Kosova do të mbyllet sërish pas shtimit rekord të rasteve me COVID-19 dhe të personave që kanë ndërruar jetë si pasojë e infektimit. Kreu i Qeverisë, Avdullah Hoti, i ka bërë publike të gjitha masat që janë marrë të cilat do të hynë në fuqi nga dita e premte.
Institucionet e vendit kanë vendosur për votimin e masave të reja të Qeverisë së Kosovës. Vendimi vjen pas shtimit të rasteve me COVID-19, sidomos në javët e fundit.
Kreu i ekzekutivit, Avdullah Hoti, ka folur në një konferencë për media para gazetarëve lidhur me masat e reja anti-Covid. Kjo vjen vetëm një ditë pasi ai paralajmëroi se vendi po shkon sërish drejt mbylljes totale pas përkeqësimit të situatës epidemiologjike.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se situata me pandeminë është tepër e rëndë dhe se projeksionet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë tejet pesimiste.
“Situata është tepër e rëndë, ne kemi përgatitur të dhënat konkrete që t’i shohin të gjithë qytetarët. Duke pas parasysh kapacitetet , ne duhet të kujdesemi për masa më specifike. Testimet janë trefishuar në javët e fundit, numri i rasteve pozitive është rreth 1 në 3 që testohen, e ndonjëherë edhe deri në 50 për qind dalin pozitive. Edhe rastet fatale janë në rritje. Projeksionet e IKSHPK-së janë mjaft pesimiste”, ka thënë Hoti.
Hoti ka prezantuar hartën me shkallën e infeksioneve për 100 mijë banorë, duke thënë se Qeveria po shikon që t’i ulë këto shifra.
“E masat e ndërmarra na e përmirësuan situatën, por kur u kthye pandemia në regjion kemi edhe ne rritje. Është bërë riorganizimi, e kemi 838 numrin e shtretërve. Edhe numri me qasje ne oksigjen është rritur. 626 pacientë janë të shtrirë në QKUK dhe spitale”, ka thënë ai.
Shtatë komuna në karantinë, orë policore prej së premtes
Shtatë komuna të Kosovës pritet të futen në karantinë nga dita e premte, njoftoi kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, teksa ka thënë se nga ora 19:00 në këto komuna do të ketë edhe orë policore për qytetarët.
Komunat me këtë vendim do të jenë: Prishtina, Podujeva, Mitrovica, Peja, Gjakova, Gjilani, Ferizaj
Ai ka folur për një varg masash që do të merren për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Këto, sipas Hotit, janë ende propozime, të cilat sot do t’u dërgohen ministrave të kabinetit për shqyrtim dhe votim. Nëse votohen, për çka Hoti nuk ka shprehur asnjë dyshim, atëherë do të futen në fuqi të premten në orën 19.00.
Hoti tregoi se cilat rregulla do të vlejnë për komuna.
“Grupi i dytë i masave, është sipas kategorizimit të komunave sipas numrit të personave të infektuar. Komuna me rrezik të ulët, kemi lejuar operatorët ekonomi të punojnë nga ora 05:00 deri në 20:00, kemi rregulluar transportin publik. Kemi rregulluar edhe veprimtarinë e qendrave tregtare deri në ora 20:00, pastaj opsioni merr me vete. Grupi i dytë me rrezik të mesëm: punojnë nga ora 05:00 deri në 18:00, gastronomia po ashtu deri në orën 18:00. Është rregulluar po ashtu transporti. Qendrat tregtare punojnë deri në ora 18:00. Grupi i tretë me shtatë komuna, nga ora 19:00 mbyllet çdo aktivitet dhe do të ketë orë policorë”.
Harta është ndarë në tri grupe të komunave: Grupi i rrezikut të ulët me ngjyrë të gjelbër me numër të të infektuarve për 100 mijë banorë është nën 75.
Portokalli ku shkon nga 76 deri në 150 raste të reja në 100 mijë banorë; dhe
Të kuqe, në rrezikun më të lartë, ku numri i të infektuarve brenda javës tejkalon shifrën e 150 rasteve të reja në 100 mijë banorë.
Ahmeti, kundër mbylljes së Prishtinës
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, është shprehur kundër mbylljes së Prishtinës, pa ndihmë për ekonominë. Ahmeti në një postim në Twitter shkruan se Prishtina në zonë të kuqe, ndërsa kufijtë e hapur, është pa kurrfarë efekti.
“Jo mbylljes së Prishtinës me statistika të paqëndrueshme! Jo mbylljes së ekonomisë, pa ndihmë për ekonominë! Po masave për ngadalësim të COVID, por vetëm atyre që janë të arsyeshme dhe vërtet ndikojnë në numra. Prishtina në zonë të kuqe, e kufijtë hapur është pa kurrfarë efekti”, shkruan Ahmeti.
Komunat të ndahen në tri grupe, në varësi të numrit të personave të infektuar, e gjelbra, e verdha dhe e kuqja. Në grupin e gjelbër do të hyjnë komunat që brenda jave kanë deri në 75 raste, në grupin e verdhë do të hyjnë komunat që kanë nga 76 deri 149 kurse në grupin e kuq do të hyjnë komunat që brenda jave kanë më shumë se 150 raste.
Edhe AAK, kundër mbylljes së vendit
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, pjesë e koalicionit qeverisës, ka dalë kundër idesë për një rimbyllje të vendit, si masë parandalimi për pandeminë e koronavirusit.
Në një konferencë për media, Grupi Parlamentar i AAK-së i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të shfrytëzojë të gjitha alternativat e mundshme para se të vendosë për mbyllje totale të vendit.
“Ne jemi kundër idesë që të kemi mbyllje totale të vendit dhe i bëjmë thirrje qeverisë të rishikojë masat për arsye se ne si Aleancë e përkrahim qëndrimin e përbashkët që e kemi marrë sot dhe deklarohemi që duhet të rishikohen këto masa që të kemi menaxhim më të përfilltë të situatës”, ka thënë deputeti Arbër Tolaj.
Në një konferencë për media, para seancës së Kuvendit ku pritet të votohet në shqyrtim të dytë për Ligjin për Rimëkëmbje, AAK-ja ka kërkuar votën e të gjithë deputetëve si moment i rëndësishëm “që të reflektojmë për situatën e përgjithshme ekonomike të qytetarëve të Kosovës”.
“Si AAK e kuptojmë shqetësimin në rritjen e numrit të rasteve, pra një përshkallëzim të situatës mirëpo konsiderojmë që institucionet përgjegjëse janë duke dhënë rekomandimet e tyre dhe ne si pjesë e politikës duhet të shfrytëzojmë të gjitha alternativat para se të shkojmë tek një përfundim për mbyllje totale të vendit. I bëjmë thirrje Qeverisë të shqyrtojë situatën dhe të shfrytëzojë të gjitha alternativat e mundshme duke respektuar rekomandimet e institucioneve shëndetësore para se të shkohet te vendimi për mbyllje totale”, ka thënë në konferencë deputetja Albena Reshitaj.
Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ndërkohë ka bërë të ditur se kundërshton çdo vendim për mbyllje të mëtutjeshme të bizneseve, nëse ato nuk subvencionohen dhe mbështeten me pako strategjike për mbulimin e dëmeve.
Mbyllja e bizneseve për dy ditë, sipas Odës Ekonomike të Kosovës mund t’i ketë kushtuar ekonomisë së Kosovës humbje deri në 15 milionë euro. Të martën, në Kosovë janë shënuar 596 raste të reja me koronavirus dhe pesë viktima. Me shifrat e fundit, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë shkon në 25,388. Prej tyre, 773 pacientë kanë vdekur.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.