Përmes një deklarate Shtëpia e Bardhë ka njoftuar për shpërndarjen e miliona dozave të vaksinës për Covid-19 në mbarë botën, duke e përmendur edhe Kosovën në listën e shteteve që do të përfitojnë nga ky plan.
Shtëpia e Bardhë ka njoftuar përmes një deklarate se do të bëjë shpërndarjen e 55 nga 80 miliona doza të furnizimit me vaksina, nga rezervat e Amerikës. Në mesin e vendeve që do të përfitojnë nga ky plan, është edhe Kosova.
Presidenti amerikan Joe Biden, u zotua se deri në fund të qershorit do të bëhet ndarja e tyre. Biden ka premtuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë një arsenal i vaksinave për botën.
“Një pjesë e këtij plani është dhurimi i vaksinave nga furnizimi ynë dhe Presidenti ka premtuar 80 milionë doza që do të ndahen deri në fund të qershorit. Në fillim të këtij muaji, Administrata njoftoi planin për 25 milionë dozat e para që kemi filluar dërgimin dhe njoftimi i sotëm plotëson listën për 55 milionë dozat e mbetura”
“Përveç ndarjes së dozave nga furnizimi ynë i vaksinave, Administrata Biden-Harris është gjithashtu e përkushtuar të punojë me prodhuesit tanë të SHBA për të prodhuar më shumë vaksina për të ndarë me botën. Për këtë qëllim, përpara G7, Presidenti Biden njoftoi se SHBA do të blejë gjysmë miliardë doza Pfizer dhe do t’i dhurojë ato në 92 vende me të ardhura të mesme dhe të ulëta dhe anëtarët e Bashkimit Afrikan”, thuhet më tej në njoftim.
Ditë më parë edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të ndajnë një numër të konsiderueshëm të vaksinave kundër koronavirusit për Kosovën.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Osmani, ka thënë se ka kërkuar nga presidenti amerikan Joe Biden, më 19 mars, që SHBA-ja të mbështesë Kosovën me vaksina.
“Më 19 prill 2021 Presidenti Biden u përgjigj pozitivisht në të cilën ai u zotua për ta trajtuar kërkesën tonë rreth vaksinave. Sot, ne jemi të lumtur të njoftojmë se presidenti Biden, në emër të SHBA-ve, ka vendosur të dhurojë një numër të rëndësishëm të vaksinave COVID-19 për Republikën e Kosovës”, ka thënë Osmani.
Plani i alokimit për këto 55 milionë doza do të jetë si më poshtë:
Përafërsisht 41 milionë do të ndahen përmes COVAX, me ndarjet e mëposhtme:
Përafërsisht 14 milionë për Amerikën Latine dhe Karaibet në vijim: Brazil, Argjentinë, Kolumbi, Peru, Ekuador, Paraguai, Bolivi, Uruguaj, Guatemala, El Salvador, Honduras, Haiti dhe vendet e tjera të Komunitetit Karaibe, Republika Dominikane, Panama, dhe Kosta Rika.
Afërsisht 16 milionë për Azinë për sa vijon: India, Nepali, Bangladeshi, Pakistani, Sri Lanka, Afganistani, Maldivet, Butani, Filipinet, Vietnami, Indonezia, Tailanda, Malajzia, Laosi, Papua Guinea e Re, Tajvani, Kamboxhia dhe Ishujt Paqësor .
Afërsisht 10 milionë për Afrikën që do të ndahet me vendet që do të zgjidhen në koordinim me Bashkimin Afrikan.
Përafërsisht 14 milionë – ose 25% e këtyre 55 milionë vaksinave – do të ndahen me përparësitë rajonale dhe marrësit e tjerë, të tilla si: Kolumbia, Argjentina, Haiti, vendet e tjera të CARICOM, Republika Dominikane, Kosta Rika, Panama, Afganistani, Bangladeshi, Pakistani, Filipinet, Vietnami, Indonezia, Afrika e Jugut, Nigeria, Kenia, Gana, Cabo Verde, Egjipti, Jordania, Iraku, Jemeni, Tunizia, Omani, Bregu Perëndimor dhe Gaza, Ukraina, Kosova, Gjeorgjia, Moldavia dhe Bosnja.
Kosova, prej konfirmimit të rasteve të para në mars të vitit të kaluar, ka regjistruar në total 107,655 raste pozitive.
Prej tyre, 2,252 pacientë kanë vdekur dhe 105,241 janë shëruar.
Fushata e vaksinimit kundër koronavirusit në Kosovë ka nisur në fund të muajit mars. Deri të hënën, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, janë dhënë 134,391 vaksina.
Mbi 19,000 vetë janë vaksinuar me nga dy doza.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.