Problemet ekonomike dhe mundësia e krijimit të mjediseve për investitorë ishte temë e diskutimit në një tryezë që është mbajtur në Prishtinë. Në tryezën e organizuar nga USAID-i me temën “Nxitja e zhvillimit ekonomik: Korniza e re ligjore” u theksua nevoja për një mjedis më të përshtatshëm për investitorët e mundshëm. Drejtori i misionit të USAID-it në Kosovë, James Hope, tha që ata përkrahin shtyrjen e pakove të legjislacionit ekonomik dhe se është në kontakt me shumë ekspertë të ekonomisë rreth dy programeve. “USAID-i është partner me shumë nga ju që jeni këtu përmes dy programeve. Programi i parë është zbatimi i të drejtës kontraktuale dhe ai tjetri është program i fuqizimit të së drejtës kreditore”, tha Hope.
Sipas tij, ideja e kësaj tryeze është diskutimi rreth një pakoje të re të ligjit ekonomik, i cili ka për qëllim kornizën për tregti, që të sjellë një sundim më të madh të ligjit këtu në Kosovë, që ka të bëjë me krijimin e një mundësie për zhvillim ekonomik në Kosovë.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se rritja ekonomike deri në 7 për qind nuk është e kënaqshme dhe për ta rritur këtë rritje ekonomike duhet që të veprohet në tri drejtime. “Së pari duhet të ngremë produktivitetin e fuqisë punëtore, siç po shihet fuqia e lirë punëtore e bollshme që ne e kemi nuk është si faktor i vetëmjaftueshëm. Në këtë drejtim ne duhet orientuar drejt aftësimit të kësaj fuqie punëtore që të jetë në përputhje me kërkesat e tregut dhe të jetë konkurruese në tregun global.”, tha Veseli.
Sipas tij, ekspertiza e ofruar nga USAID-i do të mundësojë formësimin e reformave ekonomike dhe se ata do të formojnë fondet e duhura për implementimin e strategjisë së teknologjisë së informimit.
Ndërkaq, kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik në Kuvendin e Kosovës, Muhamet Mustafa, tha se Kosova ka një rritje të vogël ekonomike rreth 2-3 për qind.
“Ne ç’është e vërteta kemi rritje 2-3 për qind, por tërë kjo po shihet që nuk është e mjaftueshme për arsye se problem kyç i shoqërisë, që është papunësia dhe problemi tjetër deficiti i lartë në bilancin tregtar, kanë mbetur të njëjta, d.m.th. gjithmonë kemi thënë se një rritje 2-3 për qind për vendet që janë në një stad të zhvillimit më të lartë do të thotë shumë, por për Kosovën nuk mund të gjenerojë një shtegdalje nga shpërpjesëtimet e mëdha në konfiguracionin makroekonomik, prandaj ne duhet që të shohim dhe të bëjmë gjithçka që të preokupohemi të gjithë që të arrijmë norma më të larta të zhvillimit”, tha Mustafa.
Kryetarja e Komisionit për Legjislacionit, Albulena Haxhiu, tha se Kosova ka ligje të mira, por ka ngecje në implementimin e tyre. “Kur flitet për nxitjen e zhvillimit ekonomik natyrisht është e rëndësishme roli i Kuvendit dhe i komisioneve parlamentare, qoftë për nxjerrjen e ligjeve të reja, qoftë për monitorimin e këtyre ligjeve sepse nuk është që Kosova nuk ka ligje të mira, por po kemi ngecje në implementimin e këtyre ligjeve”, tha Haxhiu. / ZERI
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.