen me biçikleta, ngjitje në mal dhe wind-surf. Zhvillimi i këtij produkti pritet të sjellë ndërgjegjësimin e grupmoshave të ndryshme kombëtare për rëndësinë e aktiviteteve sportive duke promovuar vlerat historike dhe kulturore të zonës, si dhe angazhimin dhe trajnimin e të rinjve.
Projekti do të ushtrojë aktivitetin e tij gjatë gjithë vitit, pavarësisht se fluksi më i madh i turistëve pritet në periudhën e fillimit të pranverës deri nga fundi i vjeshtës.
“Krijimi i Suvenireve Unike për Korçën”: Qëllimi i këtij projekti, është identifikimi, dizenjimi dhe prodhimi i suvenireve unike dhe karakteristike për Korçën.
Koncepti për Suvenirët e Korçës konsiston në sloganin “Korça Qyteti i Kulturës dhe Traditës”. Në këtë propozim, synohet krijimi i suvenireve karakteristike për Korçën, të cilat të përfshijnë elementet simbolike të zonës: një rrugicë korçare që përmban një shumëllojshmëri objektesh kulturore dhe me vlera historike të qytetit, imazhe që simbolizojnë kulturën qytetare dhe historinë e qytetit, siç mund të jenë serenatat, vlerat patriotike e kulturore etj.
Projektet fituese do të financohen nga Risi Albania dhe AIDA, përmes fondeve për artizanatin dhe kompanitë startup.
Intervistoi: E.Bedalli
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.